Shëndetësia deri në vitin 2020, strategji korrupsioni edhe me 400 milionë euro koncesione

560
Përparim HALILI
Shëndetësia shqiptare edhe për 4 vitet në vijim, nuk do të dal prej kthetrave të korrupsionit të koncesioneve dhe këtë e konfirmon Këshilli i Ministrave, duke e deklaruar me VKM nr. 439, datë 17.5.2017 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë për vitet 2016-2020”. në këtë vendim, theksohet se shëndetësia shqiptare do të vazhdojë partneritetin publik-privat, duke vijuar koncesionet në krejt shërbimet e saj. Nuk e dimë se çfarë do të bëjnë mijëra mjekë, infermierë dhe zyrtarë të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri, gjersa ky shërbim do të jepet me koncesione tek privatët, por siç përcakton kjo strategji “rilindëse”, shërbimi mjekësor për popullatën do të krijoj një masakër sociale-ekonomik për mijëra familje pa të ardhura e sidomos për shtresat në nevojë të cilat jetojnë nën nivelin e varfërisë, me tendencë thellimin e kësaj varfërie. Se çfarë ndodhi dhe po ndodh me koncesionet në mjekësinë shqiptare, këtë e kanë treguar faktet e shumta në lidhje me miliardat që u janë dhënë klientëve të kupolës së “rilindjes” nëpërmjet ish-ministrit Ilir Beqja, i cili firmosi e vulosi dhe dhuroi afro 600 milionë euro nga buxheti i shtetit, për gjoja shërbime “pa pagesë’ në shëndetësi, kur realisht ato paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nga borxhet që merr qeveria nëpër botë e që shlyhen po nga shqiptarët. Të ftuara në këtë partneritet Publik-Privat janë ata që marrin koncesionet pa paguar asnjë qindarkë e që i ushtrojnë si aktivitete në mjediset, në objektet dhe me burimet njerëzore të shëndetësisë shqiptare, madje edhe pa paguar asnjë qindarkë taksë! Ky pazar korruptiv që maskohet pas partneritet publik-privat me termin “koncesion”, do të vazhdojë edhe për 4 vitet e ardhshme, miratuar me VKM nr. 439, datë 17.5.2017, me objekt strategjinë e shëndetësisë në Shqipëri, deri në vitin 2020. Siç dihet, koncesionet dhe tenderët e mëdhenj të shërbimeve të tjera rutinë në shëndetësi kanë pasur një kosto financiare mbi 600 milionë euro, me tendencë rritjen kësaj vlere. Sipas strategjisë, nga “arka” e buxhetit të shëndetësisë do të jepen edhe 400 milionë euro koncesione. Se në cilët sektorë do të jepen, kjo nuk thuhet në planin strategjik, por do të jepen. Nisur prej faktit që nuk adresohen me sektorë koncesionet, tregon se kjo nuk është strategji, por qëllim i kupolës së ‘Rilindjes” për të vijuar zhvatjen e fondeve shtetërore në mjekësi, duke ua hequr ato nevojave mjekësore jetike të popullatës e duke i dhënë si “thasë” me miliona euro për klientët tyre. Provat e koncesioneve të tilla në shëndetësi, janë dhënë në katër vitet e mandatit të parë të pushtetit të Rilindjes”, duke nisur me një krim financiar e shtetëror të quajtur “Check-up”, sajuar, propozuar, firmosur e vulosur nga ish-ministri Ilir Beqja, duke ia dhënë Vilma Nushit, klientes së “oborrit kryeministror”, me vlerë 120 milionë euro për 10 vite. Seria e abuzimeve me logon “Partneritet Publik-Privat” vazhdoi me koncesionin 85 milionë dollarë të Hemodializës, që iu dha po Vilma Nushit, nëpërmjet emrit të një shitësi kukurecësh në Berat. Kjo histori abuzimesh, vazhdoi me koncesionin 105 milionë euro të laboratorëve mjekësorë, me koncesionin e regjistrit elektronik mjekësor, me koncesionin e recetës mjekësore elektronike, me koncesionin e ushqimit dhe lavanderisë në spitale, me koncesionin e evadimit të mbetjeve spitalore, me koncesionin e parkingut në QSUT, me koncesionin e protezave ortopedike, me koncesionin e rimbursimit të TVSH për ilaçet e diabetit. Këtë skemë abuzimesh e përfitimesh me fondet e buxhetit të shëndetësisë të zbatuar në vitet 2013-2017, “Rilindësit” kanë deklaruar se do ta vazhdojnë deri në vitin 2020, nëse marrin përsëri pushtetin, që do ët thotë se mund të jepet me koncesion edhe vetë administrata e Ministrisë së Shëndetësisë! 
