Sokol Kongoli: Pazari i Milotit ka funksionuar që në 1916-n

686
Sigal

Pazari i Milotit e ka filluan funksionimin qysh në vitin 1916

MILOTI, LARG DHE AFËR 

Shkolla e paë shqipe në Milot është çelur në vitin 1900, falë përpjekjeve të imzot Prend Bjankit,

Sa herë që udha nga kryeqyteti i drejtohet veriut të vendit, qoftë Shkodres apo Kosovës, atje  ku ajo i afrohet lumit Mat, fillon dhe shfaqet qyteza e vogël e Milotit. Në pamje të parë të ngjan sikur kjo qendër urbane duket e harruar dhe e lënë në fatin e vet, dhe janë  vetëm mjetet e transportit që kalojnë në rrugën  buzë saj dhe që i japin sadopak gjallëri .

Në fakt Miloti dhe zona pranë tij kanë traditën e vet, dhe padyshim që me kohe ai ka qenë thuajse qëndra kryesore e Kurbinit. Qyteza shtrihet në një kryqëzim të rëndësishëm rrugësh automobilistike që lidhin portin e Durrësit me Kosovën, kryeqytetin me Shkodrën dhe Malin e Zi, si dhe me autosdradën e kombit, apo edhe me Burrelin dhe Peshkopinë.  Ai ndodhet vetëm 45 km larg nga kryeqyteti dhe 14 km larg nga plazhi i Patokut. Ky i njohur sidomos për plazhin para viteve 90, kur madje disa të rinj nga kryeqyteti tentonin dhe arrinin edhe me biçikleta. Sot kjo zonë njihet dhe frekuentohet më tepër për restorantet e peshkut.

Dikur në Milot, udhëtaret e shumtë që udhëtonin nga Tirana drejt veriut si në Bajram Curri, Kukës Burrel e Peshkopi, ndaleshin aty për një pushim të shkurtër dhe shijonin kafen e famshme të përgatitur nga Maria, e njohur si “Kafja e Maries“. Ndoshta sekreti dhe shija e asaj  gjendej në mënyrën e përgatijes  duke ngrohur pijen e dashur në rërë të nxehtë. Maria punonte në restorantin e quajtuar “Tek  Plepat“, i cili gjendej midis qytetit dhe urës së Zogut. Ajo është përmendur edhe ndër shkrimet dhe shënimet e atyre pak turistëve të huaj që kalonin në ato kohëra në Shqipëri.  Dikur në Milot ka funksionuar “Fabrika e verës dhe e rakisë “, e cila prodhonte verë të cilësise se I, II dhe III, kjo e fundit gjendej shpesh dhe rëndom në treg. Ajo e cilesisë se II diku në restorantet e  kohës, ndërsa vera e cilesisë se I ishte një luks për kohën dhe nuk gjendej në treg. Madje thuhej se kjo verë shkonte deri në bllokun e udhëheqjes.

Miloti ka qenë qendër lokaliteti, dhe madje Laçi, që sot është qendra kryesore urbane e Kurbinit dikur identifikohej si “Laçi i Milotit “. Kjo me qëllim për ta dalluar prej “Laçit të Vaut të Dejës”. Ai njihet edhe për pazarin e tij ku tregëtohen produkte bujqesore, blektorale dhe artizanale. Ky pazar organizohet për çdo ditë të diele. Ai e ka filluar funksionimin që prej viteve 1916-17, pasi u shpërngul në Milot nga fusha Lime e Skurrajve. Miloti është përmendur edhe romanin satirik të shkrimtarit Kole Jakova “Fshati midis ujrave“, botuar në vitin 1979, ku disa prej ngjarjeve të tij zhvillohen edhe në këtë zone si dhe në fshatarat pranë tij. Miloti është një qendër dhe nyje e rëndësishme tranporti. Kështu rrugën automobilistike Milot – Burrel e ka projektuar inxhinier Gjovalin Gajdri, ndërsa ne vitin 1981 përfundoi segmenti i hekurudhes  Laç – Milot – Lezhë . Pas vdekjes së Enver Hoxhës u nis nga Miloti  puna edhe për linjën më të re hekurudhore Milot – Rrëshen – Klos, ku stacioni i Rrëshenit u inagurua ne tetor 1987 . Nga Miloti deri në Rrëshen u ndërtuan 9  ura të mëdha betoni .

