Kush do i paguajë apartamentet pa hipotekë dhe pse ndërtimet e pas qeshorit 2014 nuk legalizohen

1749
Sigal

Ligjërohet katrahuara e pallateve të ndërtuar pa leje, të shitura kafeneve e të modifikuara me shtesa, ja taksat dhe rregullat

Pagesat e pallateve pa hipotekë do paguhen nga familjarët, ndërtimet pas qershorit 2014 nuk legalizohen

Për pallatet mbi 5 kate, taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk do të llogaritet më mbi bazën e 0.5% të vlerës së investimit, por 4% deri në 8% dhe subjekti ndërtues/investitori ose personi që ka ngritur objektin pa leje, me qëllim shitblerjen dhe/ose qiradhënien, paguan në bashki, taksën e ndikimit në infrastrukturë

Vendimi i ri “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e të drejtës së pronësisë apo qiradhënien” ka si risi faktin, që u jep mundësi drejtpërsëdrejti, qytetarëve që kanë blerë apartamente në këto pallate “ilegale” që t’u nënshtrohen procedurave të legalizimit.

Shkeljet, problemet, mangësitë

Edhe pse është ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit, duke ndryshuar projektin dhe hapësirat e truallit e pa asnjë kontroll teknik, firma e ndërtimit jo vetëm s’ka marrë përsipër përgjegjësitë, por më keq akoma nuk ekziston më mbasi ose është shkrirë si firmë, ose tjetërsuar si administrim, ose ka qene e pa licencuar. Bëhet fjalë për pallatet e ndërtuar pa leje, në të cilët janë kryer edhe shtesa të tjera të paligjshme nga banorët dhe deri në situatën ku për të njëjtin apartament. bëhet fjalë për apartamentet të cilat kanë mbivendosje pretenduesish që deklarojnë se e kanë blerë nga firmat ndërtuese, ose kur punimet nuk janë kryer të plota dhe apartamentet janë shitur si karabina, siç janë lënë pa ashensor, pa shkallë, pa kangjella anësore nëpër shesh-pushime, pa sistem uji e energjie të përfunduar e të pa lidhur. Por ka edhe shumë probleme e mangësi të tjera.
Disa nga tipologjitë e problematikave të pallateve të pahipotekuara.
Nga të dhënat që disponon ALUIZNI, mësohet se ka një numër mjaft të madh familjesh, të cilat gjenden në kushte, që nuk mund të jenë pronarë ligjorë të apartamentit të tyre, kjo për arsye të pengesave të hasura e që lidhen kryesisht, me mosinteresimin e investitorit ose me faktin, se kjo firmë nuk ekziston më. Projektvendimi i ri parashikon rregullat e reja për përfundimin e procesit të legalizimit në emër të këtyre familjeve, duke u dhënë zgjidhje pengesave ligjore, të cilat e kanë bërë gati të pamundur përmbylljen e legalizimit të tyre deri më sot.

Për pallatet e pa regjistruara, pagesat do bëhen nga familjarët që ka blerë apartamente

Për pallatet e paregjistruara, barra do t’u kalojë familjeve që kanë blerë apartamente aty. Sipas vendimit, procedurat e legalizimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit kryhen në favor të poseduesve në rastet kur firma e ndërtimit nuk ekziston më, së dyti kur ndërtuesi apo investitori nuk dorëzon brenda 30 ditëve nga dita e njoftimit dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI ose nuk shlyen detyrimet financiare që ka në ngarkim dhe së fundmi, kur prej tij nuk është paraqitur asnjë kërkesë për legalizimin deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Nëse njëra prej këtyre kushteve plotësohet, atëherë timoni kalon në duart e qytetarëve. Do të jenë këta të fundit, që autorizohen për të ndjekur gjithë procesin deri në pajisjen me tapi për apartamentin që kanë në posedim. Për dorëzimin e dokumenteve këto familje do të kenë vetëm 30 ditë kohë në dispozicion. Një gjë e tillë parashikohet edhe në pikën 6 të vendimit.

Dokumentet për regjistrim, brenda 30 ditëve

Vendimi përcakton që regjistrimi në hipotekë, të kryhet fillimisht për objektin që është lëshuar leja e ndërtimit, për të cilin kryhen paraprakisht procedurat e legalizimit. Në rastet kur firma e ndërtimit nuk ekziston më, ose është distancuar nga ndjekja e procesit, regjistrimi në Hipotekë i pallatit bëhet në emër të ALUIZNI-t. Ndërkohë, pasi të ketë përfunduar kjo fazë, do të vijohet me legalizimin e shtesave të deklaruara nga vetë familjarët.

Taksa e ndikimit në infrastruturë për pallatet, do të jetë 4-8%

Legalizimi dhe regjistrimi i pallateve të pahipotekuara pritet të sjellë edhe më shumë para në arkën e ALUIZNI-t dhe njësive të qeverisjes vendore nga mbledhja e taksës së shërbimit, taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe penaliteteve të tjera që rëndojnë mbi investitorët. Edhe në relacionin e qeverisë thuhet se në saje të këtij vendimi pritet të ketë rritje të të ardhurave, por nuk përcaktohet shifra, sepse nuk dihet ende se sa është numri i pallateve që gjenden në këto kushte.
Ajo që mund të thuhet është se për pallatet mbi 5 kate, taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk do të llogaritet më mbi bazën e 0.5% të vlerës së investimit, por 4% deri në 8%. “Subjekti ndërtues/investitori ose personi, që ka ngritur objektin shumëkatësh pa leje të organeve kompetente, me qëllim shitblerjen dhe/ ose qiradhënien, paguan pranë njësisë së qeverisjes vendore taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas pikës 2 të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar. Konkretisht në pikën 2 të nenit 27 thuhet se taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4 për qind deri në 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror. Ndërkohë në rastin kur taksa do të paguhet nga banorët, ajo do të jetë e pandryshuar, përkatësisht në masën 0.5 të vlerës së investimit. “Kur aplikues për legalizim janë banorët/poseduesit e njësive individuale të ndërtimit shumëkatësh, procedurat administrative ndiqen nga ALUIZNI në favor të tyre. Në këtë rast, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet sipas paragrafit të tretë, të pikës 3, të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’ i ndryshuar”, thuhet në vendim. Sakaq, ndonëse nuk e pengojnë procesin e legalizimit, penalitetet do të vazhdojnë të rëndojnë mbi investitorin.
“Penalitetet mbarten nga subjekti ndërtues/investitor dhe nuk pengojnë legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu. Ato llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse subjekti është duke iu nënshtruar procedurave të falimentit, ato i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit”, saktësohet më tej në projektvendim.