Shpërthimi i bombolës, 10 të plagosur në spital, 6 në reanimacion

502
Sigal

Vendngjarja: Policia sekuestron bombolën, hiqen pajisjet – Policia ka sekuestruar bombolën që shkaktoi shpërthimin e fuqishëm pasditen e së dielës. Ajo është dërguar për ekspertizë, ndërsa një nga pronarët e ëmbëltores ka filluar të heqë edhe pajisjet e dëmtuara, në përpjekje për të riparuar dëmet. Disa automjete, që u dëmtuan, ende në vendngjarje.

Ndoka: Urgjenca dështoi në transportimin e të plagosurve – Edhe pse është rreshtuar së fundmi në kampin e majtë, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, shprehet i ashpër në qëndrimin për reagimin e shërbimit të urgjencës për transportimin e 18 të plagosurve në spital. “Shërbimi i urgjencave mbërriti me shumë vonesë, i paorganizuar dhe me mangësi të theksuara në shërbim”, – tha Ndoka.

Pronarët e ëmbëltores, djegie në shkallën 40%

Pas shpërthimit të fuqishëm në zonën e “Don Boskos”, gjysma e të plagosurve janë ende të shtruar në spital. Nga të dhënat e marra nga Spitali i Traumës, rezulton se në këtë spital janë tre persona të shtruar, dy prej të cilëve në reanimacion, ndërsa pacienti tjetër në shërbimin e ORL-së. Personat e shtruar në Spitalin e Traumës janë dy meshkuj dhe një femër, më konkretisht, Nebile Muhedini, Fadil Tuzi dhe Kujtim Cami. Sipas mjekut Dritan Çela, një prej pacientëve të shtruar në Spitalin e Traumës, Kujtim Cami, 50 vjeç, është në gjendje më të rëndë shëndetësore. Ndërsa dy të tjerët kanë plagë më të lehta. “Aktualisht kemi tre veta në spital, një në ORL okulistikë, i cili do të dalë nesër (sot) paradite, pasi të marrë mjekimin e nevojshëm. Rasti tjetër është në kirurgji edhe ajo besoj se do të dalë nesër (sot paradite). Pacientët po qëndrojnë për të marrë kryesisht antibiotikë, për t’u trajtuar për plagët lokale. Ndërsa rasti tjetër që është në reanimacion, besoj do të vazhdojë të trajtohet. Mund të ketë nevojë për një tjetër ndërhyrje kirurgjikale, por kjo do të shikohet në një etapë të dytë. Ka pasur një dëmtim në kokë, tru, dëmtime të kockave të fytyrës, të cilat do të trajtohen në një etapë të dytë”, sqaron mjeku i Spitalit të Traumës, Dritan Çela. Sipas mjekëve në orët dhe ditët në vazhdim do të kemi edhe një raport më të saktë për shëndetin e tyre. Një pjesë e mirë e pacientëve janë transportuar në spitalin e djegieve plastike në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Burime nga ky spital theksojnë se bëhet fjalë për 7 pacientë, të cilët janë shtruar aty, për shkak të djegieve që kishin marrë. Katër prej pacientëve janë në gjendje më të rëndë dhe për këtë arsye janë në reanimacion. Të njëjtat burime theksojnë se gjendja shëndetësore paraqitet më e rëndë për dy pronarët e ëmbëltores ku ndodhi shpërthimi. Ata kanë marrë plagë të rënda dhe shkalla e djegies është 30-40%. “Situata paraqitet më e rëndë për dy pronarët e ëmbëltores, të cilët kanë qenë edhe më pranë bombolës së gazit në momentin e shpërthimit. Të tjerët kanë qenë në tavolina më larg dhe për këtë arsye edhe plagët e marra janë më të lehta. Ata kanë djegie në masën 30-40%, ndërsa të tjerët kanë djegie në shkallën 10%. Në spitalin tonë, kemi katër të shtruar në reanimacion dhe tre në pavijon”, sqarojnë burime nga spitali. Mjeku Ilir Nezha theksoi se të gjithë pacientët kanë marrë ndihmën e nevojshme dhe po monitorohen nga ekipi mjekësor. “Bashkëshortët Abdulla dhe Paqësie Dervishi të cilët kanë qenë në gjendje më të rëndë janë shtruar direkt në reanimacion. Atyre u është dhënë ndihma e parë dhe ka filluar terapia intensive e po monitorohen. Kanë djegie në fytyrë dhe në pjesët e sipërme dhe të poshtme. Gjendja e tyre është në rrezik, relativisht e rëndë. Pacientët e tjerë, pasi kanë marrë ndihmën e shpejtë në Spitalin Ushtarak, pavarësisht çarjeve që kishin nga eksplozivi në fytyrë në krah, sidomos një vajzë, Edlira Shima, e cila ka komplet çarje të gjithanshme i është dhënë ndihma e parë dhe ka filluar terapinë intensive. Ajo ka kaluar në reanimacion për shkak të gjendjes relativisht të rëndë që ka, por është jashtë rrezikut për jetën”, është shprehur Ilir Nezha, mjek në repartin e djegieve plastike në QSUT.