Panajot Boli: Vendimi i veçantë, Komuna Mesopotam merr në mbrojtje bimën mjekësore, sherebelë

596
Sigal

DELVINË/ Flet kreu i Këshillit Komunar, Panajot Boli: “Gjithashtu kemi kërkuar që bima të shpallet pasuri kombëtare”

Komuna Mesopotap e rrethit Delvinë ka marrë me një vendim të këshillit komunar dhe propozim të kryekomunarit Themistokli Kaishi, ku bima medicinale e sherebelës të konsiderohet pasuri kombëtare dhe të mbrohet e administrohet me ligj të veçantë. Këtë lajm e bën të ditur vet kreu i këtij këshilli, Panajot Boli, në një prononcim për “Telegraf”, ku citon detaje nga mbledhja e fundit e këshillit për vendimmarrjen e mbrojtjes së kësaj vlere të pasurisë natyrore shqiptare dhe kriteret e dhënies me konçesion për sipërfaqet që do të shfrytëzohen nga biznesi medicinal. Kryekëshilltari Panajot Boli nënvizon se duke parë situatën e shfrytëzimit pa kriter të kësaj bime dhe duke vlerësuar faktin që natyra ka qenë bujare me njeriun e këtyre zonave, duke i falur këto pasuri ziliqare për zonat e tjera dhe vet ky njeri bëhet mëkatar ndaj dhunimit të kësaj pasurie dhe mosmirënjohës ndaj natyrës, Këshilli Komunar ka marrë masat e tij për të mos lejuar këtë shpërblim negativ, aq më keq kur i shkakton plagë ekologjisë dhe në fund të fundit, pasurisë tënde. “Kjo e ardhur nga shfrytëzimi pa kriter i kësaj pasurie si sherebeli me vlera të mëdha kurative e industriale, por edhe me të ardhura të konsiderueshme për komunitetin e kësaj komune”, -tha Boli. Zona e kësaj komune, kryesisht malore, që nga malet e Dhrovjanit e deri në Zminec, përveç pasurive të tjera me burime ekonomike, ritin pa kursim edhe këtë bimë, sherebelën, e cila po të shfrytëzohet me kritere, bëhet burim i madh jo vetëm ekonomik, por edhe medikamentesh në shërbim të shëndetit të njeriut, pasi vetëm mjalti i sherebelës kuron 100 sëmundje, thonë specialistë të kësaj fushe.

Arsyet e marrjes së vendimit

Arsyeja që detyroi këtë komunë jugore dhe kryekomunarin e sajë të marrë masa radikale në mbrojtje të kësaj pasurie, është situata e deritanishme e shfrytëzimit pa kriter të kësaj pasurie dhe pasojat negative që ajo ka sjell. Dhe kjo situatë vjen që nga indiferenca e pushtetit qendror, lokal e deri tek qëndrimi qytetar dhe pse mos ta themi edhe i shoqatave ambientaliste që nuk e kanë zënë në gojë, jo sherebelën, po asnjë bimë medicenale. Kryekëshilltari i Mesopotamit, lidhur me vendimmarrjen e fundit, jep edhe konstatimet dëmprurëse të deritanishme si shfrytëzimi barbar i kësaj bime gjatë 20 viteve duke afruar rrezikun e shfarosjes së kësaj bime në këto treva, ndaj vjen edhe ky vendim për të mirëadministruar këtë vlerë të pakrahasueshme dhe kjo do vijë jo vetëm me mbrojtjeje në drejtim të vjeljes në kushtet biologjike, mbrojtjen nga zjarri, rinovimin në parcelat e shkatërruara dhe sunvecionimi për kultivimin e sajë në mënyrë agronomike.

Keqadministrimi

Kryekëshilltari Panajot Boli shigjeton keqadministrimin e kësaj pasurie nga ndërmarrja pyjore, pasi sot kemi vetëm 1/10 e sipërfaqes me sherebelë nga koha e socializmit dhe kjo është katastrofë ekologjike, biologjike dhe ekonomike. Duke parë se interesi i kësaj bime është rritur në tregun e brendshëm dhe n/kombëtar, komuna ka marrë vendimet e miradministrimit të kësaj pasurie të pa zëvendësueshme dhe masat do të jenë të pa tolerueshme ndaj atyre personave që do të tentojnë të vijojnë metodën e tyre shkatërruese në interes të përfitimit privat, përfundon prononcimin kryekëshilltari i Komunës Mesopotam në rrethin e Delvinës, studiuesi i linguistikës shqipe dhe greke, Panajot Boli.