Shtypi partizan

582
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Nga traktet në shtyp të organizuar
Shtypi i LANÇ-it lindi në një nga periudhat më të vështira për popullin shqiptar. Atdheu ishte i pushtuar nga Italia fashiste, që i kishte vënë vetes detyrë ta fashistizonte Shqipërinë dhe ta kthente në një bazë për planet e saj agresive në Ballkan. Pushtuesit fashist në bashkëpunim me qeverinë kuislinge e tradhtarët e vendit financuan e botuan një numër të madh gazetash e revistash. Kundërvënia ndaj propagandës dhe fushatës demagogjike të shtypit profashist, si dhe demaskimi i manovrave të tyre politike ishte një ndër detyrat madhore të shtypit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Gazetat më të thjeshta që quheshin gazeta xhepi, nxirreshin periodikisht nga njësitë partizane, ku analizoheshin kryerja e detyrave luftarake, përgjithësohej përvoja pozitive, kritikoheshin mangësitë, evidentohej mjeshtëria luftarake dhe aftësitë drejtuese të luftëtarëve e kuadrove, si dhe shpalosej trimëria dhe heroizmi partizan e sidomos i dëshmorëve. Në një dokument të parë masiv thuhet se “Lufta jonë nacionalçlirimtare ka filluar”, duke u drejtuar “të gjithë shqiptarëve të ndershëm, që duan me të vërtetë Shqipërinë, të bashkojnë të gjitha forcat për t’i vënë në shërbim të luftës për çlirim kombëtar”. Thirrje e trakte kanë dalë në shkurt 1942 që u drejtohej ushtarakëve, në prill 1942 që i drejtohej punëtorëve, në korrik 1942 që i drejtohej fshatarësisë etj. Dalja në dritë e këtyre dokumenteve, në kushtet e një reaksioni të egër dhe të ndjekjes e të persekutimit të çdo mendimi e ideje që i kundërvihej pushtimit fashist dhe politikës së tij, ishte një sfidë e rëndë për propagandën e tij. Në një thirrje theksohet “Ti, intelektual i ndershëm, mos u veço, forco radhët e luftëtarëve të lirisë, me veprën tënde merr pjesë në kryqëzatën kundër fashizmit për çlirimin e atdheut”. Në shumë trakte flitet për luftën dhe qëndrimin heroik të të të rinjve. Ato nuk përshkohen nga fryma e vajtimit, e përkuljes edhe kur humbja është e rëndë, po nga vendosmëria për qëndresë e hakmarrje si në rastin e rënies së Qemal Stafës, të Misto Mames etj. Çlirimi me çdo kusht i Atdheut nuk është shtruar asnjëherë si diçka që do të vinte nga jashtë, por gjithmonë si rezultat i luftës së vendosur që do të bënte populli ynë. Me vëmendje është propaganduar lufta e popujve fqinj. Thëniet e armikut mbi të ashtuquajturën “rrezik serb e grek”, janë hedhur poshtë me përbuzje, si synime të pushtuesve për të përçarë popujt e robëruar, që ata t’i sundonin më lehtë. Aleanca anglo-sovjeto-amerikane është trajtuar drejt, si një “aleancë popujsh”.

Tipar karakteristik, shpejtësia dhe operativiteti
Botimi i tyre në shumë raste brenda ditës ose disa orëve, pas një ngjarjeje të ndodhur, e kanë çoroditur armikun dhe e kanë demaskuar atë para opinionit të masave. Tipik është trakti i shtypur në Tiranë në shtypshkronjën e armikut, që njofton goditjen me top të Asamblesë së Gestapos. Ai është një trakt vetëm me 14 rreshta, por që i thotë të gjitha. Përdorimi i këtyre mjeteve për agjitacion e propagandë, për t’u lidhur e për të komunikuar me masat, në kushtet e vështira të luftës e të ilegalitetit të thellë të imponuar nga armiku, është një dëshmi e pjekurisë të atij brezi. Në të njëjtën kohë përgatitja dhe shpërndarja e tyre tregon vendosmërinë dhe guximin për ta përdorur këtë armë në kohën e duhur. Efekti i tyre në ngritjen e ndërgjegjes politike të masave ishte i jashtëzakonshëm. Roli i tyre për demaskimin e propagandës së armikut ishte dërmues. Shtypi u mbrujt me aspiratat dhe reokupacionet e popullit, luftoi për to, zbuloi shtigje dhe çeli rrugë me thonj e me dhëmbë, kur erdhi puna, për t’ju dalë në krye detyrave dhe misionit të caktuar. 

