Si do të privatizohen ndërmarrjet bujqësore të braktisura

122
Sigal

 

Hapet “drita jeshile” për bizneset që i disponojnë, do pajisen me dokument pronësie

Agjencia përkatëse depoziton në ministri dokumentacionin dhe pas verifikimit që praktika është e plotë dhe në përputhje me legjislacionin vijohet me nënshkrimin e kontratës së shitjes me individin që ka filluar procesin e privatizimit ose, në rast të vdekjes së tij, me trashëgimtarët ligjorë ose testamentarë të tij.

 

Bizneseve që kanë privatizuar objekte të ish-ndërrmarrjeve bujqësore dhe i posedojnë ato, por nuk janë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe nuk janë pajisur me dokumenta pronësie, do t’u hapet “drita jeshile” që të përfundojnë procesin e plotë, duke u pajisur me dokumentacion pronësie.

Ministria e Bujqësisë ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, i cili finalizon këtë proces që zvarritet prej vitesh.

Sipas draftit, gjatë kryerjes së procesit të privatizimit janë evidentuar shumë probleme që lidhen me zbatimin e kritereve të përcaktuara në ligj. Konkretisht rezultojnë rreth 1100 objekte, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i privatizimit, objekte të cilat i përkasin ish- Ndërmarrjeve Bujqësore (NB) dhe ndërmarrjeve bujqësore të braktisura. Referuar projektligjit, objektet e mbetura pa përfunduar procesin e privatizimit mund të jenë në fazat kur për një pjesë ka përfunduar procesi i likujdimit, për disa mund të jetë nënshkruar kontratë shitje, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) dhe për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes.

Shkaqet që diktojnë këtë ndërhyrje, janë mos nënshkrimi i kontratave të privatizimit para noterit, nga viti 1992, në kundërshtim me legjislacionin për transferimit të pronës së paluajtshme, duke e bërë të pamundur kryerjen e veprimeve pranë ASHK-së.

Projektligji përcakton instititucionet që do të kenë si detyrë përfundimin e këtij procesi dhe parashikon zgjidhjen e problematikave që kanë dalë në pah deri më tani. Sipas draftit, subjektet paraqesin në ministri kërkesën për përfundimin e procesit, e cila i kërkon Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, sipas qarkut ku ndodhet objekti për të cilin është bërë kërkesa për përfundimin e procesit të privatizimit.

Agjencia përkatëse depoziton në ministri dokumentacionin dhe pas verifikimit që praktika është e plotë dhe në përputhje me legjislacionin vijohet me nënshkrimin e kontratës së shitjes me individin që ka filluar procesin e privatizimit ose, në rast të vdekjes së tij, me trashëgimtarët ligjorë ose testamentarë të tij.