Spitalet e Elbasanit, janë turpi botës, xhepat e qytetarëve po zhvaten ditën dhe natën

589
Sigal

Zoti Ministër i Shëndetësisë, merrni masa ekstreme për mjekët që abuzojnë me detyrën e fitojnë para të paligjshme gjatë orarit të punës

Tefik OSMANI

Sistemi shëndetësor sot (pas atij të drejtësisë) mbetet më i korruptuari, më i ndoturi dhe më i përfoluri nga opinioni publik. Po mbushen afro 2 muaj nga dita e parë e punës së qeverisë Rama dhe qytetarët po presin të nisë “sulmi” ndaj së keqes, që ndeshet sot kudo. Por më shumë tek rendi, siguria dhe shëndetësia. E ndërsa ministrat duket se i kanë nisur detyrat e tyre, në shërbimin shëndetësor, zoti Beqja ende po toleron të vegjetojnë të qetë manipulatorët të korruptuarit dhe abuzuesit me detyrën. Veç largimit të lehtë të drejtorëve të spitaleve dhe shërbimit parësor, në spitale ish-drejtuesit dhe shumica e mjekëve, vazhdojnë pa asnjë kokëçarje ligjore dhe aq më tepër, pa droje e frikë, ritualin e tyre.

Si nis dita e mjekut në Elbasan

Ora 08:00 vijnë në spitale dhe ambulanca, ora 08:40 njoftojnë infermieret e turnit se: “Jam në klinikë, mi dërgo atje vizitat”. Pra brenda 20 apo 25 minutave mjekët e specialiteteve, vetëm sa i hedhin një sy pavijoneve, pyesin kalimthi pacientët dhe sulen drejt klinikave, apo dhomave të marra me qira apo të blera në lloj-lloj apartamentesh. Kjo gjë ndodh çdo ditë të javës, në çdo orë të ditës, para syve të drejtuesve të vjetër e të rinj, duke zhvatur xhepat e qytetarëve. Sapo hyn tek “klinika” private e mjekut, ndeshesh fillimisht me një tabelë të dukshme, ku shkruhet “Lista e çmimeve për vizitat” dhe më pas, mjafton vetëm 5 deri 7 minuta vizitë rutinë, nga ku pacienti apo i afërmi i tij duhet të kruajë xhepat për të paguar 1 mijë lekët e rinj, kurse për kontrollin e vizitës pas 4-5 ditësh, gjysmën e asaj tarife. Por jo vetëm kaq. Mjeku të udhëzon edhe se, ku të blesh medikamentet, duke të treguar adresën dhe emrin e farmacisë. Tek dera e jashtme e “klinikës” private, presin në rresht ata që pasi kanë vajtur në spital, kanë marrë lajmin se: “Doktorin e keni te klinika, shkoni atje”. Ky është skandali që po vazhdon ende në krejt ambulancat dhe spitalet e Elbasanit, edhe pse iku ajo qeveri dhe erdhi kjo qeveri, iku ai ministër dhe erdhi ky ministër. Përpara se të nisësh heqjen e kioskave në oborret e spitaleve (jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Elbasan etj.) fillimisht duhet të merresh me të tjera probleme zoti Beqja, probleme, të cilat po torturojnë qytetarin dhe kanë korruptuar e degjeneruar krejt sistemin shëndetësor.

Situata skandaloze

Aktualisht në spitalet e Elbasanit, Pediatri, Pathologji, Kirurgji, Infektiv, sot mungojnë pothuajse të gjitha medikamentet kryesore, madje edhe serumet, shiringat, vitaminat ampulë, deri tek alkooli. Pacienti, qoftë ky fëmijë në Pediatri dhe i rrituri në Pathologji apo Kirurgji, duhet të ketë me vete 2 të afërm, njëri të kujdeset për blerjen e medikamenteve, tjetri të merret me sistemimin e tij në dhoma, të cilave u mungon ndriçimi, jastëku, çarçafi dhe uji. E para që takon është infermierja e turnit, e cila të thotë “shko bli serumin, copë 2, aparatin, shiringat, vitaminën C, D, apo B ampulë dhe hajde vrap”. Por nuk mbaron këtu, pas “nderit” që të bën infermierja, ajo duhet darovitur, por edhe mjekja e turnit. Dhe tortura vazhdon, e vazhdon, madje brutalisht të flet edhe sanitarja, e cila thotë se “kujdes mos bëni pis pllakat e dhomës”. E gjithë kjo duket si tregim i shkëputur nga ndonjë libër, por ky është realiteti sot në spitalet tona. Me këtë realitet sot ndeshet çdo qytetar, që në spitale shkon jo për qejf, por për hallin e tij, shëndetin e tij apo të familjarëve të tij.

Zoti Ministër i Shëndetësisë

Ky realitet i ndyrë, që ka ndotur, turpëruar e korruptuar pothuajse gjithë sistemin shëndetësor, duhet të marrë fund. Qytetarët e Elbasanit dhe të Shqipërisë presin nga ju dhe stafi me të cilin ju, do të drejtoni dhe punoni në Ministrinë e Shëndetësisë, masa ekstreme për mjekët që abuzojnë me detyrën, që fitojnë para të paligjshme përgjatë orarit zyrtar të punës, për infermieret e ambulancave qendrore, të  lagjeve dhe spitaleve që nuk qasin njeri tek dera pa i marrë 200 lekët e rinj për injeksion. Qytetarët presin nga ju zoti Ministër i Shëndetësisë, masa ndaj mjekëve harbutë, mediokër dhe të korruptuar që kanë afishuar çmimet e vizitave edhe tek dhomat e tyre të vizitave në spitalet e shtetit dhe pavarësisht rrogave të majme u thonë pacientëve se, “nuk del paga, kemi shumë shpenzime ne mjekët lart e poshtë”. Sistemi ynë shëndetësor, ka nevojë sot, për reforma të thella, të cilat do t’i japin frymëmarrje  të thellë shërbimit, duke futur brenda këtij shërbimi respektin ndaj pacientit, institucionit dhe detyrës humane që ka mjeku.

Pacienti

Pacienti, duhet të ketë me vete 2 të afërm, njëri të kujdeset për blerjen e medikamenteve, tjetri të merret me sistemimin e tij në dhoma, të cilave u mungon ndriçimi, jastëku, çarçafi dhe uji. E para që takon pasi shtrohesh në spital është infermierja e turnit, e cila të thotë “shko bli serumin, copë 2, aparatin, shiringat, vitaminën C, D, apo B ampulë dhe hajde vrap”

Masat

Qytetarët presin nga ju zoti Ministër i Shëndetësisë, masa ndaj mjekëve harbutë, mediokër dhe të korruptuar që kanë afishuar çmimet e vizitave edhe tek dhomat e tyre të vizitave në spitalet e shtetit dhe pavarësisht rrogave të majme u thonë pacientëve se, “nuk del paga, kemi shumë shpenzime ne mjekët lart e poshtë”