S’ka vende në varrezat e Cërrikut, të vdekurit rrezikohen të mbesin mbi tokë

483
Sigal

 Kryebashkiaku Dusha: Kemi bërë projektin dhe presim nga qeveria 5 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

Nëse projekti i Bashkisë së Cërrikut për blerjen e një sipërfaqe shtesë për varrezat e qytetit nuk do të mbështetet me fonde, në një të ardhme shumë të afërt, të vdekurit në këtë qytet nuk mund të prehen të qetë nën tokë. Kjo, pasi në varrezat aktuale të këtij qyteti nuk ka vend në për varreza. “Ka kohë që ne kemi hartuar projektin, kemi rënë pothuaj dakord me pronarët e tokës për të zgjeruar varrezat ekzistuese dhe i kemi kërkuar shumën 5 milionë lekë qeverisë për realizimin e projektit. Nëse ky fond vonohet, situata bëhesh shumë kritike”- pohon për “Telegraf”, Server Duzha, kreu i Bashkisë së Cërrikut.

 SITUATA

Burimet nga Bashkia e Cërriku pohojnë për gazetën “Telegraf” se, nuk ka më as një pëllëmbë vend bosh tek varrezat e qytetit. Kështu, njerëzit që do të vdesin në të ardhmen, rrezikojnë të mbeten mbi dhe ose  qytetarët t’i varrosin në tokat e tyre. Në një prononcim për gazetën, Servet Duzha, kreu i bashkisë thotë se: “Ka kohë që kemi probleme me vendin e varrezave. Toka që ka bashkia në pronësi për ‘to është mbushur dhe nuk ka mbetur më as dhe një pëllëmbë tokë e pa zënë. Ne e kemi analizuar këtë situatë dhe kemi arritur në konkluzion se kërkohet një zgjidhje e me një hershme, në mënyrë që të mos vihemi përpallë një situate pa zgjidhje”. Duzha shprehet se, ka bërë një projekt me një vlerë 5 milionë lekë për këtë problem. Meqë vendorët nuk kanë të ardhura për të mbuluar këtë shumë, i është kërkuar mbështetje financiare qeverisë.

“Projekti para shikon që me këtë shumë të blihet një sipërfaqe prej 5 dynym tokë, duke zgjidhur këtë problem për disa kohë. I kemi kërkuar qeverisë që të na e miratoj sa më shpejt këtë fond”- shton krye vendori i qytetit të Cërrikut. Më tej Duzha shton se, “I bëj apel qeverisë të ndihmoj sa më shpejt, që të mos e vonojnë miratim e këtij projekti pasi ky projekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për bashkinë, por për të gjithë qytetarët”.

 QYTETARËT

Banorët thonë se, nuk kanë lënë dyer të shtetit pa trokitur, por deri tani, me gjithë premtimeve (sidomos në fushatën elektorale të fundit), asgjë nuk po bëhet. “Është një problem shqetësues për të gjithë, për më shumë se 15 mijë banorë. Kemi halle mbi halle, një mijë halle kemi. Po ky është hall mbi hall. Se vdes, ndahesh nga kjo jetë, e nuk gjendet një metër tokë e lirë që të prehesh në ‘të. Duhet një zgjidhje e shpejtë, pasi njerëz jemi e siç kemi lindje, do të kemi edhe vdekje. Por në rast vdekje, nuk kemi, ku t’i varrosim njerëzit tanë. Situata është e tillë sa po nuk u ndërhy shpejt, të vdekurit do të mbeten pa varr. Ose nga halli, jemi të detyruar që ti varrosim nëpër oborre apo në parcelat e mbjella me kultura bujqësore. Kjo do të jetë e rëndë, por nuk na mbetet zgjidhje tjetër”,- pohon 60-vjeçari E. Xhelili.