Skandali i mbetjeve spitalore

273
Sigal

Mbeturinat toksike që dalin nga spitalet dhe ato farmaceutike përfundojn nëpër lumenj, toka bujqësore dhe gropa të fshehta duke helmuar, ujin, peshkimin dhe produktet ushqimore.

Pavarësisht hetimit inceneratorët ku janë dënuar zyrtarë të PS,  ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk tërhiqet nga metoda e incenerimit për mbetjet.

 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur sërish për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve spitalore”.Aktualisht kërkesat që duhet të plotësohen për menaxhimin e këtyre mbetjeve rregulloren me një rregullore të vitit 2010 të miratuar nga qeveria e mëparshme. Kuadri i ri ligjor që është në fazë konsultimi u prezantua edhe në vitin 2019, por projektvendimi në atë periudhë nuk u miratua. Në projektvendimin e prezantuar për konsultim në 2019 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit 3 ishin mënyrat e trajtimit të mbetjeve spitalore, si: dezinfektimi, sterilizimi dhe incenerimi.

Projektvendimi i ri përcakton zbatimin e dy metodave për trajtimin e mbetjeve spitalore, metodat e standardizuar dhe llojet e zakonshme të teknologjive për trajtimin e mbetjeve spitalore, që përfshijnë edhe teknologjinë me djegie nëpërmjet inceneratorëve. Pavarësisht situatës së rënduar financiare që është krijuar me inceneratorët, ku fillimisht nisën hetimin për dy inceneratorët, atë të Elbasanit që punoi vetëm një vit dhe Fierit që ka përfunduar, por nuk është vënë asnjëherë në punë. Për inceneratorin e Tiranës, ende nuk janë ndërprerë pagesat, edhe pse ndërtimi i tij nuk ka përfunduar, ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk tërhiqet nga metoda e incenerimit për mbetjet.

Trajtimi i mbetjeve spitalore të kryhet me metoda të standardizuara.

Proceset bazë për trajtimin e mbetjeve spitalore. Termik: ky proces përdor energjinë termike për të shkatërruar patogjenët në mbetje.

Teknologjitë termike pa djegie

– Trajtimi kryhet përmes nxehjes së mbetjeve nga avulli nën presion; e integruara (ose autoklava të avacuara apo autoklava hibride) – kombinojnë trajtimin me avull me procese të tjera mekanike si ngjeshje, copëtim, grirje, para, gjatë ose pas trajtimit; me mikrovalë – kryhet përmes veprimit të nxehtësisë dhe avullit të lagësht të gjeneruar nga energjia e mikrovalës; me nxehtësinë e fërkimit – përdor nxehtësinë e fërkimit të plotësuar nga ngrohësit me rezistencë për të nxehur mbeturinat, ndërkohë mbetjet coptohen në kokrriza të thata.

Sistemet e nxehtësisë së thatë – nxehtësia aplikohet pa shtuar avull ose ujë. Mbetjet nxehen nëpërmjet përçimit, konveksionit natyror ose të detyruar dhe/ose rrezatimit termik.

Teknologjitë kimike. Hidroliza alkaline – shndërron mbetjet patologjike në një tretësirë ujore të dekontaminuar.

Teknologjitë me djegie. Incineratorët – trajtimi bazohet në procesin e oksidimit të thatë dhe temperaturës së lartë ,që kthen mbetjet organike dhe të djegshme në lëndë inorganike dhe të padjegshme dhe që rezulton në një reduktim të ndjeshëm të vëllimit dhe peshës së mbetjeve “në përputhje me VKM 178/2012 “Për incenerimin e mbetjeve””, përcaktohet në shtojcën 6 që përcakton metodat për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Ndër të tjera projektvendimi saktëson në pjesën e parë të tij detyrimet që kanë prodhuesit e mbetjeve spitalore çka i bën ata përgjegjës për grumbullimin e veçantë të tyre, ambalazhimin, etiketimin dhe magazinimin si dhe transportin së bashku me trajtimin dhe asgjësimin e tyre. I njëjti vendim përcakton se duhet të merren masa të sigurisë së personelit, përpilimin e një plani menaxhimi, mbajtjen e një regjistri për mbetjet e prodhuara dhe trajtuara dhe në fund edhe shpenzimet menaxheriale dhe dëmet që mund të shkaktohen nga ky aktivitet.

Sipas draftit çdo prodhues i madh i mbetjeve spitalore duhet të regjistrohet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Po kështu çdo prodhues i mbetjeve spitalore duhet të njoftojë me shkrim Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, brenda 30 ditësh, në rast ndryshimesh në strukturën e pronësisë, emërtimin, vendndodhjen, mënyrën e veprimtarisë ose për ndonjë ndryshim në veprimtarinë e tij, që mund të ketë ndikim në llojin dhe sasinë e mbetjeve spitalore të krijuara.

Drafti i vendimit që është në fazë konsultimi parashikon në një pjesë të tretë të tij të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Në total kjo përfshin 9 pika që nis me detajet e kontaktit të personave përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve përshkrimin e përgjithshëm të mbetjeve që prodhohen siguria dhe trajnimi i personelit procedurat e emergjencës apo masat që merren për zbatimin tërësor të planit. Plani i menaxhimit duhet të rishikohet jo më vonë se çdo 3 vjet.

box         

Ndotësit e mbetjeve farmaceutike dhe spitalore i shmangen drejtësisë

Autoritetet kanë bërë shumë pak për të vënë përpara drejtësisë personat përgjegjës për hedhjen e përsëritur në hapësira publike të mbetjeve të rrezikshme, të cilat kërcënojnë shëndetin e shqiptarëve. Rreth 1 ton barna të skaduara ishin hedhur gjatë natës në mënyrë të paligjshme dhe një pjesë e mirë e tyre kishte përfunduar në rrjedhën e lumit Tërkuzë, i cili përdoret për vaditjen e produkteve bujqësore të zonës. Në Shqipëri prodhohen çdo vit 2 mijë deri 3 mijë ton mbetje spitalore, të cilat asgjësohen në shumicën e tyre në autoklavat e vendosura në spitale si dhe nga kompani të licencuara, që kanë lidhur kontrata me to. Raporti i Eden, i cili mbulon menaxhimin e mbetjeve spitalore në 5 qytete të vendit vuri re se një pjesë e mirë e prodhuesve të vegjël i hedhin mbetjet e lëngshme në tualet, në koshat e qytetit ose në hapësira publike në periferi të tyre.