Shuhet nga jeta Prof. Leonard Topuzi, ikonë e arsimit të lartë në Shqipëri

121
Sigal

Nga Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: [email protected]

Me hidhërim të thellë përcjellim njoftimin se u nda nga jeta Prof. Leonard Topuzi, një ikonë e arsimit të lartë shqiptar.

Prof. Topuzi u lind dhe u rrit në qytetin e Elbasanit, në lagjen Kala të këtij Qyteti, një lagje plot histori dhe tradita. Këtu Ai mbaroi studimet parauniversitare. Ishte nga nxënësit e dalluar të shkollës Normale (Pedagogjike), e para shkollë e mesme kombëtare, vatër e përgatitjes së mësuesve në gjuhën shqipe. Në periudhën 1958-1963, ndjek studimet për Biologji-Kimi, të cilat për një vit i kryen në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut ‘Zhdanov’, Rusi, dhe më pas i përfundon në FShN, UT.

Duke filluar nga viti 1962, Profesori fillon të punojë si bashkëpunëtor shkencor pranë Katedrës së Botanikës (sot Grupi Mësimor i Botanikës), FShN, UT, dhe shpejt (prej vitit 1963) si pedagog, po pranë kësaj Katedre, vend pune që e mbajti deri sa doli në pension në 2001. Edhe më pas daljes, Profesori vazhdoi të mbete anëtar i jashtëm i Grupit tonë të Botanikës duke vazhduar mësimdhënien për shumë vite më pas.

Prof. Topuzi ka qënë për shumë vite si drejtues apo përfaqësues në forumet e Universitetit të Tiranës dhe gjetkë: 1963-65, nëndrejtor i Institutit Pedagogjik 2-vjeçar ‘A. Xhuvani’, Tiranë; 1975-78, drejtor pranë Shkollës së Mesme Mjekësore, Elbasan; 1988-92, ka drejtuar Katedrën e Botanikës, FShN, UT; 1984-90, anëtar i Këshillit Shkencor të FShN; 1989-90, anëtar i Këshillit Shkencor të Departamentit të Biologjisë; 1993-97, anëtar i Këshillit Botues të Buletinit të Shkencave Natyrore. Për punën e Tij të palodhur, plot pasion, durim dhe profesionalizëm, qoftë në mësimdhënie, në kërkim dhe në drejtim, Prof. Topuzi është dekoruar në 1980 me Urdhërin ‘Naim Frashëri’, të Klasit II, kurse në 1989 me Urdhërin e Punës, po të Klasit II.

Prof. Topuzi përherë nuk ka reshtur së ndihmuari për ecurinë, mbarëvajtjen dhe reformimin në mësimdhënie dhe kërkim në vite të degëve biologjike në Departamentin e Biologjisë, FShN, UT. Deri sa doli në pension, Ai ishte titullar i lëndës së Botanikës së Përgjithshme, lëndë bazë formuese për Shkencat Biologjike, por dhe ato Farmaceutike. Ndikimi i drejtpërdrejtë ka qenë këtu në ngritjen dhe fuqizimin drejtimeve kërkimore botanike, të laboratorit të Botanikës, të programit të lëndës së Botanikës së Përgjithshme, të leksioneve, laboratorëve dhe praktikave në terren, etj. Profesori është edhe sot bashkëautor i Tekstit mësimor të kësaj lënde, si dhe autor i Praktikumit të Botanikës, i vetmi në mbarë hapësirën shqiptare. Si e tillë, kjo lëndë ka qenë dhe mbetet gjithmonë e pëlqyer dhe vlerësuar edhe nga studentët.

Veprimtaria shkencore e Prof. Topuzit zë fill menjëherë me fillimin e punës pranë Fakultetit, e përqendruar fillimisht në studimin e florës dhe të bimësisë së barishteve të këqia, në studime floristike dhe gjeobotanike të gjinisë Festuca (bimësi gramore), të gështenjës (Castanea), në etnobotanikë etj. Doktorata e Tij e përfunduar në 1984 ka qënë e lidhur me studimin e florës dhe bimësisë së barishteve të këqia në rrethin e Elbasanit. Profesorit i jepet në atë kohë grada ‘Kandidat i Shkencave’, kurse në 1988 fiton titullin ‘Docent’, dhe në 1994 i jepet titulli ‘Profesor’. Profesori ka botuar edhe shumë artikuj shkencorë, ka referuar në shumë takime, si dhe ka udhëhequr disa doktorata dhe shumë diploma me studentë të biologjisë.

Prof. Topuzi është dalluar kudoherë, madje deri në çastet e fundit të jetës, për pjekuri dhe shkallë të lartë intelektuale, por edhe për thjeshtësi dhe modesti, duke ruajtur ekuilibrat e duhur, edhe në kthesat e rënda të historisë sonë. Ka treguar gjithmonë maturi dhe ndershmëri jo vetëm në marrdhëniet me studentët, por edhe me kolegët. Ai mbante afër dhe ndihmonte me durim dhe urtësi, në kryerjen e detyrave të ngarkuara, veçanërisht të rinjtë asistentë dhe studentët.

