Shtyhet hapja e negociatave / Ministrat e Jashtëm të BE nuk miratojnë kuadrin negociues

219
Sigal

Presidenca gjermane e BE-së e mbyll mandatin pa shënuar asnjë rezultat në lidhje me zgjerimin. Në takimin e tyre të fundit për këtë vit, ministrat e Jashtëm të BE-së dështuan të miratojnë kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dështuan të miratojnë kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore duke ju dhënë një goditje përfundimtare shpresave të Tiranës dhe Shkupit për të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare të negociatave.

I zhgënjyer nga mungesa e konsensusit, komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha se shpreson që data e konferencës për të dy vendet të caktohet sa më parë.

“Na duhet një zgjidhje e shpejtë. Intregimi është i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Europian,” tha Varhelyi, ndërsa solli në vëmendje edhe metodologjinë e re të zgjerimit dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve që i quajti një dritare të rëndësishme për të nxitur reformat në rajon.

“Ne do të vazhdojmë punën për ta arritur këtë qëllim,” tha komisioneri në Twitter.

Ky është një rezultat zhgënjyes edhe për Gjermaninë, kryesuesja e presidencës së Këshillit të BE-së që ia dorëzon stafetën Portugalisë me zero rezultate në drejtim të zgjerimit, jo vetëm për konferencën e parë ndërqeveritare të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, por pa shënuar asnjë përparim edhe me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën një konsensus pavarësisht thirrjeve të një grupi eurodeputetësh.

“Shqipëria meriton të avancojë në rrugën e anëtarësimit në BE, nisur nga përpjekjet e mëdha për reforma të viteve të fundit, sidomos në sektorin e drejtësisë, dhe për vlerësimin pozitiv që ka marrë për to nga Komisioni,” thuhet në letrën e tyre.

Përveç skepticizmit për përmbushjen e reformave nga Shqipëria, këtë vit doli në horizont edhe mosmarrëveshja midis Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore. Sofja kërkon që fqinji i saj të pranojë se maqedonishtja buron nga bullgarishtja. Kërkesë e refuzuar deri më tani.

Shqipëria mban statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së nga qershori i 2014-s