Shoferët e dënuar në Greqi, reagon MPJ: Po cenohet klima e miqësisë dhe e besimit mes dy vendeve

545
Sigal

Ministria  e Punëve të Jashtme ka reaguar pas arrestimit dhe dënimit të dy shoferëve shqiptarë në Greqi teksa transportonin libra.

Në një njoftim zyrtar të MPJ bëhet me dije se shoferët janë arrestuar teksa transportonin libra për fëmijët shqiptarë në Greqi.

Sipas MPJ, procedura  e ndjekur është në kundërshtim me rregullat dhe çështja do të trajtohen në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare.

“Që prej datës 13 nëntor, pas njoftimit për ndalimin e dy shoferëve të MPJ në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, të cilët transportonin një ngarkesë me libra për fëmijët shqiptar që jetojnë në Greqi, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Kotzias, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike në fuqi.

Në të njëjtën kohë, MPJ ka ofruar asistencë konsullore dhe juridike për punonjësit e ndaluar duke mundësuar lirimin e tyre.

MPJ shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtim të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cenuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona.

MPJ do të vijoj të ndjek në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke për këtë çështje”, thuhet në reagimin e plotë të MPJ./Shqip/