Duke u kthyer pas në histori zona e Milotit  ka qenë e banuar që prej kohërave të lashta. Ptolemeu na tregon se kjo zonë banohej prej fiseve ilir të Albanëve. Në periudhat e mëpasme Miloti dhe zona pranë tij u përfshinë në “Principatën e Arbërit”. Ne fund te shekullit XIV Miloti dhe Kurbini u bënë pjesë e principatës së Skurrajve. Periudha e qëndresës së Sknderbeut e radhiti Milotin si mbështetës së luftrave te tij . Gjatë histrorisë së tij është i njohur edhe në përpjekjet për liri dhe ruajtien e identitetit tonë kombëtar si dhe për mësuar gjuhën shqipe. Duke iu referuar kësaj të fundit shkolla e paë shqipe në Milot është çelur në vitin 1900, falë përpjekjeve të imzot Prend Bjankit, arqipeshkv i Durrësit, i cili ndërtoi qelën e Milotit ku pas shumë përpjekjesh dhe pengesash nga qeveria Otomane arriti të hapte shkollën shqipe. Shkollë e cila vijoi aktivitetin deri ne vitin 1915 kur hynë Austro – Hungarezët . Mësues në këtë shkollë ka qenë Dom Ndue Lleshi . Një ngjarje historike për Milotin është akti i ngritjes së flamurit kombëtar në të njëjtën datë me Vlorën, 28 Nentor 1912. Kjo falë kontributit të shquar patriotik dhe luftarak të Gjin Pjetrit te Kurbit, ose Gjin Pjetër Pervizit . I lindur në Skurraj, një nga fshatrat më emblematike të Kurbinit dhe i njohur për traditën e tij zakonore Gjin Pjetri ishte i fisit te Ukasanaj të Skurrajve, ndërsa e ema i vinte nga Kthella e Epërme e Mirditës . Qe i ri ai shquhet për trimëri dhe veprimtari në interes të atdheut duke u vënë në krye të çetave të Kurbinit . Ka patur lidhje me Imzot Prend Bjankin dhe Dom Nikollë Kaçorrin, po keshtu edhe me partiotë të tjerë, shumë prej të cilëve kanë bujtur në shtëpine e tij në Skurraj. Në datë 28 Nëntor 1912, me porosi të Dom Nikollë Kaçorrit dhe në praninë e një populli të madh, mbledhur në qëndër të Milotit, ai sipas të dhënave që ja jep imzot Frano Ilia, mbajti një fjalim elokuent për këtë rast dhe i mbështetur edhe nga 35 vullnetarë të tij i jep flamurin një djali te ri i cili e ngre dhe e lidh atë në degën e nje druri vidhi, që u quajt “ vivi i Kokes “ ( ky ishte mbiemri i djaloshit që ngriti flamurin). Për fat të keq ky dru nuk egziston më në Milot. Ne kuvendin historik të Vlorës, Miloti dhe Kurbini u përfaqësuan nga Dom Nikollë Kaçorri. Gjin Pjetër Pervizi vdiq ne 1914 dhe u varros me nderime të mëdha në kishën e Shën Vlashit në fshatin e tij, Skurraj. Për këtë rast shkroi  “Hylli i Drites „ organ ky që e përmendi sërish në një numër të tijin në 1937.

