Si kënetë, uji zë vend në Shkodër, ndërhyn ushtria

185
Sigal

Për të trajtuar emergjencat shëndetësore, në fshatin Obot të Shkodrës, tashmë nuk thirren më autoritetet mjekësore, por ushtria, pasi autoambulancat e kanë të pamundur të futen në brendësi të zonës, e për rrjedhojë, ky shërbim mund të mbulohet vetëm nga varkat e Forcave të Armatosura.

Infermieri i zonës, thotë se në fshat situata është e rëndë.

“Brenda situata është shumë e keqe, e tregon koha se çfarë situate është brenda në Obot.”

Sipërfaqja e përmbytur në territorin e  bashkisë së Shkodrës i ka kaluar 3000 hektarë. Mjetet e larta të ushtrisë prej ditës së sotme nuk mund të hyjnë më në fshatin Obot.

Përkeqësimi i situatës për shkak të reshjeve të fundit, bëri që kryetarja e bashkisë Voltana Ademi të ripërsërisë thirrjen për shpallje të emergjencës së fatkeqësisë natyrore.

Ademi: Jemi në emergjencë civile lokale për njësinë Ana e Malit dhe Dajç. Situatën e shoh shumë të vështirë, sot kemi hyrë në të mërkurën e katërt të përmbytjeve në zonën e Obotit dhe në Dajç.

Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna kanë dalë nga shtrati dhe prurjet e shumta në kaskadë mund të ndikojnë në rritjen e shkarkimeve, që edhe të hënën qëndruan në kuotat e 500 metrave /kub në sekondë.

130 hektarë janë përmbytur të hënën në Lezhë dhe Kurbin për shkak të reshjeve të mëdha.

Lumenjët Drin, Gjadër, Mat e Drojë kanë pasur prurje deri në 50 centimetër.

Në qarkun e Elbasanit shumë rrugë kanë pasur rrëshqitje dherash, dhe zona të tëra kanë mbetur pa energji elektrike.

Për shkak të reshjeve dhe erës në det, Kapiteneria në Vlorë ka pezulluar lundrimin e mjeteve të vogla dhe varkave të peshkimit.