Shqipëria nën ujë, ministra dhe deputetë me vakanca dhe qejfe në këmbim të viteve

587
Përmbytje dhe evakuime në Tiranë 
Tirana gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë nën pushtetin e ujit, i cili ka krijuar situata të pazakonta, që kanë kërkuar ndërhyrjen e shtabit të emergjencave, këta të fundit kanë qenë të papërgatitur përballë situatave të krijuara, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve. Shumë zona të kryeqytetit, por edhe rrugë të tjera kanë qenë të përmbytura. Situata kaotike ka ardhur si pasojë e mungesës së pusetave dhe rrjetit të kanalizimeve, problematika këto që kanë çuar dhe në përmbytjen e disa lagjeve dhe rrugëve të Tiranës. Rritja e nivelit të ujit të dy lumenjve të Tiranës ka shkaktuar përmbytjen e disa zonave në kryeqytet. Si pasojë e përmbytjeve është bërë ndërhyrja në evakuimin e dhjetëra familjeve në kryeqytet, kjo pasi rrezikoheshin banesat e tyre. Niveli i lumit Lanë është rritur ndjeshëm, duke rrezikuar dhe daljen nga shtrati. Në vështirësi janë gjendur banorët e Bregut të Lumit, tek Ura e Babrroit në Tiranë, banesat e të cilëve janë përmbytur nga ujërat e lumit të Tiranës, i cili ka rrezikuar të dalë nga shtrati. Situata problematike është paraqitur edhe në Paskuqan, ku është shkaktuar një çarje e tubacioni të ujit të pijshëm, i cili furnizon pjesën më të madhe të kryeqytetit me ujë të pijshëm. Disa rrugë të kryeqytetit kanë pasur probleme si, rruga “Mentor Xhemali”, rruga “Siri Kodra”, “Don Bosko” etj. Në këto rrugë, për shkak të nivelit të lartë të ujit ka pasur probleme në qarkullimin e automjeteve. 
Problematika e përmbytjeve në disa rrethe të tjera të vendit
Përmbytjeve nuk i kanë shpëtuar dhe shumë rrethe të tjera të vendit, si Elbasani, Vlora, Laçi, Fushë-Kruja, Lezha, Shkodra, Kruja etj. Qarku i Elbasanit ditën e djeshme është përfshirë nga përmbytjet, më e rrezikshme situata ka qenë përgjatë përroit të Zaranikës, i cili ka shqetësuar më shumë se 800 familjet që jetojnë përgjatë këtij përroi. Ndërkohë që dhjetëra pallate dhe qindra banesa të tjera në anë të tij, deri në grykëderdhje, nuk kanë asnjë siguri në ditët që vijnë. Kjo situatë vjen edhe pas shumë investimesh që janë bërë në 25 vitet e fundit në rregullimin e rrjedhës së këtij përroi, i cili është mbushur me gurë dhe inerte që rrokullisen duke dëmtuar argjinaturat mbrojtëse prej betoni e duke shkaktuar zgavra të thella të cilat u janë afruar ndjeshëm pallateve dhe shtëpive të banimit. Ndërkohë që dhe autostrada Tiranë-Elbasan është bllokuar, pasi rruga e Mulletit është përmbytur dhe automjetet e kanë pasur të pamundur të lëvizin normalisht. Shirat e rrëmbyer që kanë pushtuar vendin kanë nisur të përmbytin edhe disa zona në qytetin e Vlorës. Nën ujë gjatë ditës së djeshme kanë qenë rrugët lidhëse me bulevardin Vlorë-Skelë, ajo e lagjes “Pavarësia” , “28 dhe 29 Nëntori” , një pjese e lagjes 1 dhe 24 Maji etj. Në qarkun e Lezhës, në Pllanë, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në përroin e Malbardhës janë në rrezik disa banesa. Edhe në Fshatin Fushë Kuqe, në bashkinë Laç si pasojë e rritjes së nivelit të ujërave kanë qenë të rrezikuara dhjetëra banesa. Ndërkohë që edhe në Fushë-Krujë kanë qenë në rrezik