Si të silleni me një shef toksik

264
Sigal

Një shef toksik është ai me të cilin keni frikë të flisni ose t’i kaloni pranë. Ky lloj shefi mund t’ju ​​bëjë të ndiheni të parëndësishëm. Ai/ ajo është arrogant, nervoz, aspak fleksibël dhe mund t’i ndryshojë humorin të gjithë punonjësve thjesht sapo shfaqet në derë. A po e lidhni përshkrimin e mësipërm me dikë që njihni?

Një studim kërkimor i kryer nga Shkolla e Biznesit në Universitetin e Mançesterit zbuloi se punonjësit që kanë shefa toksikë përjetojnë një kënaqësi shumë të ulët të punës së tyre dhe ajo që është më e keqja, është se kanë shfaqur nivele të larta të shkallës së depresionit klinik. Humori i shefit përcakton klimën e mjedisit të punës, madje edhe në rastin e punës online.

Humori i tij/ i saj ndikon në moralin e çdo punonjësi, gjë që ndikon rrjedhimisht në produktivitet. Sipas një studimi, stresi nga një shef toksik u shkakton kompanive 105 milionë ditë pune të humbura dhe 300 miliardë dollarë në vit. Por nëse kjo sjellje aspak e shëndetshme bëhet rutinë, është për shkak se kompania e lejon një gjë të tillë. Prandaj, nëse duam ta ndalojmë, hapi i parë është përballja, të jemi në gjendje ta përballojmë dhe më pas ta parandalojmë që të na dëmtojë. Le të shohim mënyrat për t’ia dalë mbanë kësaj sfide aspak të lehtë!

Ego e madhe

Keni punuar ndonjëherë për një shef që i pëlqen shumë vetja? Ndoshta ata nënçmojnë arritjet tuaja dhe kurrë nuk ju lavdërojnë për punën. Ata ju japin shumë detyra, por asnjëherë nuk ju thonë faleminderit. Ata mendojnë se janë personi më inteligjent, më me shumë merita në atë kompani dhe se të gjithë duhet ta marrin vesh me patjetër këtë gjë. Ai/ ajo mund të zemërohet për çështjen më të parëndësishme dhe t’ju bëjë të ndiheni sikur keni kryer krimin më të rëndë në jetën tuaj.

Ju dilni nga një bisedë me një shef të tillë duke thënë: “Vërtet ndodhi një situatë e tillë?” Nëse përgjigjja juaj është po, ju punoni për një shef me një ego të madhe. Puna me këta drejtues do të jetë shumë zhgënjyese, sepse sado shumë që të përpiqeni, ju kurrë nuk do të jeni në lartësinë e duhur.

Një studim i fundit zbuloi se 75% e punonjësve të anketuar thanë se aspekti më stresues i punës së tyre është “shefi”. Një shef me një ego të madhe mund t’ju lodhë shumë emocionalisht. Padyshim që në një moment gjatë karrierës suaj ju do të mendoni nëse ia vlen më kjo punë apo duhet të largoheni sa më parë. Sipas tyre, ata janë të vetmit në atë kompani që dinë sesi bëhet puna.

 

Kur shefi delegon çdo detyrë dhe përgjegjësi

Ky lloj shefi e delegon të gjithë punën e tij/ saj te të tjerët. Ai/ ajo kërkon që të tjerët të marrin përgjegjësi të plotë për punën. Shumë rrallë mund të ndodhë që punonjësit të marrin një falënderim ose, nëse e bëjnë, kjo vjen me shprehjen se ka qenë “një punë e mirë ekipore”. Ajo që është absurde është se ky lloj shefi që delegon çdo punë të tijën, gjithashtu pretendon të jetë personi që ka më shumë punë në kompani, kur e vërteta është se e vetmja punë që ai bën është delegimi i punëve tek të tjerët. / Forbes