Pas luftës së dyte botërore Gjin Pjetri nuk u përmend më dhe u la thuajse në harresë. Shkak për këtë u bë nipi i tij Prenk Pervizi Prenk Pervizi . Vetëm 15 vjeçar ai merr pjesë në krah të ungjit të tij në aktin e gritjes së flamurit kombëtar në Milot. Gjatë viteve 1914-18, ai përfundoi Akademinë Ushtrake të Vjenës. Në vitin 1920 merr pjesë në mbrojtien e kongresit historik të Lushnjes. Prenk Pervizi ishte Zogist dhe përkrahu rikthimin e tij në vitin 1924. Më pas në vitin 1930 shkon për studime të mëtejshme kater vjeçare në shkollën e Shtatmadhorisë në Torino të Italise. Me kthimin në Shqipëri, si një ndër gjeneralët më të zotë ai jep ndihmesën e tij në ngritjen dhe modernizimin e mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Gjate luftes Italo–greke ai nuk lejoi që batalioni “Tomorri” me trupa shqiptare të vihej në pozicion luftimi kundra fqinjëve tanë grekë. Ndërkaq në shtator të vitit 1943 me krijimin e qeverisë së rregjencës nën kryesimin e Ibrahim Biçokut, ai emërohet Komandant i Mbrojties Kombëtare. Pjësmarrja në këtë qeveri si dhe qëndrimi i tij i vendosur anti-komunist do t’i kushtonin pozicionimin si armik ndaj qeverisë së  Enver Hoxhës . Në vitin 1946 ai arratiset, fillimsht në Greqi dhe e mbylli jetën në vitin 1977 në Belgjikë. Familja e tij, nën emrin e lufëts së klasave pati pasoja mjaft të rënda nga rregjimi komunist. Kullat e tyre në Skurraj dhe Laç u dogjën dhe familjarët vuajten pasoja me internime dhe burgime të gjata. Miloti është përmendur edhe për famulline e tij. Ne vitin 1953 Imzot Frano Ilia është emëruar famullitar i Milotit. Në shkurt 1967 ai kremtoi meshën e fundit para mbylljes së institucioenve fetare.  Pasi lirohet prej burgut ne 1986, në e shkurt te vitit 1991 kremton meshën e parë pas rihapjes së institucioneve fetare ne Milot . Kjo famulli nuk e ka arkivin e vjetër. Kjo pasi asaj iu konfiskua i gjithë dokumentacioni se bashku me librat, dorëshkrimet, rregjistrat. Një pjesë u bënë pronë e Arkivës së Shtetit dhe një pjesë tjetër humbi.

Nga Miloti ka qenë edhe Andon Deda (Ndoc Deda) njëri prej pesë heronjeve të Vigut, të cilët ranë heroikisht në Buzabardh të Vigut në 21 gusht 1944, duke mos pranuar të dorëzonin armët përballë një rrethimi të pabarabartë . Sot në Milot ngrihet busti i tij.

Miloti i ndodhur në një pozicion mjaft të favorshëm dhe i rrahur nga rrugët duhet të përfitojë sidomos nga shërbimet dhe turizmi. Pranë tij ka një rrjet kishash të cilat mund të promovohen dhe të kthehen në të vizitueshme. Të tilla do te përmendja Kishen e Shna Prendës në Galletë, të Shën Vlashit në Skurraj, të Shën Mëhillit në Malabardh, të Shën Teodorit në Delbnisht së bashku me ndërtesën arkipeshkvnore të tij , kishën e Shëlbuemit në Vilë të Zhejës etj, pa përmendur këtu kishën e Shna Ndues së Laçit e cila ka pelegrinazhin më të madh fetar që organizohet në gjithë vendin tonë . Janë të rinjtë dashamirës së këtyre zonave të cilët me iniciativen e tyre po shënojnë shtigjet qoftë për ecje ashtu edhe për të arritur në këto monumente. Burime të tjera jane banjat e dielit dhe të ujit në lumin Mat pranë Skurrajt , ura e Zogut, e cila këto ditë rreshjesh të mëdha po rrezikon degradimin e saj, ndaj kërkon kujdes konkret për t’u ruajtur. Kulinaria e zonës së Skurrajt sidomos për cilësinë e mishit të kecit që ofrohet në restorante. Skurraj bën pjesë  edhe në projektin qeveritar të “100 fshtarave“ , mundësi kjo për  për një zhvillim të mundshëm.   Investime për përmirësimin e pazarit të Milotit me qëllim kthimin e tij në një aktivitet tërheqës për vizitorët.

Nga zona e Milotit kanë dalë studiues, publicistë dhe artistë të arteve figurative të njohur edhe  ndërkombëtarisht. Për Milotin jane shkruar prej tyre libra dhe guida të mirëfillta turistike ndaj ky shkrim synon të sjellë dhe t’i rikujtojë lexuesit vetëm disa fakte.