Skandal, terminali i ri i pasagjerëve pikon në 40 vende, udhëtarët lëvizin me çadra

593
Sigal

DURRËS/ Cilësia e dobët e punimeve. Inaugurimi i Terminalit, ku u investuan 22 milionë euro u bë në muajin korrik

Kanë qenë shirat e shumta që kanë rënë dhe që kanë bërë edhe bankëprovën e cilësisë së dobët të ndërtimeve të çatis së terminalit të ri të sapo përfunduar në sheshin e trageteve në qytetin e Durrësit. Pasagjerët që kanë udhëtuar gjatë ditëve të shirave të shumtë që kanë rënë me rrebeshe, kanë qenë të detyruar që brenda mjediseve të terminalit të përdorin çadra ose të gjejnë zona që nuk pikonin rrëketë e shiut për t’u mbrojtur. Burime nga Porti i Durrësit kanë bërë me dije se çatia e terminalit ka rrjedhur ujë përgjatë gjithë netëve dhe ditëve që ka pasur reshje shiu sa që janë detyruar të bëjnë me shpejtësi edhe largimin e aparaturave komjuterike nga operatorët e bizneseve si të kompanive të lundrimit, të doganës dhe APD. Largimi i tyre është bërë që të ruhen këto pajisje të domosdoshme nga dëmtimi që mund tu shkaktonte lagështia e tepërt.

Investimi

Terminali që ka konsumuar për tu ndërtuar rreth 22 milionë euro, ose rreth 7 milion euro më shumë nga projekti paraprak është përuruar më 12 korrik të këtij viti, rreth 2 vite më vonë nga projektet e mëparshme. Shtesat në fonde dhe në pagesa nuk kanë shërbyer për të ndërtuar një çati cilësore dhe kjo është parë me nota kritike edhe nga APD. Drejtori i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu ka deklaruar gjatë kësaj jave se këtë situatë po e ndiqnin me shqetësim dhe se për këtë ata kanë kërkuar që të bëhet ngrirja e fondit prej 3 milionë eurosh, që lihet si garanci nga firma fituese e tenderit në Bankë. Ai ka bërë me dije se APD është brenda garancisë prej një viti dhe se për këtë firmës ndërtuese “Vega” i janë  bllokuar në bankë rreth 3 milionë euro dhe se këto shuma parash do të përdoren për riparimin e çatisë që pikon. Ndreu ka bërë me dije se për këtë shqetësim është vënë në dijeni si firma që ka bërë ndërtimin e çatisë ashtu edhe supervizorin e punimeve, sepse kjo është një situatë skandaloze. Ai ka deklaruar se për këtë situatë të rëndë është vënë në dijeni edhe Ministria e Transporteve, sepse atje është bërë edhe tenderi.

Projekti

Terminali i ri i pasagjerëve në Durrës ka një shesh prej rreth 65 mijë m2 sheshe, ndërsa ndërtesa, e cila është e mbuluar që shërben si terminal është rreth 4500 m2. Në të ndodhen10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për pasagjerët me autovetura, si dhe 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionët.

PSE U MORR NË DORËZIM INVESTIMI?!

Ndërtesa prej 4500 metra katror u konstatua se rrjedh ujë nga çatia drejt e në kokat e pasagjerëve gjatë shirave dhe duke u nisur nga shpenzimet e mëdha që janë bërë, ky mund të cilësohet si papërgjegjshmëri ose më saktë skandal i madh, pasi si është e mundur që një investim i këtij niveli është marrë në dorëzim me këto defekte që i nxori në dritë koha e keqe e këtij muaji. Ka pasur mbi 30-40 vende, ku ujërat kanë rrjedhur lirshëm, kanë deklaruar punonjësit brenda mjediseve të terminalit.

OPERATORËT HEQIN ZYRAT NGA TERMINALI

Personeli i shërbimit të policive të ndryshme që operojnë në këtë sektor si dhe doganierët kanë treguar se pasagjerët mbeten me çadra mbi kokë dhe doganierët kanë bërë tërheqjen e nga zyrat që ndodhen në terminal, sepse ujërat që binin nga çatitë që pikonin ua rrezikonte aparaturat elektronike dhe dokumentacioni. Po kështu edhe sportelistët e policisë brenda në terminal hoqën kompjuterat nga sportelet, sepse çatia rridhte pa pushim dhe më pas lagështia që do të krijonte kishte rrezik për ta.