Rreziqet shëndetësore që lidhen me rrjetin 5G

892
Sigal

Një grup prej 170 shkencëtarësh kanë ngritur shqetësimin rreth kësaj teknologjie në Bashkimin Europian, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së që të rishikojnë kufijtë e ekspozimit

Në Mobile World Congress, që u mbajt në fund të muajit shkurt në Barcelonë, liderët e sektorit theksuan se 5G do të jetë revolucioni i ardhshëm mobil. Ekspertët thonë se rrjeti mund të vihet në përdorim vitin e ardhshëm. Avantazhet e tij janë shumta: shpejtësia e rrjetit dhe koha që i nevojitet mundëson krijimin e ‘smart city’, ndërhyrjet kirurgjikale në distancë dhe download-ime më të shpejta, midis funksioneve të tjera të panumërta.

Por një pyetje, mbetet, në pjesën më të madhe, pa përgjigje – cilat janë rreziqet shëndetësore, nëse ka, të lidhura me 5G? Një grup prej 170 shkencëtarësh kanë ngritur shqetësimin rreth teknologjisë në Bashkimin Europian, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së që të rishikojnë kufijtë e ekspozimit, duke përmendur rreziqet shëndetësore që mund t’u shkaktohen qytetarëve europianë.

Ja se çfarë duhet të dini:

Çfarë janë frekuencat 5G?

Për të llogaritur rritjen e vëllimit të informacionit që do të transferohet nga rrjetet 5G, do të jetë i nevojshëm më shumë spektër me frekuenca më të larta – tha për Euronews një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Frekuencat më të larta që do të përdoren, do të jenë rreth dhjetë herë më të larta se frekuencat që përdoren nga teknologjitë aktuale të rrjetit – aktualisht deri në disa dhjetëra GHz. Ekzistojnë udhëzimet ndërkombëtare deri në 300 GHz, përtej frekuencave maksimale që janë duke u diskutuar për 5G.

Cilat janë udhëzimet aktuale

Ndërkohë që Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-jonizues (ICNIRP) po rishikon udhëzimet e tij në lidhje me radiofrekuencën, ka paraqitur një draft këshillash në lidhje me frekuencën e lartë (nga 100 kHz në 300 kHz) për një konsultim publik. “Efekti më i rëndësishëm i ekspozimit ndaj frekuencës së lartë që lidhet me shëndetin dhe sigurinë e njeriut është ngrohja e indeve të ekspozuara” – lexohet në draft.

“Fushat me frekuencë të lartë mund të depërtojnë në trupin e njeriut (sa më e lartë frekuenca, më e ulët është thellësia e penetrimit)… kjo shkakton fërkim e për rrjedhojë nxehtësi”. ICNIRP thotë se efektet akute dhe afatgjata të ekspozimit të frekuencës së lartë nën pragun termik janë studiuar gjerësisht, duke treguar se nuk kanë asnjë pasojë të dëmshme te shëndeti i njeriut.

A është studiuar mjaftueshëm efekti i valëve 5G te shëndeti ynë?

Se çfarë rreziqesh mund të sjellë rrjeti 5G, “askush nuk i di”, shprehet Dariusz Leszczynski, ekspert i biologjisë molekulare dhe profesor në Universitetin e Helsinkit, në Finlandë.

“Siguria që jepet ndaj shqetësimit në lidhje me rrezatimet e rrjetit 5G mbështetet ekskluzivisht te supozimi se sasi të ulëta rrezatimi janë të sigurta, jo në hulumtime biomjekësore”, shtoi profesori. Në mënyrë të veçantë, pikëpyetja qëndron tek efektet e valëve milimetrike, të njohura si frekuenca jashtëzakonisht të larta, që do të përdorë 5G. “Ne nuk e dimë në praktikë ndikimin e tyre në sistemin tonë imunitar”. Valët me frekuencë të lartë penetrojnë vetëm disa milimetra në trup dhe ky përdoret si një argument mbrojtës nga industritë e teknologjisë – por lëkura jonë është organi më i madh i trupit dhe lidhet me gjëra të ndryshme, duke përfshirë edhe përgjigjen imunitare”, – shpjegon Leszczynski.

Megjithatë, prof. dr. Alexander Lerchl nga Jacobs University Bremen tha se “janë kryer shumë studime mbi këtë temë, por ato nuk kanë dhënë asnjë provë për rreziqet shëndetësore. Lerchl bën thirrje për studime të mëtejshme. “Ekspozimi ndaj valëve të radios nuk është i ri dhe studime për këtë çështje janë kryer gjatë disa dekadave”, – tha një zëdhënës i OBSH. Duke qenë se rrjeti 5G nuk është implementuar ende, rritja ndaj ekspozimit të përgjithshëm ndaj valëve të radios, kur i shtohet një rrjeti ekzistues apo në një zonë të re, është e paqartë”, – shton eksperti.

Nga vjen rreziku?

Antena 5G do të jetë e pranishme në çdo makinë dhe shtyllë në qytetet inteligjente dhe sensorët duhet të instalohen edhe në shtëpi, pasi valët milimetrike nuk mund të depërtojnë nëpër mure dhe dritare, shpjegon Leszczynski. Por, pjesa më e madhe e rrezatimeve, nuk vijnë nga këtu. “Ashtu si tani, me rrjetet 3G dhe 4G, pjesa më e madhe e rrezatimeve do të vijë nga telefonat celularë”, – thotë ai. Antenat do të përçojnë rrezatim më të ulët krahasuar me këtë”. “Rrezatimet nga shtyllat do të jenë të ulëta, përjashto rastin kur jeni pranë tyre”, – shtoi prof. Leszczynski.

Si mund të mbrohemi?

Leszczynski thotë se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga rreziqet e panjohura që lidhen me rrjetin 5G është e njëjta këshillë me rrjetin 3G dhe 4G – të kufizoni ekspozimin. “Përdoreni telefonin sa të dëshironi, por mos e përdorni kur nuk është e nevojshme”, – thotë ai. Është e këshillueshme të tregoheni të kujdesshëm. “Parandalimi ka kuptim derisa dyshimet të jenë zhdukur”, – thotë Lerchl. “Është ndoshta më mirë të tregoheni të kujdesshëm”.