Av. Kujtim Cakrani: Kur në gjykatë mungon drejtësia…

585
Tashmë, korrupsioni në drejtësi, në vendin tonë, është bërë një problem që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ky “kancer” që ka mbërthyer këtë sistem, është kryefjala e çdo raporti të organizmave ndërkombëtare. Natyrisht, në këtë vorbull nuk mund të fusim gjithë gjyqtarët, pasi shumica janë me shumë integritet në punën e tyre.
Unë, në këtë shkrim dua të ndalem tek ata gjyqtarë që, për faqen e zezë, me vendimet e tyre nuk turpërojnë vetëm vetën e tyre por, ata nxijnë edhe punën e gjyqtarëve të ndershëm të këtij vendi.
Një nga këta gjyqtarë është edhe i “famshmi” K. Dh., i cili tashmë është bërë i njohur për mbarë opinionin shqiptar, për fshehjen e pasurisë nga ILDKP dhe mospranimin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe President i Republikës së Shqipërisë, që ky të pezullohej nga detyra dhe të ndiqej penalisht për këtë vepër penale.
Gjyqtari K. Dh. nga Shkodra, ku prej nëntë vitesh punonte në këtë gjykatë, me hapjen e gjykatave administrative në vitin 2013, ai transferohet në Gjykatën Administrative të shkallës së parë Vlorë.
Duke qenë se fjala e urtë popullore thotë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, shumë shpejt u “rehabilitua” me situatën, krijoi rrjetin e tij të menaxherëve, kryesisht avokatë, topografë, dhe lloj-lloj llumi, të cilët i bashkonte jeta pas pune, që e kalon duke pirë whisky.
Unë, para disa muajsh pata rastin të bëja një proces gjyqësor më të dhe vendimi që mori ishte kundër meje, natyrisht unë nuk pretendoj të fitoj çdo çështje, por, ky gjyqtar, me vendimin e tij, arriti deri tek e paimagjinueshmja, sa vendimin e dhënë e bazoi mbi prova që nuk ishin administruar në procesin gjyqësor. Natyrisht, që vendimi i tij u prish nga Gjykata e Apelit.
Gjatë periudhës 18-mujore në Gjykatën Administrative të shkallës së parë Vlorë, gjyqtari K. Dh., ka hapur pranë Prokurorisë së Vlorës shumë çështje, për faktin se, ky gjyqtar, gjatë seancave gjyqësore, konfliktohet me palët ndërgjyqëse, kjo si rrjedhojë e njëanshmërisë që tregon për palët që i kanë dhënë ryshfet.
Rasti i fundit ishte sot, me palët ndërgjyqëse, M. C. dhe M. A., ku ky gjyqtar, në shkelje flagrante të ligjit vazhdon gjykimin e çështjes, duke iu referuar dokumenteve të falsifikuara, si vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, vendim i cili nuk gjendet pranë arkivës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
Edhe pse ky gjyqtar është i bindur që ky vendim është i falsifikuar, pasi, sipas dy kërkesave të tij drejtuar Agjencisë është konfirmuar se vendimi objekt gjykimi nuk ekziston, gjyqtari K. Dh., në shkelje të procedurës, duke e ditur se pala paditëse M. C., ka paraqitur në gjykatë një vendim të falsifikuar vazhdon gjykimin e çështjes.
Ky gjyqtar mostër nuk duhet të ketë vend në sistemin e drejtësisë, pasi me korrupsionin që bën, po i detyron njerëzit të shkojnë drejt vetëgjyqësisë, duke favorizuar bandat e hajdutëve, të cilët nuk janë vetëm menaxherë por, edhe tutorë të tij. Ky lloj gjyqtari duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë nga sistemi i drejtësisë.
Është shumë e turpshme që të vazhdohet në këtë mënyrë, ndoshta ka ardhur koha që të ndërgjegjësohen të gjithë, duke denoncuar këta abuzues të ligjit, me qëllim që këtij populli dhe mbarë opinionit publik t’i kthehet shpresa e munguar tek drejtësia.
Sigal