Skema e vjedhjes përmes mikrokredive/ Masa për 9 persona, si iu sekuestruan 22 hektarë tokë qytetarit që u përfshi në listën e kreditorëve të këqij

14
Sigal

Vehtim Karajt dhe personit që hyri garant për kredinë që ai mori iu sekuestruan 22 hektarë tokë, për shkak se duke mos patur mundësi të shlyejë 1 milionë lekë u përfshi në listën e kreditorëve të këqinj.

Emri i tij së bashku me dhjetëra të tjerë, janë në listën e dëshmitarëve të prokurorisë së Tiranës që në krye të katër viteve hetimore ka zbërthyer se si pesë institucione financiare morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Por më pas duke përdorur skemën detyruese që konsiderohet si vjedhje, kanë imponuar qytetarët të rimerrnin kredi ndonëse nuk kishin mundësi dhe ndërkohë që përmes shoqërive përmbarimore ju bllokonin shtëpitë, automjetet, tokat dhe rrogat.

Tre shoqëritë përmbarimore, Zig , Star FS dhe Flash dhe dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Adca dyshohen se kanë vepruar si një etnitet i vetëm, duke aplikuar kamata vonese nga 2 deri në 8 për qind. Në një rast shtetasi Tomor Hidaj që kishte marrë dy kredi, dyshohet se u mashtrua për të shlyer detyrimin e mbetur, pasi i ishte premtuar se duke marrë një të tretë do ti lehtësoheshin kushtet për pagesën e kësteve. Në rrethin vicioz të kredisë së re është futur edhe Hysni Troci, që katër ditë përpara se të mbyllte detyrimin final është detyruar të firmosë kontratë të re.

Ky hetim i prokurorëve të Tiranës Ndini Tavani dhe Arben Agovi, u finalizua në të njëjtën kohë kur një prokuror i tretë Leonard Filopati ka shpallur mos kompetencën për skandalin e mikrokredive dhe kërkon hetime nga SPAK për dyshimet e një grupi të strukturuar kriminal, si edhe të shpërdorimit të detyrës ndaj zyrtarëve të bankës së Shqipërisë që nuk ndërhynë duke vendosur rregulla.

Gjykata ka aprovuar nëntë masa sigurie pesë prej të cilave janë arrest me burg ndaj Aldo Dakës, Albert Gegës, Edmond Matos, Arben Meskutit, dhe Alban Kotes i shpallur në kërkim. Kejda Seferi, Elda Ibro, Alketa Tanushi, dhe Jodisa Dervishi janë nën arrest shtëpiak.

Prokuroria tha se shoqëritë përmbarimore nuk I kanë dorëzuar dosjet, me një total prej 5700 dosje që vijojnë të rëndojnë direkt mbi interes e qytetarëve, me një shifër prej 17 mijë individësh të prekur nga ky skandal.