Shifrat e INSTAT, zhvlerësimi i euros godet eksportet shqiptare

100
Sigal

Zhvlerësimi i euros po godet ndjeshëm eksportet shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT shitja e mallrave në muajin prill arriti vlerën e 34 miliardë lekëve, duke u tkurrur me 19% në krahasim me vitin e shkuar. INSTAT vlerëson se nënçmimi i monedhës europiane ka ndikuar në volumin tregtar pasi Shqipëria kryen pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare me vendet e Eurozonës.

Në këtë katërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 156 mld Lekë, duke u ulur me 3,4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 283 mld Lekë, duke u ulur me 0,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën e 127 mld lekëve. Në uljen e eksporteve me bazë vjetore në prill, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Tekstile dhe këpucë”. Në muajin prill, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me prill 2022 janë: Italia, Gjermania dhe Kina.

Gjithashtu, sipas INSTAT rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit. Për t’i ardhur në ndihmë eksportuesve qeveria vendosi që për një periudhë afatshkurtër ata të mos të paguajnë këstet e tatim fitimit, ndërsa se TVSH-ja do t’u rimbursohet në harkun kohor të tre ditëve.