Shkarkohet nga detyra ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, ja çfarë u konstatua gjatë vetingut

350
Sigal

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë është shkarkuar sot nga detyra, pasi nuk ka kaluar dot provën e vetingut.

Nw seancën e sotme komisioni njoftoi shkarkimin e saj nga detyra, pas hetimit tw kryer.
Gjatw seancës nw Veting, Beçaj e cilësoi përballje një “rast unik”, ndërsa u akuzua se nuk kishte përmbushur kriterin ligjor të dorëzimit të deklaratave në kuadër të procesit të rivlerësimit.

Me ton të lartë, Beçaj e kundërshtoi qëndrimin e KPK-së, ndërsa pretendoi se nuk mund të merrej një vendim përfundimtar për çështjen e saj.

Procesi i vetingut për Beçajn u be nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Sipas Hamitajt, KPK nuk kishte mundur të administronte dosjet me deklaratat përkatëse të Znj. Beçaj nga institucionet ndihmëse, ILDKPKI, DSIK dhe KLD dhe pas verifikimit kishte rezultuar se ajo nuk i kishte dorëzuar as brenda afateve ligjore dhe as më vonë deklaratën e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës dhe vlerësimin profesional.

“Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor që rrjedh nga dispozita e parashikuar në nenin 31 të ligjit nr.84/2016 “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë,” tha Hamitaj.

Sipas tij, Beçaj nuk shfrytëzoi as të drejtën e parashikuar në pikën 3 të nenit, përmes së cilës u jepet mundësia edhe ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve ligjorë që t’i drejtohen me kërkesë Komisionit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Relatori shtoi se KLGJ sqaronte në dokumentacionin e dërguar se në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit, Beçaj nuk ishte gjyqtare në detyrë. Vetë Beçaj i kishte sqaruar KPK-së se e konsideronte veten gjyqtare, pasi nuk kishte asnjë akt për heqjen e statusit të magjistratit gjatë kohës që ajo nuk ishte emëruar ende.

Pas përfundimit të mandatit në Gjykatë të Lartë në vitin 2013, Shpresa Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Apel u ekzekutua në vitin 2018.

Në korrespondencën në Komisionin, Beçaj ka pretenduar se kishte shkuar të dorëzonte formularët në ILDKPKI, por nuk ia kishin pranuar pasi nuk gjendej në listën e gjyqtarëve. Ajo ka shtuar se në këto kushte kishte nisur të ushtronte profesionin e avokatit dhe se nuk ka qenë gjyqtare në detyrë.

Ajo pretendoi gjithashtu se me emërimin e saj në detyrë kishin përfunduar afatet e dorëzimit të formularëve të deklarimit.

Pretendimet e Beçajt nuk e kanë bindur Komisionin, i cili konstatoi se ajo nuk i kishte ushtruar të drejtat e saj në rrugë alternative, për t’iu nënshtruar vetingut me kërkesë.
“Duket se znj. Shpresa Beçaj nuk ka pasur ndonjë shkak justifikues apo arsye madhore që të mos iu mundësonin përmbushjen e detyrimeve ligjore apo ushtrimin e të drejtave,” pohoi Hamitaj.

“Mosparaqitja e deklaratave apo e kërkesave, sipas përcaktimeve ligjore shkakton humbjen e cilësisë apo statusit të subjektit të rivlerësimit dhe pasjellë pamundësimin e Komisionit për kryerjen e procesit të rivlerësimit për këtë subjekt, me pasojat që rrjedhin nga dispozitat kushtetuese të parashikuara në nenet: D, pika 5; Dh, pika 4 dhe E, pika 5 të Aneksit të Kushtetutës”, tha Hamitaj.

Në pikën 5 të gërmës D të Aneksit të Kushtetutës parashikohet se nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra.

Avokati i subjektit, Julian Mërtiri përsëriti para Komisionit situatën unike të klientes së tij, ndërsa shtoi se situata nuk ishte krijuar për shkakun e saj.

