Skema e agjencive me qiratë në Tiranë: “Ti e mban me 450€ , unë e nxjerr me 700€”

38
Sigal

Denoncimi i një qytetari nxjerr në pah një tjetër mënyrë abuzimi që po ndodh përditë me qiratë në Tiranë – këtë herë jo nga pronarët, por nga vetë agjencitë imobiliare.

Qytetari tregon se kishte parë një apartament të shpallur për qira nga tre agjenci të ndryshme, por me çmime të ndryshme për të njëjtën shtëpi: nga 450 euro deri në 700 euro. Në tentativë për të kuptuar pse ndodhte kjo, ai kontakton me pronarin. Por përgjigjja ishte më skandaloze sesa çmimi vetë.

Fjalët e pronarit sipas qytetarit ishin:
“Agjenti më tha: ‘E jap unë shtëpinë tënde më shtrenjtë se ç’e kërkon ti dhe na del për hajër të dyve – ti merr më shumë lekë, unë më shumë komision.’”

Pra, nuk është më pronari ai që përcakton çmimin e qirasë, por agjenti që, meqë do të marrë përqindjen, ka interes ta rrisë sa më shumë. Në këtë skemë, humbësi i vetëm është qytetari që kërkon të gjejë një banesë për të jetuar.

Ironikisht, agjencia që teorikisht duhet të ndihmojë në gjetjen e një marrëveshjeje të ndershme, në realitet po sillet si ndërmjetës me mision të vetëm: të fryjë çmimin për të fryrë xhepin.

Këto praktika po shkatërrojnë totalisht logjikën e tregut. Në vend që çmimi të reflektojë vlerën reale të një banese, ai vendoset sipas tekave të atij që pretendon se “di me shit”.

Sot në Shqipëri, mund të shohësh të njëjtën shtëpi në dy faqe, njëra me titull “apartament komod me çmim të arsyeshëm”, tjetra “luksoz, vetëm për klientë seriozë”. Në të vërtetë, është po ajo kuzhinë me mobilje të 2005-ës dhe dritare që nuk mbyllen mirë.

Mesazhi i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ, shoh një shtëpi në Tiranë me tre agjenci imobiliare të ndryshme dhe e njëjta shtëpi kishte çmime të ndryshme qiraje me të treja agjencitë: 450–700 euro. Pronari i shtëpisë më thotë tekstualisht: “Agjenti më ka ardhur, më ka thënë: ‘E jap unë shtëpinë tënde me qira më shumë se sa kërkon ti dhe na bëhet mirë të dyve, se edhe unë marr më shumë komision dhe ti merr më shumë lekë.”