Situata me plehrat ende pa zgjidhje në Durrës, pas qytetit mbetjet ‘pushtojnë’ rrugët në fshatra

230
Sigal

Duket e pashpresë situata me plehrat në Durrës.

Situata është e rëndë, me plehrat që po dekompozohen mbi trotuare dhe brenda kazanëve nën temperatura përvëluese, por tashmë duket se e njëjta situatë po përfshin edhe periferinë e qytetit bregdetar.

Plehrat kanë ‘pushtuar’ edhe rrugët periferike. Duke patur parasysh edhe temperaturat e larta të verës, këto plehra përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve, pasi infeksionet rrezikojnë të përhapen prej dekompozimit të mbeturinave nën temperaturat 40 gradë Celsius.

Durrësi duhet të ofronte një imazh komplet tjetër këtë sezon turistik, për më tepër që vjen pas dy viteve të vështira prej tërmetit dhe pandemisë.

Por panorama që ofron qyteti bregdetar është tej mase larg atij që duhet të kishte një bashki që turizmin e konsideron motorin e ekonomisë.

Qytetarët dhe turistët janë dëshmitarë të pamjeve të shëmtuara të rrugëve të qytetit, ku grumbujt me mbeturina dergjen trotuareve, pasi kazanët janë të tejmbushur.