disa banesa, në fshatin Derven i Poshtëm, si pasojë e fryrje së lumit. Në qarkun e Dibrës, në fshatin Gjoricë e Poshtme në rrezik ka qenë argjinatura e lumit Drin, që rrezikon më shumë se 200 banorë të kësaj zone, ku dhe është kërkuar ndërhyrja për evakuimin e këtyre banorëve në kohë rekord. Përmbytjet kanë përfshirë dhe disa banesa në Fushë Bulqizë, ku situata ka qenë problematike gjatë ditës së djeshme, ku si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati është dëmtuar rruga në një gjatësi prej 2 km, duke lënë të izoluar dhjetëra familje në fshatin Fushë e Vogël, ndërsa janë përmbytur dhjetëra ha tokë bujqësore. Probleme ka pasur në shumë zona të qarkut të Shkodrës. Në bashkinë e Vaut të Dejës rritja e prurjeve në lumenj rrezikon përmbytjen e disa banesave në lagjen Kapedan, ndërsa zona e Gomsiqes është izoluar për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Ka pasur rrëshqitjet dherash në Akset Tamarë-Vermosh, Qaf-Qelë Pukë, dhe në aksin Bogë-Thethë në segmentin e Qafë Thorës. Në Stojan të Matit, 20 nxënës mbetën të bllokuar për disa orë, për shkak të shembjes së urës që i lidh me fshatin me shkollën.
Durrësi i qetë, bashkia vendos situatën nën kontroll
Edhe pse niveli i ujërave ka qenë i lartë, si pasojë e intensitetit të lartë të shirave, bashkia e Durrësit ka mundur të kontrollojë situatën mjaft mirë, duke mos pasur asnjë problem, lidhur me përmbytjet. Situata është vënë nën kontroll nga bashkia edhe pse Durrësi është shumë herë më i rrezikuar se qytetet e tjera, për shkak të nivelit të ulët që ka me detin. Në këtë pjesë situata ka qenë e qetë, nuk ka pasur asnjë problem, lidhur me bllokimin e akseve rrugore, ndërprerjen e energjisë elektrike apo mungesën e ujit të pijshëm. Gjithçka është kontrolluar mjaft mirë nga ana e bashkisë, e cila ndryshe nga qytetet e tjera, i ka paraprirë kësaj situate të pazakontë, duke pasur situatën nën kontroll të plotë. 
Rrëshqitje dheu dhe gurësh në Rrugën e Kombit, njëri aks 3 orë i bllokuar
Si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, probleme janë shkaktuar dhe në disa rrugë kryesore të vendit, ku ka pasur probleme në rrëshqitjen e dherave dhe gurëve në rrugë. Në kilometrin e 7 të segmentit Kukës-Tuneli i Kalimashit në Rrugën e Kombit është bllokuar për më shumë se 3 orë, njëra nga korsitë e kësaj arterie mjaft të rëndësishme rrugore. Ndërhyrja nga firma kontraktore ka qenë e vonuar, për pasojë ky aks ka mbetur i bllokuar për më shumë se tre orë. Të tjera rrugë me probleme kanë qenë, rruga nga Qaf Thana në drejtim të Elbasanit, ku masive të mëdha dherash dhe gurësh kanë shfaqur probleme për drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që firma e mirëmbajtës nuk ka qenë e gatshme plotësisht për të normalizuar situatë, pasi përgjatë gjithë këtij aksi, numri i punonjësve dhe i automjeteve ka qenë tepër i ulët. Ka pasur rrëshqitjet dherash në Akset Tamarë-Vermosh, Qaf-Qelë Pukë, dhe në aksin Bogë-Thethë në segmentin e Qafë Thorës. Dhe disa rrugë të tjera në vend kanë pasur këtë problem, për shkak të mungesës së marrjes së masave kohë më parë, duke krijuar probleme dhe rrezik për drejtuesit e automjeteve. 
9 rrethe në vend, mungesë të energjisë elektrike
Sigal