Fondacioni “Dritëro Agolli” vlerëson fituesit e ekspozitës fotografike “Endem pa jetoj”

279
Sigal

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka mbyllur maratonën e tij 4 ditore në Pallatin e Kongreseve me një seri eventesh kulturore, të cilat mblodhën dhjetëra vizitorë, përfshirë këtu personalitete të artit, kulturës e politikës.

Eventi kulturor që kulmoi panairin e “Klik Ekspo Group”, u organizua nga Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli”. Ndarja e çmimeve të Ekspozitës fotografike “Endem pa jetoj”, që përmbyll projektin “Urban Perpetual Motion” me të njëjtin intensitet artistik dhe shumëngjyrësh si Danci me Baladat, frymëzuar nga balada “Kali” e Dritëroit.

Ekspozita fotografike e shfaqur në panair, përmblodhi shkrepje, të cilat në fokus kanë motivin e lëvizjes, si shihet lëvizja në sytë e fotografëve për nga aspekti natyror, njerëzor, filozofik, psikologjik e social. Si lëvizja është kaq pranë nesh, pjesë e jona, dhe se asgjë dhe askush nuk i shpëton dot procesit të saj.

Përfaqësuesja e Fondacionit Eris Risto tha se, “Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli”, ka në fokus “trashëgiminë” në të gjitha format e saj, në letërsi, në art, në kulturë, histori e traditë, respektin për origjinën dhe vendlindjen, apo qoftë edhe gjakun dhe ndjenjën e përkatësisë, duke u mbështetur fort në frymën e veprës dhe jetës së Dritëro Agolli”.

“Fondacioni është një organizëm i ri, jemi vetëm në projektin e dytë të këtyre përmasave kombëtare e mbarëkombëtare, por miniprojekte me frekuencë të përditshme janë të vazhdueshme me kontakte të drejtpërdrejta me të rinj, studentë, shkrimtarë dhe artistë, apo qoftë edhe lexues dhe artdashës të thjeshtë e pa bujë, por që krijojnë bazat për vlera e rezultate si ky i sotmi”, u shpreh Risto.

Konkursi i Parë Kombëtar “Dritëro Agolli” organizuar ekskluzivisht vetëm për prurjet online, nuk kaloi vetëm “teknikisht” numrin e krijuesve, që e përqafuan menjëherë, por edhe sikur vizatoi edhe njëherë një hartë të re të gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve shqipfolës, dhe në të njëjtën mënyrë u ndanë edhe çmimet, Shqipëria, Diaspora e re dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Ndërsa me “Urban Perpetual Motion”, u ravijëzua një tjetër hartëzim, ai i pakicave kulturore e shpirtërore, i trashëgimive etnike, që janë pjesë e së tërës trashëgimi kombëtare e globale, e që prej të cilave vetë Dritëroi është frymëzuar e ua ka shpluhurosur motivet dhe gëzimet e jetës siç ndodhi me Baladen “Kali” me trokun e së cilës nisi Danc’ me Baladat apo ashtu si “Pelegrini i prejkoshëm në shtegtim…”, solli Ekspoziten Fotografike “Endem pa Jetoj”.

Dritëroi që i rikthehej episodeve nga rinia e tij si krijues, çmonte ndjesitë e të botuarit të poezisë së parë (Festa e vjershës sime të parë etj…) me lëvdata apo përkorje. Çmonte çdo krijues të ri, që i afrohej për këshillim a bekim; mbi 200 poetë dhe krijues të rinj, që qëndruan ose jo në shinat e letërsisë, janë inkurajuar e mbështetur nga Dritëroi … sepse të krijuarit, është proces i përjetshëm, është proces jete dhe jetesë … Është lëvizja “perpetum mobile”… Risto shpjegoi se, e veçanta tjetër e nismës është se Projekti ndoqi një tjetër koncept dritëroian, “I duam të rinjtë të luftojnë për demokracinë, por nuk i duam të drejtojnë demokracinë” … dhe demokracia e këtij projekti me temat, thyerjet dhe latimet konceptuale, që pati, u arrit dhe u drejtua vetëm nga të rinjtë … Klea, Jola, Olsi, Lueli, Emili, Silvi, Endi etj …

“Së shpejti, projekti i radhës i Fondacionit, do t’i kushtohet shkrimtarëve dhe sidomos personazheve autentike dhe “të krisur” të shkrimtarëve të Ballkanit”,- bëri të ditur Risto për të pranishmit.

Jola Tasellari, koordinatore për të rinjtë në Fondacionin Kulturor “Dritëro Agolli” më tej, shprehu bindjen se projekti i ekspozitës fotografike i ka plotësuar në vetvete qëllimet e hartimit dhe zbatimit të tij, duke krijuar ambiente të reja kulturore për të rinjtë, duke inkurajuar vazhdimisht ata për të qenë të lidhur me artin dhe mbi të gjitha, për të shtyrë artistët e rinj, artizanët të shpalosin kulturën e tyre, të mësuar apo trashëguar dhe ta përçojnë atë tek të tjerët, duke krijuar kështu një ambient multikulturor, ku kultura bashkëjeton me traditën dhe modernen.

Juria e përbërë nga: Profesor Albes Fusha, një ndër emrat më të rëndësishëm të skenës së artit pamor në vendin tonë. Aktualisht lektor në Universitetin e Arteve, që jep kontributin e tij dhe në kurimin e ekspozitave brenda dhe jashtë vendit dhe gjithashtu, njohës shumë i mirë i historisë së artit dhe veçanërisht fotografisë shqiptare.

Profesor Ilir Butka, regjizor dhe producent filmi. Aktualisht shërben si Kryetar i Qendrës Kombëtare Shqiptare të Kinematografisë, institucioni zyrtar, që përfaqëson kinemanë shqiptare, dhe njëkohësisht lektor në Universitetin e Arteve, Tiranë.

Petraq Papa, që prej më tepër se një dekade profesor është realizuesi i imazheve të pullave të postës, monedhave dhe kartëmonedhave të lekut shqiptar. Njëkohësisht profesori është dhe lektor pranë Universitetit të Tiranës.

Me çmimin e parë u vlerësua: Endri Qenanaj.

Në vend të dytë u rendit: Klaudia Xhaja.

Në vendin e tretë u rendit: Igli Uruçi.

Ceremonia u shoqërua nga një atmosferë festive nën tingujt muzikor.