Rrugorëve u caktohen plane gjobash ndaj qytetarëve

531
Arjan ZADRIMA
Presioni i gjobave për rripin e sigurimit, dihet se përse u sajua prej kupolës së Policisë së Shtetit, e cila urdhëroi shërbimin vartës të policisë rrugore për ta zbatuar me urgjencë, urdhër që sipas informacioneve nga brenda policisë, rezulton se është një biznes monopol për të futur nga importi e për të shitur mbajtëse fiksuese fëmijësh në automjete, duke mbushur tregun me 550 mijë pajisje të tilla! Sipas skemës së këtij biznesi, presioni policor është ky: Kush nuk vendos rripin e sigurimit për çdo person që udhëton me automjete prodhim i pas viteve 1990 dhe kush nuk fikson fëmijët në mbajtëse brenda automjeteve gjatë udhëtimit, gjobiten me vlera të 10 e 20-fishuara! Faktikisht, ky presion bëri efekt dhe biznesi monopol kalimtar i shitjes së mbajtëseve të fëmijëve, ka nisur të ecë mbarë dhe sipas bisedave me tregtarët, mendohet të mbyllet brenda datës 10 shtator jo prej ndërgjegjes, por prej frikës së gjobave! Mirëpo, një denoncim i bërë në gazetën “Telegraf”, nga një efektiv i Policisë Rrugore të Qarkut Lezhës, bën me dije se ka dalë një urdhër tjetër në lidhje me vendosjen e gjobave ndaj drejtuesve të automjeteve. ! javë më parë, është menduar, ideuar dhe është futur në zbatim një skenar për vendosje gjobash të shumta ndaj drejtuesve të automjeteve, duke aplikuar vlerat maksimale të përcaktuara në Kodin Rrugor! Ky skenar gjobash, bën fjalë për vendosje gjobash “me plan ditor”. 
Për çdo turn të shërbimit policor në orarin paradite, pasdite dhe natën është caktuar edhe plani, ose më saktë numri i gjobave që duhet të vendosen. Por plani i gjobave që duhet të vendosen ka edhe një element tjetër që është mbajtur parasysh: Numri i gjobave është planifikuar sipas kategorisë së qyteteve, rretheve, zonave e qarqeve. Tashmë, efektivët e kanë marrë në dorë planet ditore dhe blloqet sipas planeve e janë hedhur në veprim, për të plotësuar planin e caktuar e të detyrueshëm të gjobave, shoqëruar me llojin dhe vlerën e gjobave që do të vendosin. Ata që nuk plotësojnë planin e gjobave dhe që në fund të turnit nuk arkëtojnë vlerën e paracaktuar, sipas informacionit, thuhet se janë paralajmëruar që t’u ndalet vlera në pagë. Ndaj dhe policët, bëjnë çdo sakrificë për të vendosur aq gjoba e në atë vlerë sa u kërkohen! Sipas skenarit, që nuk ka lidhje me disiplinimin e qarkullimit, me minimizimin e kaosit dhe shmangien e aksidenteve rrugore në rrugët nacionale, në rrugët dytësore, në periferi e brenda qendrave të banuara, por ka lidhje me grumbullimin e sa më shumë të ardhurave financiare për buxhetin e shtetit e të policisë së shtetit. Siç dihet, kohet e fundit buxheti i shtetit është shkundur e nuk ka “qindarka” as për të paguar ndihmën ekonomike dhe pensionet e invaliditetit, kjo për shkak të borxheve të vjetra, të borxheve të reja dhe për shkak të gjobave në miliona euro që po vendos Arbitrazhi Ndërkombëtar për shkak të aventurave qeverisëse të “rilindësve”. Por, gjithashtu edhe policia, këto kohët e fundit po bën “tym” miliona lekë në ditë në aksionet kundër hashashit dhe zjarreve që po djegim gjithë sipërfaqet me kullota e pyje, fonde këto që nuk janë planifikuar në buxhetin vjetor të kësaj ministrie, por as në buxhetin e fondit rezervë dhe të emergjencave të shtetit. Prandaj, zbrazja e “thesit” të policisë dhe pafuqia e shtetit për të financuar këto emergjenca e shërbime policore kombëtare që kanë kosto tepër të lartë, duket se e ka çuar mendjen e kupolës së policisë e të rilindjes, tek një zgjidhje që nuk kërkon investime, por vetëm nga 1 fije letër të quajtur “gjobë” me vlerë sa 1 pension qyteti, ose sa 10, 20, 30 e 50 e pagës zyrtare minimale!
Pikërisht kjo “fije letër” me emrin “gjobë” kthehet në letër me vlerë financiare kur vendoset mbi xhama makinash, apo kur u jepet në dorë drejtuesve të automjeteve dhe shkon si e ardhur në buxhetin e shtetit e të Policisë së Shtetit, pa konsumuar asgjë! Dhe po jep rezultate, jo se duan policët të vendosin gjoba duke u ndeshur me drejtuesit e automjeteve dhe me qytetarët e bizneset, por sepse kupola drejtuese e policisë, ua ka caktuar si “plan pune ditore”. Çdo polic duhet të plotësojë planin e gjobave, sipas zonës, aksit rrugor, qytetit, zonës turistike, qendrës së banuar, qendrave tregtare e kudo ku ka shërbim të kontrollit të policisë rrugore. Si janë ndarë zonat sipas “plan-prodhimit” të gjobave? Tirana ka 5 zona, me 5 plane pune gjobash, sipas turneve të shërbimit. Durrësi ka 4 zona, sepse njëra zonë del nga plani voluminoz, pas përfundimit të sezonit të plazhit. Po kështu Fieri, Korça, Berati, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Saranda, Shkodra e Lezha, pa llogaritur qytetet e tjerë! Norma me ulët e gjobave që duhet të plotësoj 1 polic rrugor në turnin e parë Tiranë është 20 gjoba në turnin e parë dhe 15 gjoba në turnin e dytë, ndërsa në turnin e tretë, jo më pak se 7 gjoba nga secili! Thuhet, se ky aksion me “plan gjobash”, do të vazhdoj intensivisht, deri në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, nëse ato do të shkojnë në afatin e tyre Kushtetues, sipas mandatit të plotë 4 vjeçar!
Sigal