SPAK ka nën monitorim zyrtarë të lartë, kryebashkiakë dhe 300 punonjës policie, dyshime se kanë mbajtur kontakte me krimin

58

“SPAK ka arritur që të sigurojë edhe biseda ku shefa komisariatesh flasin për pagesat fikse mujore, që merrnin nga bandat e krimit. Kanë qënë agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, policia belge dhe ajo franceze, që kanë sjellë transkriptime të shumta pas zbërthimit të aplikacioneve Cripto-Chat dhe Sky”

Sigal

Mbi 300 punonjës të policisë po monitorohen nga ana e Prokurorisë së Posaçme për lidhje të mundshme që mund të kenë patur me botën e krimit. Gjithçka ka dalë në pah nga SPAK pas arrestimit të ish-kreut të Forcave Operacionale Oltian Bistri, drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita dhe sipërmarrësit Pëllumb Gjoka. Burime thanë se organi i hetimit ka konfirmuar se ka disa drejtues të lartë të Policisë, që po i heton SPAK pasi emri i tyre ka rezultuar si pjesë që ka dalë në përgjime dhe si të dyshuar se mbanin lidhje dhe kontakte me personazhe të krimit. Në ditët në vijim pritet që disa prej tyre të merren në pyetje nga hetuesit e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. SPAK ka arritur që të sigurojë edhe biseda ku shefa komisariatesh flasin për pagesat fikse mujore, që merrnin nga bandat e krimit. Kanë qënë agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, policia belge dhe ajo franceze, që kanë sjellë transkriptime të shumta pas zbërthimit të aplikacioneve Cripto-Chat dhe Sky, programe të koduara, që përdoren nga eskponentët e krimit.

Në këto transkriptime kane dalë në pah edhe emra zyrtarësh, kryebashkiakë apo edhe drejtues bankash të nivelit të dytë. Të njëjtat burime shprehen se janë fiksuar edhe biseda ku flitej për të siguruar doza të lëndëve narkotike. Jo vetëm për drogë, por ka biseda të shumta për kazino e aktivitete të tjera të jashtëligjshme. SPAK është në procesin e verifikimeve dhe nuk dihet ende se nominalisht se cilët janë këta persona të përfshirë në këto hetime. Indiciet kanë dalë nga përgjimet e siguruara nga agjencitë e huaja. Mediat thanë se hetuesit belgë kanë arritur të sekuestrojnë një server, ku kanë komunikuar anëtarë të grupeve kriminale ku janë transkriptuar qindra biseda që lidhen kryesisht me trafikun e drogës dhe vrasjeve që kanë ndodhur në Belgjikë për larje hesapesh, apo edhe shantazh ndaj kundërshtarëve. Një pjesë e komunikimeve janë të vlefshme edhe për autoritetet tona, për shkak të personazheve dhe përmbajtjes së mesazheve të transkriptuara, ku është shfaqur dhe përfshirja e politikës shqiptare, pasi ka dosje që po hetohen disa politikanë të njohur si të lidhur me krimin e organizuar, në afera për blerje votash, si edhe shantazh ndaj kundërshtarëve. Për këtë arsye, belgët ia kanë dorëzuar autoriteteve shqiptare në kuadër të kryerjes së verifikimeve që janë në vazhdim i një hetimi të nisur prej tyre. Mësohet se të dyshuarit kanë komunikuar mes tyre në aplikacione si EncroChat, Sky Eç por, edhe Matrix, apo edhe në telefona “BQ”. Zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e preferuar të kriminelëve, Sky EÇ ka sjellë operacione të shumta policore në mbarë botën. Por efektet e këtij zbërthimi kanë nisur të shihen edhe në Shqipëri, pasi operacioni ‘Metamorfoza’ ishte bazuar te këto përgjime. Gazetarja Fatjona Mejdini tha se gjuha e dytë më e përdorur në platformën Sky EÇ ishte shqipja. Sipas saj, tani pritet që kufiri të jetë vetëm qielli. “Pak ditë më parë, një operacion i rëndësishëm kundër grupit “Bajraj” ekspozoi dhe lidhjet kriminale të një prokurori dhe një drejtuesi të lartë të Policisë. Çelësi i operacionit ishin padyshim komunikimet e tyre përmes aplikacionit Sky, i cili prej një dekade është përdorur masivisht nga grupet kriminale shqiptare. Në 2021, kur u kuptua se autoritetet belge dhe holandeze kishin arritur të depërtonin në këtë platforme komunikimi, u raportua se pas anglishtes, gjuha e dytë e përdorur në Sky ishte shqipja. Prej disa kohesh ka pasur pikëpyetje se pse arrestime të bazuara tek komunikimet në Sky nuk po ndodhnin në Shqipëri. Tani që ‘puna’ nisi, pritet që raste të reja të bëhen publike, dhe lista e të implikuarve nga radhët e shtetit të jetë e gjatë… Sa për reference, në vendet fqinje që kanë më shumë kohë që kanë nisur operacionet bazuar mbi informacionet e marra nga platforma Sky, por edhe EncroChat dhe ANOM, rezultatet kane qenë tronditëse. Në Serbi u zbulua sesi huligani Veljko Belivuk (i akuzuar për lidhje me presidentin Vuçiç) kishte ngritur në qendër të Beogradit një thertore të ngjashme me ato në Meksikë. Në Malin e Zi, të arrestuar si të lidhur me krimin deri tani janë kryebashkiaku i Budvës, ish-zëvendës Prokurori Special, ish-drejtuesja e Gjykatës Supreme dhe disa zyrtarë të lartë Policie. Në Bosnje rreth 2200 politikanë, biznesmenë, policë, prokurorë dhe gjyqtarë përdornin Sky dhe deri tani ka pasur dhjetëra arrestime, përfshirë zëvendës drejtuesen e Prokurorisë, ambasadorë dhe kryebashkiakë.Limiti në Shqipëri është ende i paqartë!”