“Përgjegjës i Sektorit të Vetting-ut, në Drejtorinë e Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale, në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar”, u emërua me diplomë fallco
Marrëzia në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) me diplomën e falsifikuar. Në shkresën e saj Ministria e Arsimit dhe Sporteve me numër 10077/1 Prot., datë 16.12.2015 bënë me dije se: ”Diploma e lëshuar në përfundim të këtij programi nuk është e vlefshme në Republikën e Shqipërisë”.
![]()
Një histori e errët korrupsioni dhe shpërdorimi të detyrës po trazon themelet e një nga institucionet më të ndjeshme të sigurisë shtetërore në Shqipëri. Delor Plaka, aktualisht Përgjegjës i Sektorit të Vetting-ut në Drejtorinë e Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale të AKSIK-ut (ish-DSIK), ka përdorur me dashje një diplomë Master Shkencor të pavlefshme për të siguruar vende pune dhe promovime, duke shkaktuar dëm financiar për shtetin dhe duke minuar besueshmërinë e proceseve të sigurisë. Madje, ai po garon sot për pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Administrimit dhe Sigurisë Fizike të Informacionit, me mbështetjen e dyshimtë të zyrtarëve të lartë. Kjo çështje nxjerr në dritë një zinxhir abuzimesh, ku eprorët si Mark Ndreca, Klarita Bejko dhe të tjerë duket se kanë mbyllur sytë ndaj paligjshmërisë, duke lejuar një individ me histori të tillë të mbajë certifikata sigurie dhe të ushtrojë funksione kritike.
Sot, më 13 Tetor 2025, z. Delor Plaka po garon për pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Administrimit dhe Sigurisë Fizike të Informacionit në AKSIK, me shpalljen nr. 7224 në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike (DAP). Si është e mundur që një individ me histori të tillë të ketë “mbështetjen e plotë” të zyrtarëve si Jani, Ndreca dhe Bejko.

Kronologjia e Skandalit: Nga Diploma e Pavlefshme te Promovimi i Pavlefshëm
Fillimi i Karrierës me Dokument Fals (2012-2016): Delor Plaka filloi punën në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) më 17 prill 2012, si nëpunës civil në Drejtorinë e Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale. Në deklaratën e tij, ai pretendoi se ishte diplomuar me Master Shkencor në Fakultetin e Universitetit “A.U.” më 22 tetor 2012 një datë paradoksale, pasi ai kishte filluar punën para se të “diplomonte”. Bazuar në këtë dokumentacion tërësisht të pavlefshëm, Plaka u pagua rregullisht nga institucioni deri më 3 maj 2016, duke përfituar një pagë shtetërore për vite të tëra pa kualifikim të vërtetë. Në shkresën e saj Ministria e Arsimit dhe Sporteve me numër 10077/1 Prot., datë 16.12.2015 bënë me dije se: ”Diploma e lëshuar në përfundim të këtij programi nuk është e vlefshme në Republikën en Shqipërisë”
Pranimi i Pavlefshmërisë dhe Kthimi i Parave (2016): Pas zbulimit, Plaka i dërgoi një memo Drejtorit të Përgjithshëm të kohës, Arben Seferit, përmes eprorit të tij, Mark Ndrecës (Drejtor i Drejtorisë së Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale). Në këtë memo, ai pranoi hapur se diploma ishte e pavlefshme. Seferi, në bashkëpunim me specialistët Marsida Fetishi (Sektori Juridik dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare) dhe Myrtezan Kollçakun (Shef i Financave), përmes Ramadan Çaços (Drejtor i Drejtorisë së Financave), lëshoi një memo protokollare nr. 3, datë 8 janar 2016, me temë “Për trajtimin financiar dhe administrativ të një nëpunësi të DSIK”. Kjo çoi në dy akte zyrtare: Urdhri “Për shlyerjen e një detyrimi”, nr. prot. 65, datë 15 janar 2016, dhe Akt-Marrëveshja nr. prot. 119, datë 19 janar 2016. Si pasojë, Delor Plaka u detyrua të kthente të gjithë shumën e përfituar nga 2012 deri në 2016, një dëm i madh financiar.

