Rritja e çmimeve të karburanteve, sot pritet që Bordi i Transparencës të caktojë tavanin

157
Sigal

Prej disa ditësh, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka pësuar ulje, por kjo vijon të mos jetë e reflektuar në pikat e tregtimit në vendin tonë, ku një litër naftë kushton 217 lekë.

Çmimi i unifikuar është dakordësuar edhe nga Bordi i Transparencës dhe qëndron i pandryshuar prej datës 12 mars. Sot, pritet të caktohet edhe çmimi i ri.

“Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e qeverisë.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi disa ditë më parë se prej muajit shkurt kompanitë e tregtimit të karburanteve janë vënë nën hetim. Në më pak se një javë, çmimi i naftës dhe benzinës në vend u rrit me më shumë se 60 lekë për litër. Por pavarësisht kësaj, Autoriteti i Konkurrencës zgjodhi të heshtë, deri në momentin që qytetarët mbushën sheshin para Kryeministrisë.

Pas ditës së parë të protestës, ky institucion bëri një reagim të gjatë, duke justifikuar mungesën e reagimit me moskompetencën.

Por, kontradiktor është fakti që hetimi ka nisur qysh prej datës 25 shkurt, çka do të thotë se Autoriteti i Konkurrencës i kishte dhe i ka instrumentet për të ndërhyrë.

“Bëjmë me dije se, të gjitha kompanitë e tregtimit të karburanteve janë nën hetim dhe, për ato kompani që do të provohet se kanë shkelur dispozitat e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, masat e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në përputhje me penalitetet e parashikuara”, thuhej në njoftim.