Sfidat e menaxhimit të situatave emergjente në Policinë Zjarrfikëse të qarkut të Gjirokastrës

622
Sigal

Është i vërtetuar herët fakti se ne harrojmë shpejt.

Për këtë arsye tani që reshjet kanë pushuar, është mirë të kthejmë vështrimin nga ato institucione të cilat përballen të parat me situatat e jashtëzakonshme.

Policitë Zjarrfikëse të qarqeve janë repartet të cilat menaxhojnë situatat ekstreme, që për të thënë të vërtetën nuk janë të pakta në harkun kohor të një viti. Për ta vërtetuar këtë, do të mjaftonte një shifër e ndërhyrjeve operacionale të policisë zjarrfikëse të qarkut të Gjirokastrës.

Vetëm vitin e kaluar janë realizuar 242 ndërhyrje operacionale, nga të cilat 32 janë operacione shpëtimi. Qarku i Gjirokastrës në të cilin përfshihen bashkitë e Memaliajit, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës dhe Libohovës është përballur një vit më parë me 210 zjarre, 60 prej të cilave kanë rënë në banesa dhe objekte administrative, 114 në pyje dhe kullota dhe 2 zjarre në banesa me statusin e monumentit të kulturës, njëra prej të cilave u shpëtua nga djegia dhe ky është një rast i rrallë, për të mos thënë i vetmi.

I pyetur se si menaxhohet kjo situatë në Jug të vendit kreu i Policisë Zjarrfikëse të qarkut të Gjirokastrës, n/komisar Kujtim Bizhga pohon se ngarkesa është vërtetë e madhe dhe një nga faktorët decizivë, përveç teknikës që kemi në dispozicion sigurisht, është efektivi, harmonizimi i veprimeve të të cilit siguron suksesin apo dështimin e një operacioni.

Jemi munduar, thotë ai, “të përzgjedhim në staf individë që karakterizohen nga guximi dhe trimëria, kuraja, shkathtësia, përgatitja fizike e psikologjike, puna në grup, ndjenja e sakrificës dhe humanizmit. Pa këto cilësi nuk mund të jesh pjesë e efektivit të Policisë Zjarrfikëse”, përfundon ai. Por një nga elementët kyç, sipas tij, është edhe stërvitja ku punonjësit vihen në prova dhe situata të ndryshme emergjence duke filluar me marrjen e informacionit, nisjen në vendngjarje dhe strategjinë e ndërhyrjes në rastin e ngjarjes së supozuar. Temat e ngjarjeve të supozuara janë përzgjedhur mbi bazën e ngjarjeve reale që ndodhin në këtë qark gjatë një viti. Ato kanë të bëjnë më bllokimin e personave në një ndërtesë, brenda automjetit në rastin e një aksidenti dhe ajo që është më specifike për qytetin, situata kur zjarri përfshin një banesë karakteristike apo monument kulture. Për të realizuar objektivat që në fakt përmblidhen në një folje ” të shpëtojmë “, çdo ditë në repartin e policisë Zjarrfikëse të qarkut kryet stërvitje dy orëshe, ndërkohë që një stërvitje me e specializuar realizohet me efektivët e rinj të këtij reparti.

Policia Zjarrfikëse e qarkut të Gjirokastrës për vetë vendndodhjen, ka situata që i përballon në bashkëpunim, edhe me forcat homologe greke. Situatat më të shpeshta janë ato ta zjarreve në stinën e verës të cilat përfshijnë pyjet në kufi të dy vendeve. Së fundi, falë këtij bashkëpunimi dhe vizitave të ndërsjella në këtë repart, ka ardhur edhe një automjet zjarrfikës dhuratë nga homologët e Janinës. Tashmë të gjitha mjetet e repartit janë në funksion dhe gatishmëri të plotë.

Një element i ri i cili mungonte në këtë repart siç është ndërlidhja e efektivëve me anë të radiove në kushtet operacionale, është siguruar së fundi falë këmbënguljes së drejtuesit të saj Bizhga.

Emergjencat që shkaktohen nga rënia e reshjeve të shumta të shiut nuk janë të panjohura në këtë rajon, i cili sipas statistikave njihet për nivel të lartë në rënien e reshjeve gjatë një viti në shkallë vendi. Por, ndërhyrjet në këto raste janë më të veçanta. Sipas Bizhgës, edhe pse situata të tilla janë përballuar me sukses të plotë po shikohet me përparësi mundësia e shtimit të inventarit të repartit me një apo dy motobarka të cilat do të ishin mjaft efikase në zonat e Memaliajit apo luginës së Drinosit. Rasti i qytetarit nga Memaliaji, i cili u shpëtua përmes ndërhyrjes nga ajri me anë të helikopterit, të mbërritur nga Tirana, mund të ishte realizuar fare mirë në këtë mënyrë.

Por duket se kontributi i efektivëve të këtij reparti gjatë situatës që shkaktuan reshjet nuk ka ndalur vetëm tek detyra. Përveç saj, ata kanë kontribuuar edhe me një sasi të konsiderueshme ndihmash për zonat e përmbytura.

Kur e pyesim për sfidën e perspektivës në repartin që menaxhon dhe drejton, z/ komisar Bizhga pohon se ajo lidhet me qytetin e UNESKO – s, Gjirokastrën.

Sipas tij, rrugët e ngushta të qytetit e bëjnë shpesh të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Për këtë arsye, alternativat për të ndërhyrë jo vetëm në kohë, por edhe për të shpëtuar nga djegia shtëpi monument kulture, tek të cilat mund të mbërrish vetëm përmes sokakëve të ngushtë që ndodhen larg rrugëve me standarde normale, sipas Bizhgës janë dy, dhe sigurisht që do të përdoren të dyja.

E para, është sigurimi i dy automjeteve të vogla të përshtatshme për rrugicat e qytetit në disa lagje si Pazar i vjetër, Palorto e Dunavat dhe, e dyta, bashkëpunimi me banorët e lagjeve karakteristike për të evidentuar depozitat tradicionale të ujit (sterat) të cilat mbajnë nga 60 deri në 80 metra kub ujë. Përdorimi i tyre do të ishte i thjeshtë përmes një pompe që punon me benzinë. Ngritja e disa stacioneve të tilla në këto lagje dhe trajnimi i banorëve në përdorimin e tyre nga ana e specialistëve tanë do ta bënte vetë komunitetin ndërhyrësin e parë në shuarjen e zjarrit deri në mbërritjen e efektivëve të policisë zjarrfikëse. Situatat e emergjencës, edhe kur përballohen me sukses të lënë mundësinë gjithmonë për të përmirësuar dhe korrigjuar diçka.

Në fakt, eksperienca më e mirë fitohet në situata reale. Prandaj, them se mund të reflektojmë edhe pas reshjeve të fundit në përmirësim të punës për të mbrojtur sa më mirë individin,mjedisin, banesat dhe monumentet tona, përfundon Bizhga.

  Ilirjan DUKA