Mërtiri sqaroi se pas largimit nga Gjykata e Lartë, Beçaj ka dorëzuar pranë ILDKPKI “deklaratën e interesave private, pas largimit nga funksioni” dhe se në tetor 2013 ka paraqitur ish-KLD-së, kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.
“Pavarësisht kësaj kërkese, KLD në mënyrë arbitrare ka refuzuar ta marrë atë në shqyrtim për afro 5 vjet, duke mos zbatuar detyrimin që ligji i ngarkonte,” tha Mërtiri dhe shtoi se në këto kushte Beçaj i është drejtuar Gjykatës Administrative me padi, duke kërkuar rehabilitimin e statusit të gjyqtarit në karrierë dhe shpërblim dëmi.

Sipas Mërtirit, Shkalla e Parë e Gjykatës Administrative Tiranë kishte vendosur detyrimin e ish-KLD-së për shqyrtimin e kërkesës së Beçajt për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa Apeli Administrativ ka urdhëruar detyrimin e nxjerrjes së aktit të emërimit. Të dyja gjykatat kanë vendosur edhe shpërblimin e dëmit si pasojë e mosmarrjes në shqyrtim të kërkesës së Beçajt.

Ai shtoi se menjëherë pas emërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë në qershor të 2018-ës, Beçaj ka dorëzuar pranë ILKDPKI deklaratën e Interesave Private “para fillimit të detyrës”.

Mërtiri shpjegoi se në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut, në tetor të vitit 2016, Beçaj nuk kishte ende një vendim përfundimtar nga gjykata për rikthimin e saj në Apel.

“Rezulton qartë se zonja Shpresa Beçaj nuk ka pasur statusin e gjyqtarit në detyrë. Është fakt dhe provohet se pas mbarimit të mandatit si anëtare e Gjykatës së Lartë dhe pas përfundimit të pagesës kalimtare prej 3 vitesh, znja Beçaj u detyrua të ushtronte detyrën e Avokatit, për të siguruar të ardhura,” tha Mërtiri, duke sqaruar se e përfaqësuara prej tij ishte regjistruar si person juridik më datë 30 qershor 2016.

Mërtiri tha se Beçaj e kishte konsideruar veten gjyqtare në momentin kur ligji i vetingut hyri në fuqi dhe iu drejtua personalisht ILDKPKI. Sipas Mërtirit, zyrtarët e ILDKPKI i kanë thënë Beçajt se nuk mund të dorëzonte formularët, pasi nuk ishte pjesë e subjekteve të rivlerësimit dhe se emri i saj nuk figuronte në listat e dorëzuara nga ish-KLD.

Mërtiri i kundërshtoi konstatimet e Komisionit duke pohuar se analiza e fakteve dhe e bazës ligjore nuk është plotësisht e saktë dhe se nuk është bërë në mënyrë tërësore dhe koherente.

“Komsioni kufizohet në relacion vetëm me konstatimin e faktit të mosdorëzimit në kohë të deklaratave, duke ‘kapërcyer’ më pas në konkluzionin se ‘nuk ka pasur ndonjë shkak justifikues apo arsye madhore që të mos i mundësonin përmbushjen e detyrimeve apo ushtrimin e të drejtave’, pa bërë asnjë analizë objektive e të kujdesshme të arsyeve që e kanë çuar në arritjen e këtij konkluzioni,” theksoi Mërtiri.

Ai i cilësoi konkluzionet si inkoherente dhe kontradiktore, ndërsa shtoi se nga relacioni nuk kuptohet se në cilën kategori të subjekteve të rivlerësimit është klasifikuar Znj. Beçaj.

Mërtiri tha se se Komisioni në konkluziuonet e tij, njëherë i referohet bazës ligjore për ish-gjyqtarët që mund t’i nënshtroheshin procesit të rivlerësimit me dëshirën e tyre – dhe në një konstatim tjetër konkludon se Beçaj nuk ka ushtruar detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratat.

Sipas avokatit Mërtiraj, konkluzioni i KPK se mosparaqitja e deklaratave apo e kërkesave, shkakton humbjen e cilësisë/statusit të subjektit të rivlerësimit dhe pas-sjell pamundësimin e Komisionit për kryerjen e procesit të rivlerësimit, bëjnë fjalë për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra në rast të mosdeklarimit në kohë të deklaratave.

