Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor, Prof. Asoc.Dr. Bajram Begaj, vizitë zyrtare në Turqi

82
Sigal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj, i shoqëruar nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Arben Kingji dhe përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të FA, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara, Turqi, me ftesë të homologut të tij, gjeneral Yaşar Güler.

Gjatë vizitës në Ankara, gjeneralmajor Begaj, fillimisht vendosi kurorë në Memorialin Mauzole në nderim të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Më pas, gjeneralmajor Begaj u prit me nderimet më të larta ushtarake dhe zhvilloi një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke, gjeneral Yaşar Güler.

Në takimin me gjeneral Güler u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ushtarak dypalësh dhe aktivitetet e përbashkëta midis Forcave të Armatosura. “Bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes është intensiv dhe për Shqipërinë, Turqia është dhe mbetet një partner strategjik me marrëdhënie të shkëlqyera. Falënderimet më të përzemërta për shtetin turk për të gjithë ndihmën, asistencën dhe mbështetjen e dhënë ndër vite për edukimin dhe arsimimin ushtarak, mbështetjen e vazhdueshme mjekësore për Forcat e Armatosura, por edhe ndihmën për tejkalimin e pasojave të tmerrshme të tërmetit, që goditi Shqipërinë në vitin 2019 dhe më pas për përballimin e pasojave nga pandemia Covid-19”, – theksoi gjeneralmajor Begaj në fjalën e tij.

Gjeneral Güler nga ana e tij e falënderoi gjeneralmajor Begaj për vizitën si dhe vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin ushtarak dypalësh, duke siguruar se Forcat e Armatosura turke do të vazhdojnë mbështetjen, duke rritur nivelin e asistencës në fushën e trajnimit dhe arsimimit ushtarak, stërvitjes si dhe modernizimit të FARSH.

Vizita e delegacionit vijoi më tej në Komandën e Forcës Tokësore dhe atë të Forcave Speciale turke, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Forcave tona të Armatosura, në kuadër të stërvitjeve, trajnimeve dhe aktiviteteve me NATO-n, po ashtu edhe ato të përbashkëta midis dy vendeve.