Shteti shpenzon 500 mijë USD për ruajtjen e pasurive të botës së krimit si dhe objekteve dhe tokave të sekuestruara

144
Sigal

 

Shteti më shumë shpenzon se fiton. Shpenzimet për ruajtjen, bordin, dietat e Agjencisë, por edhe të shpenzimeve për shpërblimin e anëtarëve të Komitetit Drejtues ndërinstitucional, që vendos mbi fatin e këtyre pronave, më të larta se të ardhurat nga qiratë.

Në vend që të gjeneronin të ardhura për buxhetin e shtetit, qindra pasuri të konfiskuara të krimit, krijojnë më shumë kosto administrimi, megjithëse disa prej tyre gjenden në zonat më luksoze bregdetare apo në qendër të kryeqytetit. Scan Televizion ka zbardhur bilancet e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të konfikuara. Ndërsa ndryshimet e fundit ligjore mundësojnë që këto pasuri të jepen me qira, apo në përdorim në favor të komunitetit, kostot për ruajtjen, mirëmbajtjen, apo për shpërblimin e anëtarëve të komitetit, që vendos mbi to apo dietat e punonjësve, rezultojnë shumë të larta.

Në vitin 2019 janë mundur të jepen me qira vetëm 40 prej këtyre pasurive, duke futur në arkën e institucionit vetëm 3.3 milionë lekë të ardhura, afërsisht 33 mijë dollarë. Edhe për vitin 2020 numrat janë shumë të ulët, janë dhënë me qira 65 prej tyre me një vlerë totale arkëtimesh prej 11.4 milionë lekësh, afërisht 110 mijë dollarë. Situata e të ardhurave është përmirësuar diçka në vitin 2021. Në raportin zyrtar të punës për vitin 2021, Agjencia raportoi se në total rezultojnë 145 objekte të dhëna me qira, nga të cilat ka arkëtuar pak më shumë se 50 milionë lekë, afërsisht 500 mijë dollarë.

Bëhet fjalë për vlerën më të lartë të arkëtuar ndonjëherë, por që gjithësesi nuk arrin të mbulojë shpenzimet për ruajtjen, administrimin, apo mirëmbajtjen e tyre. Shpenzimet për këtë qëllim, sipas Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, kanë qenë 51.3 milionë lekë vitin e shkuar, apo rreth 501 mijë dollarë. Sipas treguesve zyrtarë të Agjencisë, afërsisht 25.9 milionë lekë, apo rreth 260 mijë dollarë kanë shkuar për ruajtjen fizike të pasurive, ndërkohë që kostot shtohen më tej prej mirëmbajtjes apo kontraktimit të ekspertëve të jashtëm vlerësues. Ndërkohë që kostot shtohen ndjeshëm nga pagat e vetë punonjësve të agjencisë (14.7 milionë lekë afërisht 140 mijë dollarë), ku shtohen disa mijëra dollarë të tjerë në formën e dietave të tyre, por edhe të shpenzimeve për shpërblimin e anëtarëve të Komitetit Drejtues ndërinstitucional, që vendos mbi fatin e këtyre pronave.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara ka bërë publike listën e plotë me pronat e paluajtëshme, të cilat mund të përdoren për qiradhënie për të gjeneruar të ardhura në buxhetin e shtetit. Lista përmban 425 pasuri të paluajtshme të shpërndarë në gjithë territorin e vendit. Mes tyre bien në sy njësi shërbimi e banimi në zonat më luksoze të Tiranës apo bregdetit, por edhe objekte mjaft fitimprurës, siç janë 9 hotele, mes të cilëve edhe Vollga në Durrës. Lista dominohet nga apartamentet, pjesa më e madhe e të cilave në Vlorë, Tiranë e Durrës, ndërkohë që nuk mungojnë as arat e kullotat.