Shpëtim Gjika ironizon Koço Kokëdhimën, për mosreagimin ndaj neonazitëve grekë në Himarë

594
Sigal

Patriotizmi i rremë i shqiptarëve, derisa heshtin ndaj provokacioneve të neonazistëve grekë

“Koçua ishte i zënë me prishjet pa leje, pa do ta shihnin neonazistët grekë”

Edhe pse në përvjetorin e tretë të Aristidh Gumës në Himarë,  eksponentë të neonazistëve grekë të “Agimi i Artë” kanë provokuar shqiptarët dhe Shqipërinë, deri sa ata edhe u betuan se do të luftojnë deri në çlirimin e Himarës, çuditërisht, asnjë reagim nga politikanët shqiptarë nuk u ndje. Jo vetëm kaq. Por edhe Shërbimet Informative të Shtetit nuk kanë bërë asgjë, as policia shqiptare nuk ka reaguar edhe në rastin më ekstrem, kur këta neonazistë grekë përdorën dhunë kundër gazetarëve shqiptarë, duke i penguar ata që të filmonin. I vetmi reagim që erdhi, ishte nga Kryetari i Bashkisë të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili ka përdorur ironinë e tij, jo kundër neonazistëve grekë, por kundër deputetit të Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhimës. Kështu, Shpëtim Gjika ka komentuar heshtjen e politikanëve shqiptarë ndaj provokimeve të neonazistëve grekë në Himarë, duke shkruar në një rrjet social. “Shpëtim Gjika:  Nuk ka qenë Koçua aty, se ka qenë i zënë me prishjet, pa do ta shihnin mirë ata!”. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nuk e fsheh edhe ironinë ndaj Kokëdhimës edhe për iniciativën politike të prishjes së ndërtimeve pa leje të ndërmarrë nga  Kryetari i PS-së dhe, njëkohësisht, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, teksa e thekson në komentin  e tij, por nuk jep më tej shpjegime.

Neonazistët grekë betohen në Himarë se do luftojnë për çlirimin e saj

Ata neonazistë që morën pjesë në ceremoninë e përvjetorit të Gumës, nuk ishin asnjë nga drejtuesit e lartë të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”, dhe asnjë nga deputetët e saj në Kuvendin e Greqisë, por ishin thjesht rojet e këtyre drejtuesve. Por kjo nuk i pengoi ata që të demonstronin hapur provokimet politike ndaj Shqipërisë, duke bërë thirrje të hapur për luftë në emër të çlirimit të Himarës. Kristoforos Tsankas, në varrezat e Himarës, bëri betimin se, “Agimi i artë” nuk erdhi në Himarë për të mbajtur zi, por përulet para varrit të këtij trimi dhe betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit. Rroftë kombi!”

Neonazisti shqiptar Robert Hajdi të hetohet për pastrim miliona euro

Njeriu i “Agimit të Artë” që provokoi mediat shqiptare më 11 gusht 2013 është pronari i Hotel “Lukovës”, Robert Haidi. Robert Haidi luan rolin e badigardit të deputetit Kostandinos Barbarusis. Robert Haidi edhe pse është pronar juridik i “Hotel Palace Lukova” dhe më i pasur se deputetët e Agimit të Artë, atij i pëlqen më shumë të jetë roje personale i ndonjë udhëheqësi të tyre. Anëtarët e Agimit të Artë kanë fjetur gjumë në këtë hotel., Roberti është shtetas i Shqipërisë dhe ka pasuri në miliona euro. Lind pyetja: Ku i gjeti milionat euro Rober Hajdi që investoi në Shqipëri? Shteti shqiptar duhet të kontrollojë gjithë të ardhurat e Robert Hajdit, për burimin e miliona eurove që ka investuar në Lukovë. Nëse Robert Hajdi pretendon se, milionat euro i ka nxjerrë me djersë në Greqi, le të dëshmojë, nëpërmjet deklarimit të pasurive në çdo vit që ka bërë në Greqi, sa euro ka fituar çdo vit?! Apo mos vallë Robert Hajdo pastron lekët e “Agimit të Artë” në Shqipëri,  ku duhet se, drejtuesit e Agimit të Artë kanë disa shtëpi publike në Athinë. Këto nuk janë hipoteza, por fakte.

