Shtet-Web: Rajoni, niveli i dytë i vendores, Co-plan: Rajoni niveli i dytë i qendrores

437
Sigal

Reforma territoriale/ Ja propozimet e Shtet-Web dhe Co-plan për ndarjen e re administrative

Qeveria do ta vërë në zbatim ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2015 dhe do ta shoqërojë atë me një paketë reformash fiskale dhe ligjesh mbështetëse, si dhe me ngritjen e mekanizmave konkrete për fuqizimin e njësive të reja vendore. Pra, Reforma nuk do të jetë thjesht një riorganizim territorial i NJQV, por do të synojë reformimin në tërësi të qeverisjes vendore.

Reforma Administrative Territoriale është bërë e domosdoshme për të adresuar problemet e mëdha të krijuara nga fragmentarizimi i tepruar i territorit të vendit, për ta thelluar procesin e decentralizimit në Shqipëri, duke përfshirë decentralizimin fiskal, si dhe për marrjen e përgjegjësive të planifikimit dhe administrimit të territorit prej qeverisjes vendore.

 Propozimi i ShtetiWeb

Propozimi i ShtetiWeb konsideron që qeverisja vendore duhet të vazhdojë të jetë e organizuar në dy nivele:

-niveli i parë që konsideron Bashkitë, fokusohet kryesisht në shërbimet ndaj banorëve,

-niveli i dytë që konsideron Rajonet, fokusohet kryesisht në zhvillimin dhe kontrollin e territorit.

Për të reformuar në tërësi modelin aktual të qeverisjes vendore, në veçanti për të ridimensionuar madhësinë e njësive vendore, do të konsiderohen specifikat e vendit tonë, që lidhen me territorin, zhvillimin social-ekonomik, resurset natyrore, infrastrukturën, lëvizjet demografike, traditat kulturore, si:

–       Një vend i vogël me popullsi 4 milionë banorë dhe sipërfaqe 28 mijë km,

–       Terreni është ¾ malor,

–       Popullsia rreth 50% në fshat,

–       Lëvizje të konsiderueshme të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane,

–       Rrjeti relativisht i prapambetur i rrugëve, sidomos në zonat malore.

–       Diversiteti i popullsisë sipas krahinave,

–       Pabarazi në zhvillimin ekonomik dhe social të zonave fushore dhe malore.

Krijimi i bashkive synohet të niset nga qendrat aktuale urbane, duke mbajtur parasysh, identitetin dhe numrin e popullsisë,  resourset potenciale të zhvillimit, kryesisht brenda territorit të rretheve, por edhe jashtë tyre. Bashkitë e krijuara do të jenë:

–   kryesisht urbane, (qytetet kryesore bashkohen me territore në proces urbanizimi të komunave përreth)

–   të përzierja urbane dhe rurale (qytete të vogla bashkohen me komuna me identitete të përafërta)

–   tërësisht rurale, (bashkimi i disa komunave), këto të kufizuara kur plotësohen kriteret e më sipërme.

Propozimi i  Co-plan

Co-Plan propozon një hartë të re territoriale, e cila grupon Shkodrën me Lezhën;  Peshkopinë dhe Kukësin; Tiranën me Elbasanin, Korçën me Beratin; Lushnjën e Fierin si dhe jugun më vete. Ky është propozimi i dytë, i cili vjen pas studimit të prezantuar pak ditë më parë nga Shtet- Web.

Rajoni është parë si nivel i dytë i qeverisjes politkëbërës dhe zbatues, i cili merr kompetenca që në të tashmen i takojnë pushtetit qendror. Harta zgjedhore në këtë ndarje nuk ka luajtur rol thelbësor. “Nuk respektohet ndarje e qartë politike, janë partitë që përcaktojnë pushtetin”,- thotë Shutina.

Për realizimin e një platforme të tillë urbanisti Shutina shkon deri tek rishikimi i rolit të prefektit. Një përqasje qe i vjen për shtat edhe bashkëkryetarit socialist në komisionin për reformën administrative dhe territoriale, Bashkim Fino, i cili ndonëse pyet ekspertët, mendimin e vet e ka të qartë.