Samiti i Diasporës, Rama: Unifikim të teksteve arsimore dhe mënyrë e re e organizimit të mësimdhënies

501
Sigal

Theksi i veçantë i Samitit të Parë të Diasporës, për Kryeministrin, ishte unifikimi i teksteve arsimore dhe mënyra e organizimit të mësimdhënies mes gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Rama: E kam vënë re se me sa shumë forcë është ngritur kudo nga ju në këto ditë çështja e organizimit të mësimdhënies në vise ku diaspora jeton dhe zhvillon jetën e saj komunitare dhe për në përparësi e padiskutueshme mbetet dhe do të vazhdojë të jetë që të unifikojmë cilësisht instrumentet pedagogjik dhe didaktik mes institucioneve të Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Rrjetin Arsimor në Diasporë.

Nuk mund të mos përmendte dhe situatën e marrëdhënieve me Greqinë, por pa ia përmendur emrin shtetit fqinj.

Rama: Ka një rezistencë të mirëkuptueshme nga struktura jonë shtetërore për këtë ide të cilën unë në fakt jam përpjekur ta nxis vazhdimisht që ditën e parë sepse halli është mos mërziten disa fqinj dhe ca miq, por të shofin ambasada dhe konsullatat shqiptare me dy flamurët e dy republikave tona në të njëtin ballkon. Fqinjët dhe miqtë e kanë bërë zakon në kohëra të tjera që të mërziten kur ne shqiptarët kërkojmë as më shumë dhe as më pak po të drejtat  tona dhe bëjmë gjënë e duhur në respekt të dinjitetit tonë, kurrë duke fyer apo aq më keq kërkuar të shkelim dinjitetin e të tjerëve. Prandaj jemi ne që duhet t’i ndihmojmë fqinjët dhe miqtë ta harrojnë atë zakon dhe ta mësojnë njëherë e mirë, se kur Shqipëria mikut i thotë mik kur nuk ja ka me hile dhe as tekanjoze me të nuk është, pro ama hilet dhe tekat nuk i pranon më, sepse përndryshe miqësia nuk është e vërtetë dhe fqinjësia nuk është e mirë.

Për t’iu përgjigjur  atyre që kritikuan mënyrën e organizimit të samitit, kryeministri zgjodhi një shprehje të Faik Konicës.

Rama: “Ca kaptie e ca alkoolik, ca kafshë armiq të amshuar të çdo përparimi të cilët e marrin kufirin e mendjes së tyre për kufirin e botës nuk e kanë pëlqyer kurrë asnjë qëllim tonin. vërtet është me lehtë të pijë raki njeriu, të pështyjë të shara se përpiqet të kuptojë. Po këtu kuptimi nuk është fare i vështirë. A ka punë më të kulluar dhe më të kuptueshme sesa kjo?”

Kryeministri kërkoi ky samit të ketë rezultat në mënyrë që në samitin e ardhshëm, duke siguruar vazhdimësi.

Më herët kryetari i parlamenti Ilir Meta i konsideroi përfaqësuesit e diasporës, ambasadorë të përhershëm të Shqipërisë, ndërsa nënvizoi nevojën e një regjsitri të plotë të shqiptarëve në Botë.

Meta: Sot është e nevojshme të kemi një regjistër të plotë të diasporës sonë të shoqëruar me një studim gjithëpërfshirës mbi shtrirjen e saj gjeografike, mbi nevojat dhe problemet që ajo përballon, mbi nivelin e integrimit në vendet pritëse dhe sidomos për të marrë masa për ruajtjen e identitetit tonë kulturor, trashëgimisë, të gjuhës, mbi potencialet e diasporës sonë dhe njëkohësisht, për nxitjen e mundësive pjesëmarrëse në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa nënkryetari i parlamentit Shpëtim Idrizi, duke kërkuar më shumë angazhim për zgjidhjen e çështjes çame, tha se të gjithë shqiptarët e diasporës duhet të marrin menjëherë shtetësinë shqiptare.

Idrizi: Unë besoj se Ministria e Diasporës është një domosdoshmëri. Unë shoh të domosdoshëm ndryshimin e ligjit për shtetësinë, duke mundësuar që Diaspora të kenë të drejtë të marrin shtetësinë shqiptare, pa kushte të tjera. Gjithashtu unë besoj, se çdo shqiptar duhet të përfaqësohet në Kuvendin e Shqiptarëve.

Në përmbyllje të samitit tre ditor, përfaqësuesit e diasporës u nderuan me shqiponjën e artë për kontributin e dhënë në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare