Shoqëria Civile është shprehur nëpërmjet një deklarate se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar legjislacionin dhe politikat, për t’i dhënë fund diskriminimit gjinor në politikë dhe për të promovuar pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në zgjedhje.
Në kuadër të përpjekjeve për barazi gjinore në politikë dhe në vendimmarrje, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar legjislacionin dhe politikat, për t’i dhënë fund diskriminimit gjinor në politikë dhe për të promovuar pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në zgjedhje, veçanërisht nëpërmjet kuotës gjinore në kodin zgjedhor, por edhe në dispozitat statusore të partive. Megjithatë, gratë dhe vajzat ende nuk marrin pjesë apo përfaqësohen në mënyrë të barabartë në vendimmarrje në Shqipëri, gjë që tregon se ekzistojnë ende barriera për to në politikë.
Përfshirja e grave në proceset politike është një tregues kyç i progresit, besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura. Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të trajtojnë më kujdes çështjet e barazisë gjinore dhe të përfaqësimit të balancuar gjinor në politikë, duke mos lejuar asnjë regres në arritjet e bëra deri tani dhe duke shtyrë përpara të gjithë elementët dhe mekanizmat e nevojshëm për të arritur barazinë gjinore në përfaqësimin politik në të gjitha institucionet vendimmarrëse.
Në projektligjin e paraqitur nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, “Për disa Shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019 datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” ndryshuar, duke ndryshuar mënyra e zgjedhjes së kandidatëve dhe e shpërndarjes së mandateve të subjekteve zgjedhore, duhet të shtohen edhe mekanizma mbrojtës së kuotës në dalje, për të mos rrezikuar një regres të ndjeshëm në përfaqësimin e grave dhe vajzave në Kuvendin e Shqipërisë.
Për këtë arsye mbështesim çdo nismë për rishikimin e këtij drafti dhe përgëzojmë e jemi në mbështetje të plotë të amendamentit të këtij projektligji, të propozuar nga një grup deputetësh nga partitë e ndryshme politike, për të mundësuar garantimin e të gjithë mekanizmave të pranishëm në Kod, për të ruajtur rezultatet e përfaqësimit përmes kuotave gjinore.
Së bashku me këtë deklaratë, rikujtojmë dhe depozitojmë një sërë hapash dhe masash të mëtejshme, të cilat duhen ndërmarrë për të garantuar shanse të barabarta, gjithëpërfshirje dhe barazi gjinore në politikë dhe vendimmarrje.
Puna jonë e përbashkët do të vazhdojë deri në arritjen e plotë të shanseve të barabarta dhe barazisë gjinore në politikë dhe në vendimmarrje.