Shirat “shpërthejnë” lumenjtë, evakuohen banorët e përmbytur

583
Sigal

VLORË –  Shqipëria në alarm si pasojë e kushteve të këqija atmosferike. Sipas burimeve zyrtare situata paraqet rrezikshmëri të lartë në disa zona të jugut të vendit, ku dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë, Drino, Gjanica dhe Osum kërcënon për një katastrofë natyrore. Në kushtet e përmbytjeve të qindra hektarëve tokë e dhjetëra banesave, Shtabi i Emergjencave vendosi për evakuimin e detyrueshëm të banorëve. Janë evakuuar deri më tani rreth 70 familje, në komunën e Novoselës, në urën e Mifolit po në Vlorë, në Urën Vajgurore në Berat, Memaliaj etj, ndërsa 120 të pritet të evakuohen nga forcat e policisë.
 
 
Ministri Edmond Panariti, i cili kryeson nga terreni Shtabin e Emergjencës në Ministrinë e Bujqësisë paralajmëroi rrezikshmëri të lartë në orët e pasdites si pasojë e parashikimeve për reshje të dendura shiu gjatë orëve të mbrëmjes. Ai pranoi se kemi një dëm të konsiderueshëm, por tha se është shumë shpejt për të dhënë shifra për dëmin që mund t’i vijë ekonomisë shqiptare si pasojë e mbi 400 hektarëve të përmbytur. 


Ora 11:47 
Përmbytjet nga moti i keq, Bujqësia ngre Shtabin e Emergjencës
Duke marrë parasysh situatën e rënduar të përmbytjeve në jug të vendit, në Ministrinë e bujqësisë është ngritur Shtabi i Emergjencës Civile në krye të të cilit ndodhet ministri Edmond Panariti. Ai është duke inspektuar të gjitha zonat e përmbytura, ndërsa po punohet në koordinim me bordet e kullimit

Ora 10:50 Bllokohet roja i lokalit në Memaliaj, niset helikopter për evakuimin
Roja i një lokali në Memaliaj, ka mbetur i bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Vjosë. Evakuimi i tij nga forcat e policisë dhe të zjarrfikësve ishte i pamundur. Në këto kushte një helikopter është nisur për të realizuar evakuimin e tij nga ajri. Gjendja e rojes është e mirë dhe nuk rrezikohet nga përmbytjet, pasi sipas policisë roja ka hipur në pjesën e sipërme të lokalit. 

Ora 10:10 Gjirokastër, Drino del nga shtrati. Përmbytet nënstacioni,  2/3 e banorëve pa energji
Lumi Drino ka dalë nga shtrati pas 12 viteve, si pasojë e reshjeve të shumta. Më shumë se gjysma e banorëve të qytetit të Gjirokastrës prej mëse 12 orësh janë pa energji elektrike për shkak të përmbytjes së nënstacionit të vjetër elektrik, i cili gjendet në fund të qytetit në krah të Rrugës nacionale.
 
Mjaft biznese të stacionuara në pjesën e poshtme, janë përmbytur duke sjellë një dëm mjaft të madh ekonomik. Drejtues të OSHEE, konfirmojnë se situata është mjaft kritike përsa i përket përmbytjes së nënstacionit. Tërheqja e rrjedhës së lumit nga lugina e Drinos, duket mision i pamundur, kur prurjet nga jugu, janë të shumta. 


Ora 09:50 Policia e Shtetit apel qytetarëve: Anuloni lëvizjet me makina në drejtim të jugut
Dalja nga shtrati i lumenjve dhe prurjet e shumta si rezultat i shirave të rënë rrezikojnë vetëm përmbytjen e banesave por edhe bllokimin e rrugëve nacionale në jug të vendit.  Në këto kushte, Policia e Shtetit i është drejtuar me thirrje qytetarëve që duan të lëvizin në drejtim të jugut të anulojnë lëvizjet.
 
“Policia e Shtetit ka angazhuar të gjitha forcat e lëvizshme operacionale dhe gjithë efektivat e drejtorive të Gjirokastrës, Beratit, Fierit dhe Vlorës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
 
Për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi si pasojë e përmbytjeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur Shtabi i Emergjencave. 


Ora 09:45 Prefekti i Vlorës: Janë evakuuar 14 familje. Në zonë janë FNSH dhe zjarrfikësja. Pritet të vijë Delta Force me një gomone të evakuojë banorët. Eshtë një zonë problematike, por ajo çka kemi primare është evakuimi i njerëzve, më vonë do shohim dëmet. Problem është akoma Bishti i Malit në Selenicë. Kemi një bllokim rruge në Peshkëpi dhe Vllahinë ku kanë rënë një masiv gurësh.
 
Ora 09:15 Berat, evakuohen banorët e Urës Vajgurore
Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta edhe në Berat ku si pasojë e daljes nga shtrati të Osumit është përmbytur zona e Urës Vajgurore. Banorët janë evakuuar, ndërsa në Çorovodë lumi Osum ka dëmtuar urën që lidh fshatrat me Skraparin.


Ora 09:00 Evakuohen 14 familjet në Novoselë 
Dalja nga shtrati e lumit Vjosë e ka bërë të detyrueshëm evakuimin e banorëve të zonës, shtëpitë e të cilëve u përmbytën nga prurjet e mëdha që vijnë nga Tepelena, Gjirokastra dhe Përmeti. Janë në total 14 familje të cilat janë evakuuar, ndërsa një familje me 3 anëtarë në fshatin Fitore u desh të nxirrej nga policia për shkak se refuzoi të linte banesën.

Ora 08:30 Korçë, stuhia dëmton rrjetin, dhjetëra komuna pa energji elektrike
Dhjetëra komuna në Korçë janë pa energji elektrike. Prej 12 orësh komunat Moglicë, Dardhas, Proptisht, Vithkuq, Lekas, Pojan, Voskopojë, Leskovik, Miras dhe një pjesë e qytetit të Bilishtit po vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) stuhia e fortë dhe bora ka këputur telat duke shkaktuar shkëputje të energjisë. Dhjetëra punonjës janë në terren për riparimin e defekteve.


FIER – DEL LUMI ‘GJANICA’ NGA SHTRATI, PËRMBYTJE NË LAGJEN ‘1 MAJI’
 
Edhe në Fier janë përmbytur disa banesa dhe lokale e biznese në lagjen ‘1 Maji’ si pasojë e daljes nga shtrati të lumit ‘Gjanica’. Intensiteti i madh i reshjeve të shiut ka shkaktuar daljen nga shtrati të lumit duke rënduar situatën. Deri tani raportohet se nuk ka mungesë të energjisë elektrike në Fier.