Beteja Gjyqësore kundër Universitetit (2016-2017): Jo i kënaqur, Plaka paditi “A.U” në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjykata e rrëzoi padinë me vendimin nr. 3735, datë 4 maj 2016. Megjithatë, Gjykata e Apelit, me relatore Maria Qirjazi, ndryshoi vendimin me aktin nr. 4591/1896 dhe vendimin nr. 2457, datë 15 nëntor 2017, duke i dhënë të drejtë Plakës dhe duke urdhëruar dëmshpërblim. Kjo fitore gjyqësore nuk e zhbën dot faktin se diploma ishte e pavlefshme një detaj që Plaka e dinte mirë.
Promovimi i Dyshimtë me të Njëjtën Diplomë (2017): Edhe pse në dijeni të plotë të pavlefshmërisë, Plaka ripërdori të njëjtën diplomë të falsifikuar në konkursin e shpallur me shkresën nr. 1568 të vitit 2017 nga DSIK, për pozicionin “Përgjegjës i Sektorit të Vetting-ut” në Drejtorinë e Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale. Ai fitoi garën dhe u emërua menjëherë. Kjo procedurë u mbështet nga eprorët e tij: Mark Ndreca (epror direkt), Klarita Bejko (Drejtoreshë për Burimet Njerëzore) dhe Luelda Lika (Specialiste e Burimeve Njerëzore). Si u lejua një dokument i njohur si fals të kalonte në një konkurs publik? Kjo ngre dyshime të forta për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe mashtrim, me pasoja të rënda.

Konflikte Interesi dhe Abuzime të Tjera: Si Trajtohen Të Tjerët?
Në analogji të hidhur, Plaka dhe Ndreca kanë refuzuar ose hequr Certifikatat e Sigurisë së Personelit (CSP) për individë të tjerë që, nga neglizhenca, kanë lënë pas një të dhënë të parëndësishme në procesin e verifikimit. Por për rastin e Plakës, diploma e falsifikuar nuk ka penguar as mbajtjen e CSP-së, as promovimet. Kjo bie ndesh me Ligjin nr. 10/2023 “Për Informacionin e Klasifikuar” dhe Vendimin nr. 731, datë 27 nëntor 2024, që kërkojnë provueshmëri absolute të besnikërisë, besueshmërisë dhe sigurisë për pajisjen ose mbajtjen e CSP-së. Për më tepërm, Plaka mban një pozicion të dyfishtë: Përveç rolin kryesor në AKSIK, ai punësohet si specialist ose ekspert i jashtëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve (DPB). Një konflikt i qartë interesi, pasi DPB-ja nuk ka mungesë kandidatësh për ekspertizë. Kjo shkel Ligjin nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil” dhe Ligjin nr. 9367/2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”.
Si Konkuron Një “Falsifikues” për Drejtor Sigurie?
Sot, Plaka po garon për pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Administrimit dhe Sigurisë Fizike të Informacionit në AKSIK, me shpalljen nr. 7224 në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike (DAP). Si është e mundur që një individ me histori të tillë të ketë “mbështetjen e plotë” të zyrtarëve si Jani, Ndreca dhe Bejko? Kjo jo vetëm që përbën falsifikim dokumentesh dhe mashtrim (sipas Kodit Penal), por edhe rrezikon sigurinë kombëtare, duke vendosur në pozicione kyçe dikë që nuk plotëson kriteret bazë etike dhe ligjore.
Kërkesë për Hetim të Menjëhershëm
Kjo histori nuk është thjesht një abuzim individual është një sistematikë e korrupsionit në institucionet e sigurisë, ku zyrtarët e lartë mbrojnë njëri-tjetrin është një sistem i prishur ku siguria shtetërore mbrohet nga të paaftë dhe falsifikatorë.
Këto veprime përbëjnë elemente penale të falsifikimit, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës, me dëm të drejtpërdrejtë për buxhetin dhe sigurinë kombëtare. Autoritetet duhet si SPAK-u, që duhet të nisin menjëherë një hetim të plotë. Që mund të garantohet siguria e informacionit të klasifikuar kur ata që e menaxhojnë kanë histori të tillë?
Shënim: Ky material bazohet në dokumente zyrtare dhe dëshmi të dorëzuara në redaksi, e cila fton autoritetet për verifikim dhe transparencë të menjëhershme. Madje një Kallzimin Penal për këtë çështje është bërë edhe në organet e SPAK-ut, dhe ne do botojmë në ditët në vijim për: Z. Altin Jani, Z. Mark Ndreca, Z. Delor Plaka Znj. Klarita Bejko Znj. Luelda Likaj , drejtues në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) dhe drejtorinë e Vetting-ut dhe Sigurisë Industriale.






