Reagimet

 PDIU: “Ndal “Agimit të Artë”, në trojet tona etnike!”

 PDIU-ja reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej këmishëzinjve fashistë të “Agimit të Artë”. Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të menjëhershëm të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non- grata kryetarin e kësaj lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik.

  Idajet Beqiri, Kryetari i PUK-ut

Greku, si greku, po i dhe thoin e gishtit, të merr të gjithë trupin. Përmes bërjes së shtetit të tij fetar ortodoks, përmes një politike dinake të tipit “Kali i Trojës”, i gjenocidoi shqiptarët, i asimiloi, duke i konvertuar në “grek”, sikurse i dëboi përmes dhunës gjenocidiste çamët myslimanë nga trojet e tyre, duke i grabitur shqiptarëve mbi gjysmën e territoreve që ka Greqia e sotme. E bëri këtë kasaphanë me trojet tona, me ndihmën e Europës katolike antimyslamiste, të cilës i interesonte më shumë një Greqi artificiale, se sa një Shqipëri “myslimane”! Na ndëshkoi keq historia ne shqiptarëve dhe nga Gjiri i Artës, na i sollën kufirin në Kakavijë. Në shekullin e 19-të na morën gjithë Çamërinë, Selanikun, Janinën, Konicën e mjaft treva të tjera shqiptare. Grekët këtë e dinë mirë. Ata mburren vetëm me heronjtë shqiptarë, vetëm me filozofët tanë, vetëm me artistët tanë të shkëlqyer arvanitas. Nuk kanë histori të tyre. Europa i fuqizoi me territore shqiptare. I stimuloi duke i bërë anëtar të BE pa meritë. Dhe Greqia artificiale po bëhet shkaku kryesor i rënies ekonomike të BE-së.

   Himara e kapedanëve të Bregut të Labërisë

 Prononcim i Nënkryetarit të Përgjithshëm të Forumit të Shoqatës “Labëria”, Sejmen Gjokoli

  E pakuptueshme dhe e pa tolerueshme ajo ç’ka ndodhi përpara dy ditësh në Himarë nga përfaqësues të Agimit të artë. E pafalshme që një rast përkujtimor të kthehet në një manifestim të hapur antishqiptar, në mes të ditës, në Himarë, në zemër të Labërisë e në vendin  e kapedanë të dëgjuar të Bregut për mençuri, trimëri e atdhedashuri. Askush nuk u’a ka borxh këtyre  institucioneve të shtetit lejimin që u bëhet, jo fqinjëve tanë, por një pakice shovene që vjen e ulet këmbëkryq në një nga krahinat me emër e histori të madhe e prej andej artikulon thirrje  të hapura  antishqiptare. Po si mund të lejohet që për ditën me diell e përpara medias të thuhet se: … “Agimi i Artë” nuk vjen në Himarë për të ikur dhe do të vazhdojmë luftën deri në momentin e çlirimit…” Duke e konsideruar këtë sjellje dhe demonstrim një tjetër rast të pa precedent, Shoqata “Labëria” e indinjuar nga ky rast, që për hir të së vërtetës nuk është i pari, u bën edhe një herë thirrje organeve dhe strukturave të shtetit që të mos lejojnë manifestime të tilla , thellësisht antishqiptare dhe që nuk i shërbejnë aspak marrëdhënieve të mira që të dy popujt kanë.

 Aleanca Kuqezi kërkon reagimin e Tiranës për incidentin me “Agim e Artë"

 I tërë ky aksion nazist ndodh në kohën  kur në Shqipëri po zvarritet rotacioni politik i pushtetit. Vakuumi i pushtetit qendror, rënia e rolit të policisë së Shtetit dhe Agjencive të zbatimit të ligjit, rritja e kriminalitetit, shtimi i hyrje-daljeve për shkak të turizmit  i kanë krijuar hapësirë eksponentëve nazistë të “Agimit të Artë” që të ndërmarrin veprime, të cilat shkelin rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë, dhunojnë statusin e Kishës autoqefale shqiptare, rrisin pasigurinë në zonat tona turistike në pikën e sezonit të vet, tentojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe pakicave greke brenda vendit tonë si dhe midis dy shteteve tona. AK-ja, apelon tek autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit që të mos lejojnë këmbë nazisti grek që të futet e të veprojë në Shqipëri.