Skandali me paratë e kontributeve në shkolla; drejtorët, miliona lekë abuzime

438
Sigal

ELBASAN/Denoncimet e prindërve në DAR. Me donacionet janë bërë udhëtime turistike, deri automjete private

Një tjetër skandal duket se do të tronditë sistemin arsimor në Elbasan. Bëhet fjalë për abuzimet e drejtorëve të shkollave 9-vjeçare me paratë e kontributeve të nxënësve dhe sponsorizimeve të ndryshme. DAR Elbasan dhe drejtoreshës së re, zonjës Jonida Cungu, prej disa ditësh kanë nisur t’i shkojnë informacione nga kolektiva mësuesish dhe prindër, mbi shpërdorimet e fondeve të shkollave nga drejtorët e shkollave. Fondet e mbledhura nga detyrimet vjetore të nxënësve dhe sponsorizimet e ndryshme, duhet patjetër sipas ligjit dhe udhëzimeve nga MASH, të përdoren për nevojat e qëllimet e shkollës. Por ka ndodhur e kundërta, paratë në shumicën e shkollave janë shpërdoruar.

Ata janë përdorur nga drejtorët e shkollave të qytetit dhe fshatrave, për udhëtime private, për blerje artikujsh që kurrë nuk kanë mbërritur në klasat e shkollave. Madje, dikush ka blerë edhe makinë për familjen e tij. Skandali do të marrë përmasa të mëdha, në qoftë se, DAR dhe drejtoresha e sapo emëruar, zonja Jonida Cungu do të marrin masa urgjente për largimin dhe qarkullimin e të gjithë drejtuesve të shkollave, të gjithë pa asnjë përjashtim të implikuar në këto denoncime. Nga ana tjetër prej 8 vitesh, drejtorët e shkollave 9 vjeçare të qytetit dhe fshatrave, duke mos përjashtuar edhe ata të shkollave të mesme, janë emëruar pa konkurs, mbi baza militanteske dhe politike nga dega lokale e PD Elbasan. DAR dhe drejtuesja e re zonja Cungu, duhet të nisin pa asnjë minutë vonesë, bazuar edhe tek akt-raporti i ekipit të kontrollit nga MASH ardhur një muaj më parë në shkollat e Elbasanit largimin e këtyre pseudo drejtuesve që kanë vite që shkatërrojnë e përvetësojnë çdo gjë. Duhen nxjerrë urgjentisht para ligjit dhe duhen larguar përgjithmonë nga sistemi arsimor të emëruarit nga politika, të cilët i kanë shkatërruar shkollat, duke stimuluar hapur madje edhe sjelljet rrugaçeske të nxënësve problematikë. Prej disa ditësh DAR dhe drejtuesja e re zonja Cungu po marrin denoncime nga  kolektiva mësuesish dhe prindër ndaj drejtorëve dhe disa nëndrejtorëve të shumicës prej shkollave 9 vjeçare në qytetin e Elbasanit dhe fshatrat e tij. Ata akuzojnë drejtuesit e shkollave që prej vitesh janë bërë palë me individë jashtë ambienteve shkollore, duke krijuar probleme serioze në sjelljet e nxënësve brenda klasave dhe mbarëvajtjen e mësimit. Paaftësia e tyre ka rritur aktet rrugaçeske në shkolla, dhe ka ulur qëllimisht figurën e mësuesit. Në shkollat e Elbasanit në vitet e fundit janë konstatuar nga policia akte të rënda vandale nga nxënës dhe individë jashtë këtyre ambienteve të cilët gjatë hetimeve, kanë rezultuar se kanë pasur lidhje dhe mbështetje edhe nga drejtuesit e shkollave. Nga ana tjetër, veç këtyre problemeve serioze që kanë vite që lindin në shkolla kryesisht të sistemit 9 vjeçar, llogariten në miliona lekë abuzimet me paratë e mbledhura nga nxënësit dhe donacionet e ndryshme private. Tashmë i mbetet DAR  dhe ekipit drejtues të ri të ndalen seriozisht tek këto denoncime dhe tek këto problematika të marrin masat urgjente për të ndalur rrënimin e shkollave. Në të kundërt, sistemi arsimor në Elbasan pritet të gjendet në udhëkryq mes shumë problemeve, të cilat tashmë janë kthyer në shqetësim për kolektivat e mësuesve dhe prindërit e shumicës së nxënësve.