Rumania ndihma të mëdha për Shqipërinë pas pasojave të tërmetit

496
Sigal

Pas katastrofës në Shqipëri, sot u aktivizua Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile. Gjatë këtij mëngjesi, ministri i Punëve të Brendshme, Ion Marcel Vela, njoftoi Kryeministrin e Rumanisë, Ludovic Orban, dhe diskutoi me Presidentin Klaus Iohannis për situatën e krijuar në nivel europian.

Presidenti Klaus Iohannis ka kërkuar përfshirjen urgjente të Rumanisë për të siguruar mbështetje dhe ndihmë për autoritetet shqiptare pas situatës dramatike të krijuar nga seria e tërmeteve që goditën këtë vend.

Këtë pasdite, me miratimin e Kryeministrit, ekipi i kërkim-shpëtimit RO-USAR i njësisë speciale të Inspektoratit të Përgjithshëm për Situata Emergjente në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga kolonel Vasile Pirtea, u nis drejt Tiranës me dy avionë C 130 Hercules të vëna në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, përfshi dhe transportin e 12 tonë pajisjeve të nevojshme për ndërhyrjen.

Ekipi është i përbërë nga 52 zjarrfikës-shpëtimtarë, të autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për misione të tilla, katër qen të trajnuar për shpëtim jetë njerëzish dhe dy vullnetarë të trajnuar në stërvitje qenesh.

Ministri i Punëve të Brendshme, Marcel Vela, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Ilir Tepelena, ishin të pranishëm në bazën ajrore 90 Otopeni për të përshëndetur, në nisjen për në Tiranë, ekipin që do të përfaqësojë Rumaninë në aksionet e shpëtimit në Shqipëri.

Ndihma humanitare e ofruar nga Rumania përfaqëson ndihmën emergjente të ofruar për shtetet në rast katastrofash me qëllim zbutjen e pasojave mbi viktimat. Ekipet dhe pajisjet e shpëtimit janë gjithmonë të gatshëm për të ndërmarrë veprime, për të siguruar përgjigje të shpejtë nga BE në të gjithë botën.

Ekipi rumun i kërkim-shpëtimit është i certifikuar nga INSARAG i nivelit të mesëm (RO – USAR), dhe anëtarët e ekipit janë në gjendje të trajtojnë pasojat e një tërmeti të madh. Për shpëtimin e personave të bllokuar nën rrënoja, shpëtimtarët janë të përgatitur të ndërhyjnë me pajisje specifike për krijimin e tuneleve në elementët e ndërtimit me beton ose tulla në mënyrë horizontale ose vertikale, duke mbështetur elementët konstruktivë që kërcënojnë rrëzimin, përkatësisht, ngritjen dhe lëvizjen e elementeve të ndërtimit që bllokojnë viktimat.

Certifikimi i një ekipi të tillë rrjedh nga nevoja për të harmonizuar aftësitë kombëtare për reagimin ndaj katastrofave me standardet ndërkombëtare (OKB dhe BE), duke qenë se Rumania është një shtet i cili ka marrë mbështetje ndërkombëtare, por ka dhënë ndihmë edhe për vendet e tjera të prekura nga fatkeqësitë.