Robert Haxhi: Pres të vish nga shtegëtimi

920
Sigal

Jam në gjumë i armatosur
jam në luftë i çarmatosur
në liri jam i burgosur
jam në diell plevitosur.

Jam në ëndërr dhe luftoj
jam në luftë dhe ëndërroj
rri në vend dhe fluturoj
ku e ku nuk shtegëtoj.

Jam këtu ndodhem aty
gjendem atje ku je ti
në çdo vend në gjithesi
po tamam tamam se di.

Jam këtu e ngjaj vigan
jam një pikë në oqean
jam këtu dhe ndjehem mirë
jam një grimcë në shkretëtirë.

Jam aty ku s’kam qënë kurrë
jam aty ku vec ti ishe
pres të më tregosh gjithçka
nga shum larg ti dallandyshe.

Por ti ikën dhe unë pres
të shoh prap hiret e tua
e pres prillin me sa mall
e qaj vjeshtën se nuk dua.

Se nuk dua të më ikësh
se nuk dua të më lësh
se nga ankthi se nga malli
nuk e di në do më gjesh.

Vjen e kthehesh, çfarë s’më thua
të dëgjoj gojën se shqep
ç’paske fshehur dallandyshe
kaq shumë gjëra nën një sqep.

Vjen nga larg dhe sa me larg
më sjell gjithë botën në dorë
kur vjen ti pranvera çel
dhe gjithçka s’është më e gjorë.

Ti e di se ku më gjen
më gjen prap ku me ke gjetur
unë të pres nga shtegëtimi
të më thuash dhe pa pyetur.

Të më flasësh të më thuash
nga ku shkove, sa larg ike
të më thuash dil se erdha
dhe sa e sa fjalë magjike.

Do të pres, po dhe në s’erdhe
unë do pres gjer sa te vish
do të pres si nga fillimi
veç i plakur disa fish…!