Shpend Bali Bisheva në altar të patriotizmit të malësisë së Gjakovës

1439
Sigal

Nga Gëzim Prengzi

Fshati Margegaj i Malësisë së Gjakovës (Tropojë) është shquar në çdo kohë për mënçuri,besë e bujari,strehë e sigurtë për patriotët e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Kullat e këtij fshati u kthyen në fortesa për luftëtarët e lirisë si Bajram Curri, Haxhi Zeka,Ymer Prizreni,Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina,Isa Boletini,Sadik Rama i Gjurgjevikut etj.Ndër këto kulla,më të njohurat janë ato të Maxhun Nimanit she Bali Arifit, e më pas e birit të tij,Shpend Bali Bisheva i cili është edhe objekt i këtij shkrimi.

Shpend Bali Bisheva, i gëzoi dhe fitoi tiparet më të mira të truallit të tij.I ati,Bali Arifi lindi në vitin 1830,në vitet kur po merre udhë Rilindja Kombëtare Shqiptare.Në traditën patriotike të vendlindjes, që në moshën 32 vjecare mori pjesë në kryengritjen e Krasniqes në vitin 1862 kundër Maxhar Pashës të udhëhequr nga Binak Alia,Shaqir Curri e Sokol Rama, ku forcat osmane u thyen duke lënë rreth 1500 të vrarë e të mbytur në lumin Valbona.

Bali Arifi mori pjesë në beteja e kuvende të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në memorien historike si,në aksionin e Gjakovës shtator 1878,në mbrojtje të Plavës e Gucisë 1879-1880,në luftimet për marrjen e Shkupit 1881,në betejat e Shtimje-Slivovës prill 1881,gjithashtu mori pjesë në kuvende të rëndësishme të vilajetit të Kosovës në 1889 e 1904 te Verrat e Llukës.

Në udhën e këtij patriotizmi eci edhe i vëllai, Zmajl Arifi,i cili u pushkatua vetë i tetë te Ura e Kolgecajve nga malazezët me 1915.Në këtë truall,e në këtë kullë lindi e u formua si atdhetar I biri i Bali Arifit,Shpend Bali Bisheva.

Shpend Balia erdhi në jetë në vjeshtën e vitit 1865,i ati,Bali Arifi që në vitet e para të fëmijërisë së Shpendit e dërgoi atë në familjen e patriotit të shquar Haxhi Zeka në Pejë me kërkesën e këtij të fundit, ku qëndroi për 5 vjet.

 

Gjatë qëndrimit aty Shpendi qysh i vogël u frymëzua nga përpjekjet e Haxhi Zekës e Bajram Currit për organizimin e një kuvendi kombëtar për të mbrojtur të drejtat e kombësisë shqiptare. Shpend Balia i formuar si patriot, merr pjesë përkrah malësorëve e prijësve popullorë në kryengritjet e viteve 1909-1910, kundër ekspeditave të Xhavit Pashës, në Qafë të Morinës,në qershor 1910 merr pjesë në kryengritjen e udhëhequr nga Shaban Binaku, Abdullah Hoxha, Zeqir Halili e Niman Syla kundër ekspeditës së Turgut Pashës.

Intensifikimi i lëvizjes për pavarësi gjatë vitit 1912 mori hov të madh,patriotët dhe ideatorët e kësaj lëvizjeje në Kosovë e Malësi,Hasan Prishtina,Isa Boletini, Bajram Curri bënë një punë të madhe në popull në drejtim të bashkimit në luftë kundër pushtuesit.Strehë e takimeve të tyre me prijësit popullorë ishin kulla e Shpend Balisë në Margegaj,Shaban Binakut në Bujan e Niman Sylës.

Në prill 1912 Shpend Balia me shumë malësorë merr pjesë në luftimet kundër xhonturqve në Qafë të Prushit, ndërsa me 21 prill nga shtëpia e tij për në kuvendin e Junikut,Bajram Curri, Isa Boletini,Hasan Prishtina duke u bashkuar gjatë rrugës me prijësit e Malësisë,Niman Syla, Halil Brahimi, Zeqir Halili,të cilët në Junik lidhën besën të gjithë krerët e Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit për organizimin e kryengritjes së përgjithshme për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.Në fillim të nëntorit 1912 Shpend Balia merr pjesë në mbrojtje të Plavës e Gucisë,e më pas në Shpalljen e Pavarësisë me përfaqësuesit e Malësisë së Gjakovës.

Gjatë viteve 1913-1915 kur Malësia sulmohet nga forcat malazeze, Shpend Balia ishte në radhët e para të rezistencës,në këto luftime bien tetë luftëtarë me ta edhe xhaxhai i tij Zmajl Arifi.Me çeljen e shkollës fillore në Bujan në janar 1923 me mësues Mane Shaqen dhe vendosja e saj në mars në Kolgecaj,si konvikt për nxënësit e ardhur nga zonat e largëta shërbyen kullat e Shpend Balisë,Badhec Hajdarit e Sali Manit.

Nga shtatori 1923 e deri në qershor 1924,Bajram Curri bashkë me mbështetësit e tij u përqëndruan si shumë herë të tjera në Margegaj e kryesisht te Shpend Balia ku dhe bisedohej për fillimin e kryengritjes së qershorit 1924.Dhe pikërisht këtu,te kulla e Shpend Balisë,forcat kryengritëse të Malësisë të udhëhequra nga Bajram Curri të mbledhur në vendin e quajtur “Gurët e Bali Arifit”, u nisën në drejtim të Krumës kur B.Curri shkrepi nagantin duke ju drejtuar kryengritësve:”Na koftë për hajr”.

Këtë e ka përjetësuar edhe kënga popullore: “Pushka e parë thonë, ku ka krisë, Bash tu gurët e Shpend Balisë…”. Vrasja e Bajram Currit me 29 mars 1925 preku pa masë gjithë popullin, por për Shpend Balinë e familjen e tij u shndërrua në ditë zie,dy vjet në shtëpinë e tij nuk është kremtuar asnjë festë,pasi vite me radhë B.Curri ishte strehuar aty.Edhe pas vdekjes së Bac Bajramit,familja e Shpend Balisë ishte nën survejimin e zogistëve,megjithatë ajo vazhdoi të ishte streha e Azem e Shote Galicës e Tafil Boletinit i cili shkruan në kujtimet e veta.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare,Shpend Balia ishte i moshuar për të dalë në luftë me armë,por shtëpia e tij u bë strehë e rëndësishme e Luftës.Ai u ftua për të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit,por mosha dhe shëndeti nuk e mundësuar.Pas çlirimit familja e Shpend Balisë mori pjesë në aksionet për ndërtimin e Atdheut dhe duke ndihmuar për ndërtimit e veprave ujitëse të zonës.

Shpend Bali Bisheva ndërroi jetë me 1957 në moshën 92 vjeçare duke lënë pas emrin e mirë që Malësia e Kosova do e kujtojnë gjithmonë me respekt e mirënjohje.Pasardhësit e këtij trualli,Din Imeri me djemtë e tij Shpendin e Gëzimin, gjithnjë rrezatojnë vlera që sigurojnë vazhdimësinë.