Skënder Vaqo Skënderaj: “Dashuria për punën dhe njerëzit më ka udhëhequr gjithë jetën”

605
Sigal

Vlerësohet me titullin “Qytetar nderi i Tepelenës”, Skënder Vaqo Skënderaj, Doktor i Shkencave Mjekësore

Vendimi i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës me propozim të Kreut të Bashkisë së këtij qyteti, Tërmet Peçi, ka vendosur që të nderojë me titullin “Qytetar Nderi i Tepelenës” disa personalitete dhe emra të spikatur në jetën politike e shoqërore parë në ecurinë e viteve e në kontributin që ata kanë dhënë në qytet, në fshatrat e saj e në rrethet e tjera të vendit, ku kanë punuar. Ky organizim është kthyer në një festë të vërtetë popullore. Kryebashkiaku, Tërmet Peçi, ka falënderuar pjesëmarrësit për nderimin që u bën emrave që kanë lënë gjurmë në jetën publike shqiptare dhe me punën e tyre ja kanë lartësuar emrin Tepelenës, si qytet që nxjerr burra zakoni, të fjalës, bukës, punës, besës, penës e pushkës. Ndaj sot nderimi i tyre vjen tek vlerësimi që emri u shkruajt në librin e nderit të Tepelenës. Këngët dhe vallet e grupeve të shumta elektrizuan atmosferën festive dhe të shpërndara nëpër ujërat dhe rrepet e Drinos e Vjosës, si dy krahët e shqiponjës, flladitnin kodrat heroike të kësaj treve të djegur e përvëluar nga baroti i luftërave shekullore, por edhe të lulëzuar nga djersa e punës, ashtu si dhe të lënguara nga dhimbja e kurbetit. Mes emrave të vlerësuar me këtë titull të lartë spikaste edhe emri i mjekut Skënder Vaqo Skënderaj. E veçuam këtë emër për vet faktin se, duket hulumtimi dhe vëmendja e bashkisë dhe z.Tërmet Peçi, që në eksplorimin e vlerave dhe traditave, të mos shpëtojë asnjë detaj dhe personazh. Dhe Skënder Skënderaj vetëm origjinën ka nga Salaria heroike e Tepelenës, se aktivitetin e ka kryer në rrethe të ndryshme dhe kryesisht në Tiranë.

Vlerësime

Për aktivitetin e tij foli kolegu i Skënderit, Shyqiri Manaj. Në fjalën e kolegut, për kolegun u sollën momente nga jeta dhe puna e këtij intelektuali, duke e cilësuar si krenarinë e të gjithëve veprën e doktor Skënderit dhe këtë e tregon edhe pjesëmarrja në aktivitetin ceremonial nga gjithë Shqipëria. “Kam me Skënderin një njohje të hershme, që nis qysh prej vitit 1956. Shumë edhe nuk e njohin portretin e këtij intelektuali të palodhur, të nderuar e respektuar. Që nga mbarimi i Fakultetit të Mjekësisë më 1966 emërohet në Drejtorinë e Higjienës Vlorë dhe suksesi i tij i karrierës që pas tre vjet pune i diplomuar, emërohet pedagog në UT, në katedrën e higjienës. Puna si pedagog e karakterizoi doktor Skënderin me humanizmin e mjekut, dashurinë dhe respektin për studentin, kërkesa e llogarisë dhe disiplina, ndihma ndaj kolegëve dhe shumë cilësi të tjera që e nderojnë dhe lartësojnë emrin dhe veprën e tij. Sa e sa breza mjekësh kanë dalë prej duarve të tij dhe sa e sa të sëmurë janë shëruar, që sot, të pranishëm ose jo, në një fare mënyre dërgojnë falënderime dhe mirënjohjen e tyre. Por krahas këtyre obligimeve nuk ju nda edhe punës kërkimore e shkencore duke e konkretizuar në vitin 1981 me titullin “Kandidat i shkencave mjekësore”, më 1988 fiton titullin “Docent” dhe më 1989 titullin Doktor i Shkencave Mjekësore. Puna e tij kërkimore shkencore ka sjell në dritën e botimit edhe shumë studime e tekste të profilit të tij profesional si tekste dhe udhëheqës për praktikën e higjienës, “Higjiena e përgjithshme” (2 pjesë), “Higjiena dhe parazitologjia”, “Higjiena e përgjithshme për studentët e stomatologjisë”, “Dëmtimet nga plumbi dhe mbrojtja kundër tij”, “Helmimet industriale” dhe shumë studime e botime të tjera me vlerë në fushën e mjekësisë, e sidomos asaj të higjienës. Puna e tij nuk ka reshtur edhe në auditorët e jashtme shkencore, kjo edhe falë punës si shef i katedrës së higjienës dhe sëmundjeve profesionale. Dashuria për punën dhe njerëzit, ecja në gjurmët e traditës së fshatit tij të origjinës, Salarisë, e bënë Doktorin e Shkencave Mjekësore, Skënder Skënderaj “Qytetar Nderi të Tepelenës”,- tha Shyqiri Manaj mes të pranishëmve. Festa, e kthyer në gëzim popullor, u mbyll me urime dhe me një mesazh se, kur bluzat e bardha meritojnë një herë respekt, populli ta kthen 10-fishin dhe të vendos në librin e nderit.