Sejdini: “Nuk u japim asnjë qindarkë firmave, nuk merren në dorëzim rrugët”

511
Qyteti i parë në Shqipëri pas ardhjes në qeverisje të koalicionit të majtë, që nisi zbatimin e projekteve për “Rilindjen e Qyteteve”, dhe që qeveria Rama u tregua shumë dorëlëshuar, ishte pikërisht Elbasani. Nga ky qytet nisi zbatimi projekteve për rehabilitimin e të gjitha akseve rrugore, shtrimin e trotuareve, kanalizimi dhe gjelbërimin e tyre, ndërtimin e një sistemi të ri ndriçimi, duke menduar arritjen e standardeve europiane. Fillimisht është dukur se firmat fituese të tenderëve, nisën seriozisht të punonin me cilësi, duke e marrë punën shtruar-shtruar, pasi ndarja e parave (10 milion eurove nga qeveria) ishte bërë bazuar në projektet e dorëzuara nga Bashkia e Elbasanit. Por pas afro 5 muajsh nga nisja e punimeve dhe afro 2 muaj nga “dorëzimi” de fakto i akseve rrugore, duke pretenduar se “janë ndërtuar krejtësisht nga e para”, atyre po u del tabani. Qytetarët e Elbasanit ankohen në Bashki, në media dhe kudo, se rrugët e reja janë katandisur më keq se ishin, gropa-gropa, mungon vijëzimi i tyre, cilësia e trotuareve, gjelbërimi, etj. Ankesat e tyre duket se kanë mbërritur deri tek kryetari Bashkisë Qazim Sejdini, i cili pas konstatimeve ka përkrahur mendimin dhe pretendimin e qytetarëve dhe ka deklaruar se “asnjë qindarkë nuk do tu lëvrohet firmave ndërtuese, në rast se rrugët nuk do të jenë sipas standardeve europiane”. Pothuajse të gjitha akset rrugor nga stadiumi deri tek Posta, rruga e re tek shkolla 9 vjeçare “Sule Harri”, apo edhe ajo tek konvikti i studentëve dhe tregu gabit, kanë probleme dhe janë akoma të pambaruara. Ndërkohë Bashkia ka ripërsëritur paralajmërimin e saj se “rrugët e reja do t’i nënshtrohen një kontrolli cilësie nga një komision specialistësh”, duket se firmat ndërtuese akoma nuk kanë nisur procesin e rehabilitimit të akseve rrugore që janë kthyer në ferr për qytetarët dhe poseduesit e makinave. Afati i fundit ishte muaji janar 2015 për dorëzimin e rrugëve të reja, por duket se cilësia e dobët dhe ankesat e qytetarëve, ka frenuar firmat ndërtuese të rikthehen në Elbasan. Nga burimet bashkiake mësohet se “firmat zbatuese të projekteve për ndërtimin e rrugëve të Elbasanit ishin nga rrethet e tjera dhe ndoshta kjo ka bërë që edhe kërkesa e llogarisë të mungojë ndaj tyre. Në Elbasan ka mjaft firma ndërtuese dinjitoze, që kanë ndërtuar rrugë me standarde, por që prej afro 2 vitesh ato nuk qasen dhe nuk u jepet asnjë tender që lidhet me investimet publike në këtë qytet. Qytetarët e Elbasanit po kërkojnë çdo ditë arsyen e vërtetë të katandisjes së rrugëve të qytetit të tyre në atë gjendje dhe i bëjnë apel kryetarit të Bashkisë dhe kryeministrit Rama, të bëjnë transparencën e fondeve të dhëna për “Rilindjen e Qytetit” të tyre. Por më befasuese mbetet qëndrimi i opozitës në Elbasan, e cila pothuajse e ka shuar zërin e saj si në Këshillin Bashkiak, ashtu edhe në foltoret e tjera, për të qenë oponent e fortë për fatet e qytetit dhe qytetarëve. Rilindja e qyteteve, natyrisht nisi si një “ide” e Ramës, për të parapërgatitur terrenin e duhur për fitoret e shumicës së bashkive në 21 qershor. Por duket se në fushatën elektorale, kandidatëve të majtë do ti duhet të përballen edhe me punën defiçitare dhe cilësinë e dobët të rrugëve të reja dhe investimeve, veç problemeve të tjera, ku më specifiku për Elbasanin, mbetet punësimi dhe rritja e numrit të familjeve të varfra.
Sigal