Saranda, metropoli i turizmit shqiptar vuan nga mungesa e sinjalistikës rrugore

663
Sigal

Saranda, metropoli i turizmit shqiptar, por me pretendime edhe në shtrirje gjeografike përtej kufjeve shtetëror për menaxhimin e turizmit, fatkeqësisht, prej disa vitesh, vuan nga mungesa e sinjalistikës rrugore dhe orientuese. Për vite me radhë, në pushtetin e të majtëve e të djathtëve, janë hedhur projekte e janë miratuar vendime të ndryshme, pa harruar edhe shoqërimin e këtyre vendimeve me fonde. Por situata është dëshpëruese dhe shumë shqetësuese për qytetarët, të cilët tani në situatën e fillimit të vitit shkollor kanë kërkuar që të merren masa. Jo se ky fenomen i mungesës së sinjalistikës rrugore dhe tabelave orientuese nuk jep efektet e sajë negative gjatë sezonit veror turistik, por trafiku i rënduar nga fluksi veror si në automjete, edhe atë njerëzor, nuk lejon lëvizjen e shpejtë të automjeteve brenda qytetit dhe në një farë mënyre drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të ecin me shpejtësinë që lejon rregullorja e qarkullimit rrugor në qendrat e banuara. Por të mos harrojmë edhe një herë, se kjo është e detyruar nga fluksi i lartë i automjeteve, jo nga kultura rrugore dhe respektimi qytetar i saj.

Situata pas sezonit turistik

Dhe vjen koha kur sezoni veror përfundon e fluksi i automjeteve ja lë vendin jetës rutinë të qytetit, por edhe fillimit të vitit mësimor, që për fat të keq, në qytetin e Sarandës, si ndërtesat e arsimit parauniversitar, ashtu edhe ajo universitare, ndodhen buzë rrugëve automobilistike të qytetit. Kjo bën që të shfaqet rreziku i jetës për qytetarët dhe nxënësit e shkollave, pasi vihet re një numër i madh automjetesh para shkollave në shpejtësi marramendëse, që nuk lejohet as në autostrada. Aty krijohet një zhurmë dhe një rrezik i madh dhe policia tregohet moskokëçarëse ndaj këtij fenomeni kërcënues për jetën e kalimtarëve dhe nxënësve. Prezenca e policisë, tanimë i takon një të kaluare të largët, gati një ëndërr e qytetarëve për ta parë rreth shkollave, se edhe kur kalojnë, bisedojnë me guiduesit e automjeteve, që në shumicën e rasteve janë adoleshent pa mbushur moshën e pajisjes me dëshminë e aftësimit për të guiduar automjetin. Kërcënimi është serioz dhe qytetarët janë të lodhur nga premtimet… por përsëri me shpresë se ministri i ri i rendit do të kthej sytë edhe tek qetësia dhe siguria në shkolla, se më kërcënuese se shpejtësia marramendëse, sa thua se shikon pamje të filmave “Aksion”, janë edhe futja e parakalimit në segmentet rrugore të ndaluara, pra në krah të kundërt dhe qytetarët, në mungesë të semaforit, janë të hutuar se nga ta kenë mendjen për të siguruar kalimin. Me të vërtetë Saranda përjeton një kaos, frikë, ankth dhe kërcënim, një pasiguri në trotuaret dhe rrugët e qytetit nga mos menaxhimi i qarkullimit rrugor brenda kuadrit ligjor.