Si po shpëtojnë të korruptuarit dhe bosët e krimit me gjykim të shkurtuar. Ja lista nga zyrtarët te Zoto e Mërtiri në arrati

20

E njëjta skemë u ndoq edhe me inceneratorët. Lefter Koka, Alqi Bllako, bosët e inceneratorëve dhe të akuzuarit e tjerë përfituan ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Madje Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përfituan gjykim të shkurtuar në arrati.

Sigal

Pushtetarët e korruptuar, por edhe anëtarët e bandave kriminale, duket se kanë gjetur një metodë për t’i shpëtuar dënimit maksimal. Edhe pse drejtësia ka nisur të lëvizë dhe SPAK po godet në nivel politik, thuajse të gjithë ata që janë dënuar deri më sot, ja kanë hedhur me dënim minimal.

Rasti më i fundit ishte ai i aferës me pronat në Lezhë, ku ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj u dënua me vetëm 1.4 vite burg, pasi përfitoi ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Si ai thuajse kanë vepruar të gjithë, pasi kur e shohin se nuk do dalin të pafajshëm, kërkojnë gjykim të shkurtuar dhe në të gjitha rastet GJKKO i ka pranuar kërkesat. Pra me pak fjalë, “gjykimi i shkurtuar” po përdoret si metodë për të ulur me 1/3 dënimin.

Gjykimi i shkurtuar, si gjykim i posaçëm, në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak dhe eviton marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to. Mirëpo ky fenomen po bëhet shumë i zakonshëm dhe gjykatat kanë pranuar çdo kërkesë për gjykim të shkurtuar.

Përveç Frrokajt, kemi shumë raste të tjera. Kemi Safet Gjicin që nga 3 vite ju ul në dy vite dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.

E njëjta skemë u ndoq edhe me inceneratorët. Lefter Koka, Alqi Bllako, bosët e inceneratorëve dhe të akuzuarit e tjerë përfituan ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Madje Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përfituan gjykim të shkurtuar në arrati.

Listës i shtohet Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës, i cili po ashtu ka ndjekur të njëjtën rrugë. Gjykata i dha gjykim të shkurtuar edhe ish-Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, e cila u kap duke bërë pazare me tenderët. Edhe Fatmir Mediu tentoi t’ia hedhë me të njëjtën mënyrë. Fillimisht gjykata ja pranoi gjykimin e shkurtuar, por kur e ndjeu se mund të dënohej, ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar.

E njëjta skemë u ndoq edhe te dosja e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Gjykata pranoi kërkesën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutajt për ndarjen e çështjes për gjykim të zakonshëm, ndërsa dy të tjerët, përkatësisht përmbaruesi Alban Ruli dhe përfituesin e pronës Ilir Thana kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua.

Nuk kanë mbetur pas as kontigjentë të krimit. Që nga i dënuari për kokainën Arbër Çekaj e deri te personazhe të tjerë të njohur, rasti më i fundit është i dosjes “Shpirti”. GJKKO dha 150 vite burg për 15 anëtarët e grupit të përfshirë në skemën e trafikut ndërkombëtar të drogës, por thuajse të gjithë përfituan gjykim të shkurtuar. Rast tjetër kemi skemën e grabitjeve të pronave në Jug me në krye Elidon Gjikokën, ku sërish hyri në lojë gjykimi i shkurtuar.

Rasti që tregon se sa i rrezikshëm është ky lloj gjykimi, është i Dan Hutrës, i cili masakroi 3 gra. Ai më herët kishte vrarë gruan e tij dhe në atë kohë dënimi maksimal ishte 26 vite, por ai kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe dënimi ju ul në 16 vite. Duke përfituar dhe nga lirimi me kusht, Hutra doli në shumë pak vite nga qeli dhe më pas kreu një masakër.

Pra, thuajse është bërë e modës ku të gjithë të akuzuarit, në momentin që e kuptojnë se do të dënohen, kërkojnë gjykim të shkurtuar. Por me këtë skemë shumica ja hedhin paq, sidomos pushtetarët. Pasi 1/3 e dënimit ju ulet, ndërkohë që një pjesë të burgut e kanë kaluar në paraburgim dhe kur jepet dënimi ata dalin të lirë.Pamfleti