Ai pohoi se nëse Komisioni do të ri-analizonte pretendimet e Beçajt, do të konstatonte se rasti i saj nuk është i përcaktuar në legjislacionin me të cilin Komisioni operon në punën e tij.

“E thënë më qartë, statusi i zonjës Beçaj ka ndryshuar nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 84/2016, duke qenë tashmë gjyqtare në detyrë, status të cilin provohet tej çdo interpretimi se nuk e ka pasur në Tetor 2016 apo Janar 2017,” tha avokati Mërtiri.
Sipas tij, Komisioni nuk mund të marrë vendim për konfirmimin në detyrë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë të Beçajt, ku rezulton se është emëruar prej 2 vitesh, nëse procesi i rivlerësimit ndaj saj do të bëhej në cilësinë e ish-gjyqtarit.

Ai shtoi se nëse nëse Komisioni do ta konsideronte Beçajn gjyqtare në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndodhej përpara një lapsusi, për shkak se në atë periudhë provohet se ajo nuk ishte gjyqtare në detyrë dhe për këtë shkak nuk kishte as detyrimin por as edhe mundësinë praktike për të dorëzuar deklaratat vetting.

Në fund të seancës, anëtari i trupit gjykues Olsi Komici e pyeti gjyqtaren Beçaj se me çfarë statusi e konsideronte ajo veten pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.

Gjyqtarja Beçaj deklaroi se e kishte konsideruar veten si gjyqtare, pavarësisht vonesës së trajtimit të kërkesës së saj nga ish-KLD. “Nuk mendoja se KLD do të shkelte Kushtetutën dhe jam shumë e indinjuar,” tha Beçaj. “Me një relacion kaq të dobët, nuk e kuptoj se si KPK mund të marrë një vendim me këtë relacion… . Më vjen keq! Më falni për emocionet,”, shtoi ajo me tone emocionale.

Beçaj u pyet për të njëjtën gjë edhe nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova.
“Unë e kuptoj mërinë e saj me KLD-në, por nuk jemi këtu për të gjykuar KLD-në. …Në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë thuhet se ju jeni gjyqtare karriere dhe nuk vihet në dyshim statusi në asnjë moment. Ndërkohë, ligji nuk përcakton ‘gjyqtarë në detyrë’ apo ‘gjyqtarë jo në detyrë’. Koncepti “gjyqtar në detyrë” ose jo, nuk ka kuptim. Ose je gjyqtar, ose nuk je!”, pohoi Ermenkova.

“Deklaratat janë formularë të thjeshtë që printohen, plotësohen dhe dërgohen tek institucionet përkatëse. Kaq e thjeshtë është,” vijoi vëzhguesja ndërkombëtare, e cila shtoi se ishte në dijeni të “sagës” së madhe që kishte kaluar Beçaj si pasojë e mostrajtimit të kërkesës së saj nga ish-KLD.

Në këtë moment ndërhyri avokati Mërtiri, i cili sqaroi se termin “gjyqtar në detyrë” e kishin përmendur për të specifikuar disa elementë. Sipas tij, ILDKPKI ka thënë se Beçaj nuk e kishte statusin e gjyqtarit dhe nuk mund të dorëzonte formularët.

“ILDKPKI nuk ka kthyer përgjigje deri më sot nëse ka dorëzuar apo jo formularë, nëse mund të dorëzonte apo jo, nëse kishte status apo jo…,” tha Mërtiri. “A ka sot një hapësirë ligjore për të dorëzuar formularët e deklarimeve…? Është situatë unike. Jemi në një situatë që nuk ka mundësi ligjore për rivlerësimin,” theksoi Mërtiri.

Në fund të fjalës së saj, Beçaj tha se ishte e gatshme që të verifikohej për çdo gjë.

“Jam e gatshme të verifikohem për gjithçka. Prandaj kam aplikuar edhe tek institucionet e reja të vetingut dhe i kam plotësuar kriteret formale,”tha ajo para trupës.

Avokati Mërtiri kërkoi në fund që të vlerësohen me objektivitet rrethanat dhe situata juridike e Beçajt. Sipas tij, faktet nuk i lejojnë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrë një vendim përfundimtar në këtë çështje.