Rritet sërish çmimi i karburanteve, Bordi i Transparencës merr vendimin se sa do shiten deri më datë 12 prill

153
Sigal

Rriten sërish çmimet e karburanteve në vendin tonë.

Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet me të cilat do të shiten nafta, benzina e gazi deri më datë 12 prill.

Sipas njoftimit për mediat, nafta do të shitet me 233 lekë/ litër, ku më parë ishte 226 lekë/litër.

Benzina shitet me 209 lekë/litër nga 208 lekë që ishte më parë. Ndërsa gazi, do shitet me 115 lekë/litër nga 114 lekë që ishte më parë.

Vendimi:

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 5 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në datë 12.04.2022, si më poshtë:
221 Lekë/litri për gazoilin;

197 Lekë/litri për benzinën;

103 Lekë/litri për benzinën

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në 12.04.2022, si më poshtë:

233 Lekë/litri për gazoilin;

209 Lekë/litri për benzinën;

115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 5 Prill, deri deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.