Letër në “Telegraf” 

Tregtarët po na vjedhin në peshë, në 90% të produkteve ushqimore
Ne që jua shkruajmë, jemi banorë të Tiranës. Kemi konstatuar, se pesha e produkteve që shiten si ato të ambalazhuara dhe ato të hapura, na jepet me mangësi deri në 50-60 gramë për produktet që kanë konsum masiv në familjet tona. Pesha e mangët e produkteve funksionon zinxhir nga tregu me shumicë e deri tek shitësit e vegjël nëpër lagje, të cilët shesin me peshore të ‘regjistruara” me ulje gramaturash. Drejtoria e Përgjithshme të Metrologjisë ka marrë disa denoncime nga ne dhe na ka premtuar se do të ndërhyjë për ta ndalur këtë vjedhje që na bëhet, por kjo vjedhje vazhdon pa asnjë ndryshim. Pa bërë komente, po i referohemi një raporti të publikuar nga KLSH sipas të cilit rezulton shqetësimi që bëjmë edhet ne. Sipas raportit të KLSH, nuk janë përfshirë dhe rrjedhimisht mbuluar nga verifikimi i Metrologjisë, fusha kryesore ku përdorimi i instrumenteve ka ndikim të konsiderueshëm dhe të vlerësuara me risk nga BE dhe organizatat ndërkombëtare të metrologjisë në mbrojtjen e konsumatorit si: në aparaturat mjekësore, ato për vlerësimet e ndotjes së mjedisit, sigurinë publike, kohët bisedore etj. Gjithashtu DPM nuk ka kontrolluar (inspektuar) herë pas here veprimtarinë e personave juridikë dhe fizikë të autorizuar, për pasojë nuk është në gjendje të japin përgjigje mbi cilësinë dhe saktësinë e matësve të energjisë elektrike dhe atyre të ujit të pijshëm, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me matjet. Konstatohet se komisioni i ankimit nuk ka hequr asnjë prej gjobave të vendosura, duke konfirmuar në këtë rast dhe veprimtarinë e inspektorëve, pavarësisht ndryshimit të bazës ligjore. Gjithsesi shqetësimi po vazhdon dhe ne si konsumatorë të pritshëm po vidhemi përditë prej tregtarëve, të cilët nuk pranojnë të na peshojnë produktet e ambalazhuara si dhe i bëjnë marifet peshës për produktet e hapura, duke manipuluar regjistrin elektronik të peshoreve.
Çmimet e reja fiskale të shit-blerjes së apartamenteve në Tiranë dhe 12 qarqe, kanë nisur nga janari 2017
Tabela e çmimeve të apartamenteve në Tiranë dhe në 12 qarqet e vendit, ka pësuar ndryshim të ri, përcaktuar sipas një skedimi zyrtar, të miratuar edhe nga qeveria, për çdo metër katror sipërfaqe të shfrytëzueshme dhe mjedise të përbashkëta, të cilat llogariten si sipërfaqe për blerësit e apartamenteve, zyrave e mjediseve të tjera të një objekti. edhe pse flitet për ulje të nivelit të konsumit, çuditërisht tabela e çmimeve të apartamenteve në Tiranë ka ardhur dhe është fiksuar në rritje edhe zyrtarisht, pra për efekt tatimi e takse regjistrimi hipotekor për çdo metër katror të blerë! këto çmime, në krahasim me vitin 2016 janë rritur. dhe tashmë, tabela e tyre miratuar e fiksuar nga qeveria dhe ka hyrë në fuqi. Çmimet e reja fiskale për shitblerjen e apartamenteve për 12 qarqet e vendit dhe 32 zonat kadastrale të Tiranës, jo vetëm nuk janë të niveluara, por edhe janë të shkallëzuar me disnivele të ndjeshme, sipas “vlerës” së qarqeve, rretheve, qyteteve, zonave e lagjeve, me epiqendër Tiranën si qytet e rreth! Çmimet e reja fiskale do të përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme për rastet e shitjes dhe blerjes së një apartamenti, por edhe për procesin e rivlerësimit. Duke iu referuar tabelave zyrtare, çmimet në Tiranë nuk kanë ndryshuar në 23 zona kadastrave. Janë rritur çmimet fiskale në 5 zona kadastrale dhe janë ulur në 4 të tjera. Për procesin e rivlerësimit, afati i të cilit është deri më 28 shkurt, zyrat e Regjistrimit do të përdorin çmimet e reja fiskale, me qëllim llogaritjen e çmimit të shtëpisë sipas vlerës së tregut. Ndërsa për çmimin e mëparshëm, për rastet kur shtëpia është privatizuar pas vitit 1990 do të llogaritet referuar çmimit fiskal të vitit 1996. Në rastet se shtëpia është blerë, pra ka kontratë shitjeje, çmimi i mëparshëm fiskal llogaritet duke iu referuar çmimeve fiskale, që kanë qenë në fuqi në vitin kur është krijuar pasuria. Në udhëzimin e qeverisë, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave ka shënuar ulje modeste, nga 39.587 lekë që ishte në 2015 është 39.281 dhe kjo ka ardhur për shkak të uljes së çmimeve të lëndëve të para. 
Sigal