Shteti tallet me biznesin, vendos shtetrrethim, por edhe gjobat ndaj bizneseve..

597
Sigal

Një nga lehtësitë e paketës financiare, të prezantuar dje nga kryeministri, ishte shtyrja e afatit të dorëzimit të bilancit për në datën 1 qershor, nga 31 marsi që është normalisht dita e fundit kur dorëzohet online te tatimet bilanci financiar i vitit paraardhës, bashkë me formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin.

Kjo ishte një kërkesë e vazhdueshme e shoqatave të biznesit, të cilat ankoheshin se ndonëse dorëzimi ishte online, përgatitja e bilanceve kërkonte kontaktet me dokumentet fizike dhe po bëhej e pamundur për shkak të karantinimit.

Procedura ligjore mbi dorëzimin e deklaratës së pagesës së tatimit fitimit dhe pasqyrave financiare për vitin fiskal 2019 parashikon që tatimpaguesi duhet të dorëzojë, formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me Udhëzim. Ky formular plotësohet në përputhje me shënimet sqaruese.

Po kështu, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore, bilancin kontabël së bashku me pasqyrat financiare dhe anekset e tij.

Burime nga grupi i punës për paketën financiare pohuan për “Monitor” se VKM pritet të dalë shpejt gjatë ditës së sotme, por shtyrja është e vlefshme vetëm për dorëzimin e pasqyrave financiare dhe jo për deklaratën e tatim fitimit.

Deklarimi i formularit për tatimfitimin e ngarkon biznesin me pagesë shtesë, nëse ai ka dalë me fitim më të lartë në 2019-s, pasi tatimfitimi është parapaguar me shifrat e bilancit të vitit të shkuar.

Ekonomistët pohojnë se duke mos shtyrë afatin e detyrimit për dorëzimin e deklaratës së tatimfitimit, shteti realisht fal letrat e paçuara në tatime, por nuk fal detyrimin. Ata shpjegojnë se detyrimi për deklaratën e tatim fitimit, praktikisht imponon financiarët që ta përfundojnë bilancin, ndonëse mund të mos e dorëzojnë atë. Financierët e kanë pasur të vështirë t’i mbyllin bilancet, pasi marsi, që është periudha kulmore e tyre përkoi me karantinën, çka bëri që shumë biznese të mbylleshin dhe ekonomistët të kishin probleme në lëvizjen nëpër zyra për sigurimin fizik të dokumenteve.

Nëse bëhet deklarata e tatimfitimit, pohojnë ekonomistët, faktikisht është bërë dhe bilanci, por në këtë situatë, kur nuk arrijnë të merren të gjitha dokumentet, rrezikohet që bilanci të mos jetë i saktë. Gjoba për mosdorëzim bilanci është 10 mijë lekë, ndërsa për mospërpunim të saktë të të dhënave financiare është 50 mijë lekë. Ndaj ekonomistët pohojnë se në këtë mënyrë ata do të jenë më të penalizuarit.