Shitja e makinave, asnjë person s’do lejohet të sjellë më shumë se dy makina nga jashtë vendit

2140
Qeveria ka vendosur që të shtrijë operacionin kundër informalitetit edhe në sektorin e transportit rrugor. Në paketën e masave të prezantuara dje nga Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto janë të paktën 5 pika që prekin këdo që ka makinë Masat nisin nga kufizimi i importit të mjeteve nga individët të cilët do të lejohen të sjellin vetëm, 1- 2 makina në vit, tek serviset e automjeteve deri te momenti kur do të shitet. Nuk do të lejohet shitja e makinave me targa të huaja dhe tek kontrolli i varrezave të makinave

S’mund të importohen më shumë se 1- 2 makina në vit- Një individ nuk mund të importojë më shumë se 1 ose 2 automjete për përdorim personal në një vit. “Përndryshe i importon për aktivitete ekonomike, dhe nëse bëhet aktivitet ekonomik duhet të paguash gjithë detyrimet ekonomike e fiskale ndaj shtetit” deklaroi dje ministri Haxhinasto.
Regjistrimi i makinave- Një angazhim shumë të rëndësishëm do të ketë nga ana e shërbimit të noterisë i cili do të jetë i domosdoshëm në realizimin e transferimit të pronësisë.

Në momentin e regjistrimit të pronësisë do të ketë gjithashtu ndryshimet përkatëse. Automjetet duhet të jenë të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme apo në degët e drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, me qëllim që makinat të jenë paraprakisht të regjistruara në sistem dhe për këtë do ti krijojmë mundësi noterëve që të kenë akses të plotë në bazën e të dhënave që ka Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
S’ka shitje të makinës me targa të huaja – Një tjetër vëmendje do të jetë dhe shitja e makinës. Për të shmangur taksat shitja e makinës bëhet me akt përdorimi. Kjo masë do të ndalohet. Tregtari i cili evidentohet që në doganë si importues i mjetit, përpara se ta shesë mjetin të detyrohet ose ta regjistrojë në emër të tij, ose ta shesë me faturë tatimore. “Aktualisht kemi një situatë të pakendshme do të thoja veçanërisht në transaksionet që bëhen dhe në levizjen transferimin e pronësisë për mjetet e transportit qofshin private qofshin për aktivitete të ndryshme ekonomike. Rreth 90% e mjeteve të përdorura sot blehen në mënyre të pakontrolluar, të paregjistruar që përben në vetvete një informalitet të jashtëzakonshem dhe një evazion të jashtëzakonshem për sa i takon detyrimeve ndaj shtetit prandaj do ta disiplinojmë këtë cështje. 

Rregulla strikte për ç’rregjistrimin e mjeteve- “Nuk është parashikuar tarifë për këtë e posaçme, janë ato ekziztuese. Por situata është që ka shumë mjete, janë reth 25 % e mjeteve që figurojnë në bazën e sistemit tonë të të dhënave, që nuk paguajnë, nuk rregjistrohen në mënyrë periodike. Kjo do të thotë se ose janë jashtë shërbimit, ose janë hedhur në varrezat e automjeteve, ose mund të kenë shkuar përsëri jashtë shtetit. Prandaj për të stabilizuar këtë situatë, ne do të vendosim rregulla më strikte, përsa u takon çregjistrimit të mjeteve. Sigurisht referenca e kryeqëzuar që themi, nëse një individ ose subjekt, ka disa automjete që rezultojnë në sistemin tonë të të dhënave, dhe 2 i paguan, pjesën tjetër nuk e paguan, do i kërkojmë përgjigje edhe për të tjerat dhe mund të vazhdosh me rregjistrimin përkatës. Është e domosdoshme që kjo situatë problematike të stabilizohet. “ deklaroi Haxhinasto.

Shërbimi i homologimit me konçesion- “Aktualisht në Shqipëri nuk ka një shërbim që të çertifikojë përputhshmërinë e automjetit me standartet teknike fizike, që duhet të ketë mjeti për sistemin tonë të transportit. Ky shërbim mund të konçesionohet, me vendimin ri që është marrë. Që do të thotë nëse një automjet që është marrë i importuar nga një vend jashtë BE-së, ka veti fizike të ndryshme nga ato që parashikon sistemin ynë atëherë duhet të ndryshuar. Po marrë çështjen e automjeteve që vijnë nga India apo SHBA, që kanë disa element të ndryshëm nga sistemi ynë. Pra duhen bërë këto ndryshime duhen çertifikuar pastaj ky automjet të futet të shërbimin e transportit” deklaroi Haxhinasto. Rregullat hyjnë në fuqi në nëntor pikërisht kur ligji hyn ne fuqi 40 dite pas publikimit në fletoren zyrtare.

Plani i masave kundër informalitetit
-Formalizim i tregut, mjeteve të përdorura të rregjistruara për herë të parë. Kufizime për importin e mjeteve nga individë.
-Verifikim nga noterët i detyrimeve të mjeteve që ndërrojnë pronësinë.
-Kontrolle të pikave të grumbullimit të mjeteve.
-Kontrolle të subjekteve që kryejnë transport mineralesh apo karburanti mbi peshë.
-Çertifikim i serviseve të mjeteve rrugore
-Tarifë reklamash në anë të rrugës dhe kontrolle ndaj dëmtimeve të infrastrukurës rrugore dhe ndërhyrjeve pa leje.
Sigal