Roli i shtypit partizan
Shpërndarja dhe leximi në masë i shtypit ilegal ishte një aksion i përgjithshëm i popullit, që kryhej me kokë në torbë nën hundën e pushtuesit dhe të spiunëve të tij. Çfarë formash dhe mënyrash të mrekullueshme nuk krijoi mendja e popullit, guximi dhe besimi i tij në fitore e për të çuar deri në kasollen e izoluar të vendit zërin e luftës. Çfarë taktike të zgjuar nuk përdori ai për të fshehur nga syri i armikut shtypin e kohës. Parulla “Lexoje, shpërndaje dhe mos ia dorëzo armikut”, që u bë motoja lëvizëse për shpërndarjen dhe përdorimin e të gjithë shtypit ilegal, e ka nismën e saj pikërisht edhe në vështirësitë dhe kushtet e vështira të Luftës. Në këto kushte u bë e mundur të botohen në ilegalitet disa organe si gazetat “Zëri i Popullit” e “Bashkimi”, revistat “Kushtrimi i Lirisë” organ i rinisë antifashiste shqiptare, “Gruaja shqiptare” dhe revista letrare “Liri” etj. Redaksitë e këtyre organeve shpesh botonin dhe shpërndanin edhe trakte antifashiste, buletine e komunikata operative lufte. “Zëri i Popullit” doli më 25 gusht 1942 në kushtet e një ilegalitetit të thellë, kur mjete të tjera të shtypit ilegal të LANÇ-it kishin filluar punën e tyre, kishin fituar besimin dhe mbështetjen e masave. “Kushtrimi i lirisë” i dalë në fund të gushtit 1942 shprehet me vendosmëri se “rinia shqiptare udhëhiqet nga principi se fashizmi i mallkuem asht anmiku i betuem i tanë breznisë së re, prandaj, duhet të japim të gjitha energjitë tona të reja në luftë për çlirimin e popullit shqiptar … luftë për një Shqipëri të pavarur dhe demokratike, luftë për çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha fashiste”. Gazeta “Bashkimi” që doli në mars 1943, organ i këshillave nacionalçlirimtare ngjalli gëzim dhe kënaqësinë e të gjithë patriotëve të ndershëm të vendit dhe brenda një kohe të shkurtër u bë zëdhënësi i ndjenjave, dëshirave dhe vendosmërisë së tyre për të luftuar me të gjitha mjetet, për krijimin e një “Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike”. Gazeta mbronte me forcë tezën se “liria nuk dhurohet, por fitohet”. Ajo shpjegon se “Lirinë nuk kërkojmë ta fitojmë tue shtri dorën por do të arrijmë tue tregue grushtin, ashtu siç kemi dijtë ta kërkojmë gjatë shekujsh”. Popullarizimi i luftës, i vendosmërisë, guximit dhe sakrificave të partizanëve, janë objekt i artikujve dhe i komenteve të gazetës. Ajo i ngre lart dhe i mbron këto nga shpifjet e armiqve e të tradhtarëve. Ajo mbron tezën se “pa derdhur gjak lirija nuk fitohet”. Revista “Gruaja shqiptare” doli në korrik 1943 dhe ishte një pohim i kësaj pjesëmarrjeje, i personalitetit të saj politik dhe shoqëror dhe i vendosmërisë së saj për të ecur krah për krah me të gjithë popullin në luftën e madhe për çlirimin kombëtar e shoqëror të vendit.

Pushtuesit dhe propaganda e tyre
Propaganda armike nuk ka qenë e dobët as në sasinë e mjeteve të saj, as në argumentet që përdorte për të mashtruar popullin e për ta tërhequr atë në vathën e tij. Pushtuesit fashistë italianë botonin më se 40 organe shtypi, përveç mjeteve të tjera të agjitacionit e të propagandës siç ishin radioja, filmi, aktivitetet artistiko-kulturore, organizatat fashiste etj. Kur propaganda e tij u demaskua e populli i ktheu krahët, ai filloi të propagandojë “kotësinë” e luftës e dëmet e saj, sepse Italia fashiste do të merrte masa të rënda shtypëse e Shqipëria do të shkatërrohej. Kur lufta e armatosur e popullit shqiptar mori zhvillimin e saj të plotë dhe pushtuesi fashist po pësonte goditje të rënda, propaganda e tij lëshoi parullat e “rrezikut bolshevik” e atij “serb e grek” etj., duke u përpjekur të krijonte dyshime mbi LANÇ-it e objektivat e saj. Pushtuesi nazist gjerman po ashtu nuk mbeti prapa nga pushtuesi i mëparshëm në përdorimin e mjeteve të propagandës. Komanda e forcave ushtarake gjermane në organin e saj “Liria e Shqipërisë” të botuar prej 10.000 kopje në ditë theksonte se “Gjermania naziste s’kishte ardhur për të pushtuar vendin, por për ta mbrojtur”, se “Shqipëria, sipas tyre, ishte çliruar”. Kjo tezë u bë copë e thërrime nëpërmjet propagandës së LANÇ-it dhe luftës së armatosur kundër tyre. Armiku nëpërmjet shtypi të tij përçmonte virtytet më të larta të popullit tonë, kurse shtypi partizan ngrinte lartë patriotizmin, besnikërinë, vendosmërinë, dashurinë për njeri-tjetrin, ndershmërinë etj. Shtypi i armikut popullarizonte terrori, masakrat dhe kërcënonte me masa të tjera shtypëse, kurse në faqet e shtypit partizan ngrihej lartë lufta e popullit, aksionet e tij të guximshme, heroizmi e sakrifica në luftë për çlirimin e Atdheut.
Sigal