Profesori është dalluar gjithmonë si pedagog shëmbullor, i aftë, model në ligjërim, i qartë dhe mjaft metodik; gjithmonë i qeshur dhe plot humor, duke zotëruar në mënyrë të përsosur auditorin dhe për gjithë kohën nga fillimi deri në fund; shumë i duruar në provime dhe i drejtë në vlerësimin e çdo studenti, mbështetës dhe në ndihmë për zgjidhjen e halleve të tyre; por edhe i rreptë në ndonjë sjellje të padenjë, por kjo gjithmonë jo me rrëmbim; ‘të vriste me pambuk’, si thotë populli. E gjithë kjo ka qënë përvojë e mirë edhe për ne të tjerët, për më të rinjtë dhe për shumë mësues të biologjisë.

Nuk mund të mos përmendet për Prof. Topuzin edhe veprimtaria shoqërore-politike. Që herët, Ai është dalluar si aktivist i përkushtuar i rinisë. Profesori ishte dëshmitar i asaj periudhe shumë të vështirë, por edhe plot pasion dhe ideale për të mëkëmbur vendin, dhe për të arsimuar në gjithë shtresat e popullsisë së varfër dhe të paditur, por të etur për dije, kulturë dhe progres. Shumë nga virtytet e karakterit të fortë intelektual që buronin nga origjina e tij, arsimimi brenda dhe jashtë vendit, të gjitha sëbashku gjendeshin të mishëruara edhe tek figura e Profesorit. Ne që kemi punuar sëbashku për vite me radhë mund të pohojmë se në gjithë veprimtarinë e tij shoqërore-politike Profesori është dalluar gjithmonë për kulturë dhe profesionalizëm. Ai përpiqej që çdo direktivë të mos zbatohej në mënyrë të verbër, por t’i shërbente sa më mirë mësimdhënies, kërkimit, por dhe ngritjes morale, edukimit, sidomos të rinisë studentore. Kjo ishte gjithmonë më se e domosdoshme për kohën, po të mendojmë për prapambetjen e thellë që kishte trashëguar Shqipëria nga shekujt.

Në këtë karrierë të gjatë të Tij, Profesor Topuzi është ish nxënës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesve të degës së Biologjisë, FShN, dhe vetë Universitetit të Tiranës, si K. Paparisto, M. Demiri, I. Zeko, I. Mitrushi, S. Mborja, Xh. Qose, L. Gjiknuri, S. Kongjika etj. Të gjithë këta janë Figura të arsimit të lartë shqiptar, ndaj të cilëve ne përulemi me respekt dhe mirënjohje të veçantë.

Për Prof. Touzin Fakulteti, mësimi, puna me studentët ishin gjithçka. Dhe këtë Ai e bënte shumë natyrshëm, pa lodhje, plot pasion dhe përkushtim. Ne nuk e kemi parë një herë të nxehur, apo të rrëmbyer, pavarësisht nga puna jo shumë e lehtë me njerëzit, dhe nga situata nga më të ndryshmet që krijohen herë pas here, më të theksuara këto në vitet e para të tranzicionit pas viteve 1990-të. Kujtesa e Tij e shkëlqyer nuk mungoi deri në çastet e fundit, në takimet me ne apo ish studentë, të cilët për hir të së vërtetës janë të shumtë për këtë karrierë të gjatë. Kujtimet dhe rrëfimet e Tij për kohën e shkuar na kanë ndihmuar gjithmonë në freskimin e rrugës jo fort të lehtë të ndjekur, arritjeve në vite. Është për t’u patur shembull pjekuria, mënçuria, durimi, përfshirë këtu dhe humori i tij, të cilat shoqërojnë bisedat tona, edhe kur mes nesh ishte ndonjë ‘kundërshtar’ i flaktë bindjesh.

***

Ashtu i gjallë, plot kurajo për moshën dhe plot urtësi, Profesori ka qënë gjithmonë i pranishëm mes nesh, dhe me këshillat e tij mbetet gjithmonë një figurë e nderuar për të gjithë ne kolegët dhe ish studentët, shembull në misionin tonë të edukimit të brezit të ri. Në këtë Ditë të veçantë të ndarjes nga jeta përulemi plot respekt, jo vetëm ne të Grupit Mësimor të Botanikës, por në emër edhe të gjithë anëtarëve të tjerë të Departamentit, të Kopshtit Botanik, Herbarit dhe Muzeut të Shkencave, por dhe në emër të shumë ish studentëve dhe dashamirësve të tjerë të shumtë në Fakultet dhe më gjerë.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj personave të afërm dhe miqve të ngushtë që i qëndruan pranë Profesorit, sidomos në muajt e fundit të moshimit të Tij. Shumë respekt ndaj Tanit dhe familjes së tij në Durrës për gjithë kujdesin e treguar!

Profesori do të mbetet gjithmonë jo vetëm një mik, koleg dhe prind i mirë, por dhe një burim frymëzimi për misionin tonë të përditshëm. –Lamturmirë Profesor Leonardi! Do të na mungojnë fjalët e Tua plot mirësi, mënçuri dhe shpresë! Të qoftë i lehtë dheu në Elbasanin Tënd të dashur!