Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” dekoron ish-Presidentin Nishani me titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”

964
Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” dekoron ish-Presidentin e Republikës Bujar Nishani me titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”

Tashmë Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria dekoruar, “Nderi i Kombit”, e ka bërë natyrë të punës së saj, vlerësimin e figurave patriotike, intelektuale, nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e kësaj krahine heroike (por edhe më tej) dhe atyre që kanë bashkëpunuar me shoqatën për vlerësimin e këtyre figurave. Një ndër figurat që ka gjetur vlerësimin dhe mbështetjen e Shoqatës tonë, është dhe ish-presidenti Bujar Nishani, një intelektual patriot, që ka treguar integritet, kulturë, emancipim, dije, mirëkuptim, largpamësi, ekuilibër në postin e kryetarit të shtetit. Pikërisht në datën 19 nëntor 2017, në Sallën e madhe UNESCO të Muzeut Kombëtar u zhvillua ceremonia e këtij dekorimi, ku në këtë takim merrnin pjesë, drejtues të Shoqatës “Labëria”, historianë, deputetë, akademikë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, aktorë, inxhinierë, këngëtarë, politikanë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (labi më i afërt me Shoqatën) Dr. Bujar Leskaj, nxitësi i shumë aktiviteteve Adrian Resuli, nënkryetarët e Shoqatës z. Gafur Dudaj dhe Agim Çiraku, miq dhe të afërm të ish-Presidentit, etj… Aktivitetin e moderonte e mirënjohura Silvana Braçe. Në fjalën e tij të hapjes së aktivitetit, Kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, Prof. Ago Nezha bëri një rezyme të punës dhe aktiviteteve të kësaj shoqate duke vënë theksin se kjo shoqatë është aktualisht, shoqata më aktive, shoqata më atdhetare që ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet politiko-shoqërore-ekonomike-sociale-kulturore në vend. “Emri i Labërisë, në shekuj i ka trembur pushtuesit dhe fqinjët tanë shovinistë. Jo më kot Napolon Zerva, thoshte: “Le të ketë një çikë Shqipëri, por të mos ketë Labëri”. Këto vlerësime e kanë vënë “Labërinë” para përgjegjësisë historike, për të sotmen dhe të ardhmen kombëtare. Shoqata “Labëria”, gjatë ekzistencës së saj, krahas mbështetjes, që i kemi dhënë çështjes shqiptare në trevat e Kosovës, Çamërisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, jemi munduar ta shtrijmë më tej, duke dhënë tituj nderi, për figura të shquara, me kontribute të mëdha mbarëkombëtare, siç është Kryetari i nderit, Akademiku Kosovar Rexhep Qosja. Në këtë rrjedhë, janë vlerësuar personalitete të fushave të ndryshme, si biri i Qytetit të lashtë të Beratit, Presidenti Mejdani, që është anëtar nderi i Shoqatës “Labëria” si dhe shkrimtari i shquar, devolliu Dritëro Agolli, i cili theksoi se, po të mos kisha studiuar në Labëri nuk do të isha ky poet e shkrimtar që jam sot, se atje jam frymëzuar nga fermenti lab. Por anëtar nderi, kemi pasur edhe dy figura të artit dhe muzikës që nuk jetojnë më, Shkodranët Ramadan Sokolin dhe Tish Dainë. Të më falin, që unë nuk po përmend në këtë shkrim, ato personalitete që janë bij apo bija të Labërisë, sepse janë të shumtë. Nga ky prezantim i shkurtër që bëra, del që kemi një larmi figurash të shquara të politikës, të artit, letërsisë dhe shkencës. (se në opinion e gjerë shoqëror, labët i identifikojnë me pushkën, trimërinë dhe harrojnë që janë edhe të penës e të artit). Ndër këto figura, ne sot nderojmë me një titull të lartë dhe ish-presidentin Nishani, i cili ka nderuar shumë figura patriotike dhe të letërsisë labe për vlerat e tyre te padiskutueshme” -përfundon Prof. Ago Nezha. Në fjalën e tij përshëndetëse ish-Presidenti Nishani theksoi: “Mos ju lëntë kurrë mendja dhe mos ju shteroftë asnjëherë fuqia për të nxjerrë në pah e për të lartësuar veten tuaj, traditat, kulturën, zakonet dhe sidomos vlerat tuaja që u përkasin mbarë shqiptarëve kudo ku jetojnë. At Shtjefën Gjeçovin, i cili kur ishte Ipeshkv në Elbasan, pasi mori pjesën në Luftën epike të vitit 1920, i shkruante Arqipeshkvit të Shkodrës se: “Vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe falë fëmijën.” Shoqata juaj, “Labëria”, ajo që fare mirë mund ta kishte pasur edhe emrin e madh dhe gjithëpërfshirës “Shoqata Shqipëria” apo edhe “Malësia e Jugut”, sepse që nga Vermoshi e deri në Konispol shqiptarët janë një, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtat tradita e zakone, të njëjtin përkushtim ndaj kombit dhe flamurit kombëtar. Toskë e gegë janë që të gjithë bij e bija të një kombi, sa të lashtë, aq edhe të veçantë, një kombi që mban emrin shqiptar dhe i cili aspiron me plotë të drejtë e me meritë të bëjë pjesë në familjen e madhe evropiane. Shoqata “Labëria” ka shërbyer dhe është sjellë plot devotshmëri gjatë rrjedhës së viteve si një mëmë e mirë, e cila i lind, u jep jetë, i nanuris, i ushqen e i mëkon bijtë dhe bijat e saj, jo vetëm me qumështin e ëmbël e plot kalori të kullotave të gjelbra të Labërisë, por edhe me vlerat e patjetërsueshme e nga më të vyera të kombit tone”. Më tej ai përcolli tek të pranishmit edukatën që i ka dhënë gjyshja dhe gjyshi për mikpritjen, diturinë, zemërgjerësinë, të cilët ishin nga kjo trevë e lavdishme dhe respektonin zakonet e kësaj treve dhe ishin mikpritës dhe shumë atdhetarë. Shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, nga Devolli ka thënë se: “Nuk do bëhesha ky shkrimtar që jam sot po të mos kisha mësuar në Labëri” dhe se: ‘Kur është sëmurë Liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndjen këtë grip apo këtë sëmundje, është Labëria, është trupi i Labërisë dhe, jo vetëm e ndien, por ajo merr masa edhe për ta shëruar. Gjyshi dhe gjyshja ime më kanë mësuar me vlerat më të mira të kësaj treve të lavdishme.” -përfundoi fjalën e tij përshëndetëse Nishani para të pranishmëve. Në fund të aktivitetit, dhanë program të pasur artistik grupet labe: “Çipini”, ” Grupi Tepelenës”, “Grupi Himarës”, “Antea”. 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 18.12.2015, me Nr. dekreti 9369 Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”


Sigal