Rruga e ferrit nga Valasi deri në Cerrik

871
Sikur të ma kishte treguar njeri si një muhabet kafeneje apo si histori të largët nuk do ta kisha besuar. E kam besuar kur e provova dhe e pashë me sytë e mi, aksin rrugor nga Papri në Valas dhe deri në Cërrik. Përgjatë 12.5 km, nga kthesa e Valasit (siç quhet vendi nga banorët e Paprit) deri tek qendra e Cërrikut, gjithë aksi rrugor ishte hapur dhe gërmuar nga firmat e ndërtimit që banorët e asaj zone nuk i dinin as emrin, duke të përmendur vetëm emrat e drejtorit të ARRSH dhe Ministrit të Transporteve. Sipas banorëve të Valasit dhe lagjes “Kantier” në Cërrik, “prej afro 1 viti rruga është hapur dhe shkatërruar me gjoja pretendimin se do të ndërtohet nga e para, është gërrmuar dhe bërë gropa-gropa, nuk lëvizim as me gomar dhe jo me biçikleta dhe makina, u bëmë copë, linjat e telefonit janë këputur, linjat e OSHEE këputen çdp 3-4 ditë, tubacionet e ujit janë shkatërruar, ndërkohë që rruga ishte e mrekullueshme, e shtruar, me sinjalistikë, por erdhi ministri Transporteve dhe drejtori Rrugëve, dhe i vunë kamzmën siç i themi ne këtej, duke na shkatërruar gjithçka e duke na e paraqitur si investim”. Dhe e vërteta është se banorët e lagjeve “Kantier”, ish-SMT në Cërrik dhe Valasit, me atë rrugë zgjidhnin hallet dhe problemet e tyre, prisnin çdo mëngjes makinat e qumështit dhe prodhimeve bujqesore dhe blegtorale për ti shitur në Elbasan apo edhe Tiranë, ndërkohë që kanë mbi 7-8 muaj që po “thahen” nga lekët. Dy javë më parë Ministri i Transporteve dhe drejtori Rrugëve ishin në Papër dhe vijëzuan (duke e paraqitur si sinjalistikë) qindra metra mure dhe avlli, por nuk patën guximin të kalonin me makinat e tyre të reja dhe të larta nga Valasi dhe Cërriku, për të parë rrugë e “re” dhe takuar banorët e asaj zone të cilën e shkelin kur u duhen votat. 

Banorët e lagjes ish-SMT dhe “Kantier” deklaruan se “nga ne as vota dhe asgjë tjetër nuk marrin ata që na lanë papunë, ata që na prishin rrugët dhe linjat e telefonit, rrjetin e ujit dhe energjitikën, për të na e shitur sikur po bëhet investim madhor, sikur rruga e re do të na shpëtojë nga varfëria, ndërkohë që këtu tek ne dhe në Cerrik mbi 90 per qind e popullatës janë të papunë dhe problemet ekonomike dhe sociale po i shtyjnë drejt vetëvrasjeve”. Si një ferr i vërtetë aksi rrugor Valas-Cerrik është kthyer edhe për shoferët e linjave nacionale dhe ata që kanë një veturë dhe e përdorin si taksi për të siguruar bukën e gojës. Gëzimi 32 vjeç është nga Cërriku dhe vjen çdo ditë në Valas dhe merr pasagjerë si taksi, por shprehet se “brrnda 4-5 muajsh kanë harxhuar për makinën rreth 1 milion lekë për servisin e makinës, pasi rruga e keqe na i prish edhe kur vendosim pjesët e reja, kurse me pasagjerët jemi në hall, pasi edhe tarifat janë rritur sepse edhe ne kemi harxhime dhe konsumime të papara të mjeteve, shteti duhet të vërë dorën dhe ti hapë rrugët dhe ti harrojë, për mua dhe gjithë shoferët taksi, rruga e dikurshme ishte e mrekullueshme, nuk dihet shkaku përse u shkatërrua dhe sot na shitet sikur po investohet”. Me dhjetra herë banorët i kanë bërë apel qeverisë, Ministrit të Transporteve dhe ARRSH, të nxitojnë mbylljen e investimit në aksin e tyre rrugor nga Valasi deri në Cërrik, pasi shkatërrimi i saj ka vështirësuar dhe shkatërruar jetën e tyre, bizneset dhe gjithçka tjetër që u ka mbetur. Banorët shprehen se “të paktën firma të kishte punësuar disa prej nesh në ndërtimin e kësaj rruge, por siç duket inagurimi saj do të bëhet ndoshta 2 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ndaj dhe vonohet mbyllja e punimeve”.
Sigal